PDK: Qeveria komunale në Viti po manipulon me publikun
Viti – Kryetari i komunës dhe qeveria komunale nuk kanë të drejtë të vetëlavdërohen me të gjeturat nga Raporti i auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2014, sipas
standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik ky raport është negativ. Kryetari i Komunës së Vitisë dhe qeveria komunale po mundohen shpeshherë që përmes nxjerrjes nga konteksti i ndonjë të dhëne statistikore, të manipulojnë opinionin publik në radhë të parë atë vitias ose të përçojnë ndonjë “lajm”, se sa e suksesshme na qenka udhëheqja komunale, në krye me kryetarin Haliti thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Viti.
Një gjë të tillë e bënë së fundi më 10 prill 2016, kur në një njoftim të lëshuar nga zyra e kryetarit, nxorën shkallën e përqindjes së realizuar të investimeve kapitale, nga Raporti i auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2014.
Në radhë të parë, i njoftojmë qytetarët e Komunës së Vitisë, se sipas vlerësimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në Raportin e auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2014, ekziston vlerësimi negativ, vlerësim i keq, vlerësim jo pozitiv.
Ky vlerësim sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit në sektorin publik, njihet me emrin – Opinion i kualifikuar me theksim të çështjes.
Është çështje tjetër se si ia kanë shpjeguar profesionistët kryetarit të Komunës së Vitisë, (nëse është konsultuar fare me ndonjë të tillë), domethënien e Opinionit të kualifikuar në fushën e auditimit (ne shpresojmë t’ia kenë shpjeguar drejt) dhe është çështje krejtësisht tjetër pse kryetari i Komunës së Vitisë, Raportin e auditimit për Komunën e Vitisë edhe pse është raport negativ, po e përdor për qëllime krejtësisht propagandistike.
Sipas një shembulli të krahasueshëm, atë që ka bërë në atë njoftim zyra e kryetarit të komunës, i bie sikur një nxënës i cili ka mbetur në riprovim të deklarojë se ka pasur një notë më të lartë se dy, p.sh. tre ose katër në lëndën e amvisërisë, (pa të drejtë për ta nënçmuar asnjë lëndë mësimore).
Vlen të përmendet fakti se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kryen auditime të rregullsisë dhe të performancës, ku në fokus janë: pasqyrat vjetore financiare, reagimi ndaj rekomandimeve të vitit paraprak dhe të viteve të kaluara dhe çështjet e qeverisjes, në veçanti menaxhimi financiar dhe kontrolli.
Dega e PDK-së në Viti, vlerëson se Raporti i auditimit nuk është thjesht një çështje e një organizate joqeveritare, përmes së cilës mund të prodhohen me porosi tituj “dr. honoris” apo prodhohen alamet tituj fiktivë dhe të paqenë, me shumë mirënjohje e lavdata.
Kryetari i komunës në vend se të fokusohet në përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga të gjeturat në Raportin e auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2014, po vazhdon të shërbehet nga një metodologji false dhe retorikë boshe, se kinse Komuna e Vitisë na qenka e para në këtë apo atë aspekt, gjithnjë duke i anashkaluar faktet se raporti i auditimit është dhe duhet parë si çështje të rregullsisë dhe përputhshmërisë së
menaxhimit të parasë publike me ligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative në fuqi.
Qytetarët e Komunës së Vitisë, duhet ta dinë se kur flasim për Raportet e auditimit për komunat e Kosovës për vitin 2014, më keq se Komuna e Vitisë, bashkë me disa komuna që vlerësohen me Opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, janë vlerësuar vetëm Komuna e Graçanicës, Zveçanit dhe e Leposaviçit.
Qytetarët e Komunës së Vitisë duhet ta dinë gjithashtu se në Raportin e auditimit të Komunës së Vitisë për vitin 2013, kishte vetëm 8 rekomandime, përderisa raporti i auditimit për vitin 2014 përmban 12 rekomandime.
Si pasojë e menaxhimit të dobët financiar dhe të kontrollit, si dhe mangësive serioze në pasqyrat vjetore financiare, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në Raportin e saj për Komunën e Vitisë, në rekomandimet dhe konkluzionet ka konstatuar dobësitë si në vijim:
* Dobësi në kontrollet për të konfirmuar plotësinë, saktësinë dhe pronësinë e pasurisë;
* Pasqyrat vjetore financiare kanë përfshirë numër të mangësive;
* Nga gjithsej 8 rekomandime të vitit paraprak, vetëm 1 rekomandim është përmbushur tërësisht, 3 janë adresuar pjesërisht dhe 4 rekomandime nuk janë adresuar ende;
* Ekzistojnë dobësi në kontrollet menaxheriale të zbatuara në sistemin financiar;
* Ekzistojnë dobësi në kontrollet mbi menaxhimin e të hyrave;
* Ekzistojnë dobësi në lidhje me shpenzimet përmes prokurimit;
* Ekzistojnë dobësi në lidhje me shpenzimet jo përmes prokurimit në lidhje me pagesat e anëtarëve të kuvendit;
* Ekzistojnë gabime në llogaritjen e ndalesave për pushimet e lehonisë;
* Ekzistojnë mangësi në regjistrin e pasurisë kapitale dhe jo kapitale dhe nuk është kryer inventarizimi i këtyre pasurive;
* 83% e balancës së llogarive të arkëtueshme nga tatimi në pronë dhe 100% e balancës nga taksat e bizneseve janë më të vjetra se një vit;
* Ekziston mospajtueshmëri me Rregullën Financiare Nr. 01/2013 MF për pagesën e obligimeve;
* Njësia e Auditimit të Brendshëm operon pa statut të Komitetit të Auditimit dhe nuk e përmban numrin e kërkuar të auditorëve.
Si rezultat i një keqmenaxhimi të tillë por edhe të një varg dobësish të tjera nga ana e udhëheqjes komunale, siç janë punësimi i militantëve politikë, mos zbatimi i rregullave të konkursit, nepotizmi, pranimi në sistemin arsimor të njerëzve me kualifikime joadekuate, etj. kanë rezultuar me ngritjen e një mori aktakuzash nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për vetë kreun e kuvendit komunal dhe drejtorin komunal të arsimit, si dy fusha nga më të rëndësishmet sa i përket kompetencave të pushtetit komunal.
Qytetarët vitias duhet ta vlerësojnë vetë dhe esëll se a meritojnë vërtet një udhëheqje të tillë thuhet në vlerësimin e Degës së PDK-së, në Viti./rajonipress/


