PDK po i bën presion LDK-së, me “gatishmërinë për zgjedhje të reja”

Gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhje të reja, analistë të çështjeve politike e cilësojnë si një formë përmes të cilës kjo parti shfaq pushtetin që ka.
Në një prononcim të dhënë për Gazetën Blic, analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se përmes kësaj gatishmërie ata dëshirojnë që t`i bëjnë presion Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj Isa Mustafa.
“Gatishmërinë për zgjedhje të reja, zyrtarët e PDK-së e kanë si presion ndaj LDK-së dhe Isa Mustafës. Në këtë mënyrë, ata dëshirojnë t’i tregojnë Mustafës se e kanë në dorë dhe zgjedhjet do të mbahen kurdo që dëshirojnë ata, pavarësisht se nuk janë realizuar premtimet e dhëna. Por, kjo nuk është diçka e re. Premtimet e dhëna, e as programi qeveritar nuk është zbatuar asnjëherë deri tash, në asnjë qeverisje” tha Mushkolaj.
Ndërsa Jon Leka, ka thënë se përgjegjësia mbi premtimet e pa realizuar do të bie mbi LDK-në duke pasur parasysh faktin se ajo ka nën udhëheqje disa nga sektorët kyç.
“PDK del në këtë kontekst si Ponc Pilati gjatë dënimit të profetit nazarean në kryq. Masat do të përballen me argumentin se jo ata patën qeverinë por LDK. Dhe kur të ndodhë përballja elektorale partia e zotëri Veselit do të thotë se premtimet e PDK-së i sabotonte LDK-ja në qeveri që kishte resorët kyç si ekonomia, siguria e të ngjashme. Masat pra do të fiksohen në LDK-në si dështuese e jo në PDK-në. Që kjo të ndez efektshëm do të kujdesen edhe fraksionet e LDK-së në kundërshti: të cilat gjatë zgjedhjeve më shumë bëjnë luftë ndër vete se sa me kundërshtarët”, tha Leka.
Gatishmërinë për zgjedhje të reja e ka paraqitur deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj në një intervistë të realizuar nga Gazeta Blic, ndër të tjera ajo kishte se PDK mund të dal gjatë zgjedhjeve.