UBT

PDK, partia që pret duar

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arbana Xharra – Ra ky aderim i Margarita Kadriut në PDK dhe opinioni në Kosovë e pa edhe njëherë se deri ku ka arritur ligësia dhe shkelja e ligjeve në këtë vend. Në firmën e zonjës Kadriu, vite më parë një punëtor humbi dorën. Atij iu këput dora, për shkak se makina me të cilën punonte nuk kishte mekanizëm mbrojtës, gjë që është papërgjegjësi kriminale e punëdhënësit.

Shpejt e shpejt, punëtorin e çuan në spital, ndërsa në shtypshkronjën e gazetës “Kosova sot” u kujdesën që dorën e punëtorit Lulëzim Rexha ta hedhin në kontejner, ta fshijnë gjakun në makinë dhe në tokë dhe kështu të fshehin gjurmët e aksidentit. A ka veprim më çnjerëzor se të sillesh kështu me një viktimë? Ka. Sepse punëtori i aksidentuar u trajtua mizorisht edhe më vonë.

Nuk iu pagua dëmshpërblimi, edhe pse gjykata kishte marrë vendim për këtë. Deri më sot gazeta “Kosova sot” e Margarita Kadriut ka refuzuar të paguajë dëmshpërblimin e caktuar nga gjykata. Përballë kësaj situate, dukej absurde kur Margarita Kadriu me rastin e hyrjes së saj në PDK, të thoshte se do të punoj për një “shtet të fortë ligjor e me prosperitet”.

Derisa, Lulëzim Rexha rrëfente sesi në vitin 2004 i ishte këputur dora, për të vazhduar gjakftohtësisht puna në shtypshkronjë, kurse për dorën e tij të këputur nga bërryli e poshtë dhe të hedhur pa mëshirë në kontejner, ishte njoftuar nga kolegët e punës (pra, ka dëshmitarë për këtë rast), prurja e re në PDK e Margarita K. përkrah shefave të saj fliste për moralin politik dhe synimin që ajo ka “për të çuar Kosovën përpara”.

Kjo zyrtare, tashmë e lartë e PDK-së, e cila pretendon pushtetin, për më shumë se dhjetë vjet ka shantazhuar përmes medias së saj pikërisht sistemin e gjyqësisë, duke ia nxirë jetën gjykatëses Makifete Saliuka, e cila kërkonte me të drejtë dëmshpërblim për Lulëzim Rexhën, i cili ka mbetur invalid.

Ky sistem, si i gazetës “Kosova sot” dhe shefes së saj Margarita K., është i njohur nga grupet mafioze në vend, të cilët mbajnë pushtetin më kërcënime e shantazhe dhe nuk çajnë kokën për ligje e rregulla. Këtij karvani të sojit të vetë i është bashkangjitur së fundmi edhe Margarita K., të cilës si duket nuk i ka mjaftuar fuqia mediale për të rregulluar hesapet e veta, tash synon pushtetin.

Mobi Casa

Ajo tashmë është bërë pjesë e grupit, që kur flet për ndërtimin e shtetit ka vetëm një synim: arritjen e qëllimeve të tyre plaçkitëse.

Pas katër vjetësh qeverisjeje me vota të vjedhura, duke u tallur me të gjithë, Hashim Thaçi na del ta ketë pasuruar listën me matrapazë që e duan me çdo kusht pushtetin për të pasur fuqi mbi gjithçka.

E lista e PDK-së, e cila ka pasur nevojë urgjente për reformë të brendshme, për pastrim të radhëve nga të dyshuarit për krime, vazhdon të jetë e njëjtë. Dorën në zemër, Thaçi nuk ka mundur të pastrojë listën, sepse ata i duhen për të mbajtur ato struktura të shtetit që zhvatësit nga partia e tij i kanë vënë tashmë nën kontroll. Listat e publikuara shfaqin emrat, që po tentojnë përmes PDK-së të kacavirren sërish në pushtet me përpjekje këmbëngulëse, që ta ruajë rrjetin e tyre që ka kapur shtetin.

Kjo perandori, e cila ka mbijetuar duke pasur nën këmbë një popull të varfër, i frikësuar nga pasojat e hakmarrjes, po rrit radhët e veta me kategorinë e njerëzve pa karakter njerëzor, që për interesa personale janë në gjendje të zhdukin çdokënd nga faqja e dheut.

Të gjithë ata që radhiten në listën e PDK-së për deputet, që kanë rënë në konflikt me ligjin po presin të festojnë sërish, sepse shohin përpara vetes një opozitë, e cila po ashtu është lehtë e shantazhueshme, një shoqëri civile, e cila kur janë në pyetje paratë nuk dallon shumë nga politika.

E, sa i përket mungesës së traditës demokratike në këtë vend krerët e PDK-së e dinë shumë mirë për këtë, sepse ata janë kontribuuesit e instalimit të frikës në palcë të qytetarëve, të cilët janë bërë dëshmitarë të paradës manipuluese të pushtetit dhe nuk bëjnë zë! Tash, na mbetet të shohim se kush e ka radhën të shantazhohet, kërcënohet e të shkelet nga “margaritarët e PDK-së”, kur preken interesat e tyre.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.