PDK: Nëndegët e qendrës së qytetit bindshëm në mbështetje të Qemajl Mustafës

Gjilan – Nëndegët e qendrës së qytetit të Gjilanit në një tubim elektoral me bindje të plotë i kanë dhënë mbështetjen absolute kryetarit Qemajl Mustafa, duke e cilësuar atë si një vizionar dhe ideator të zhvillimit, prosperimit dhe qeverisjes së mirë dhe të suksesshme të Komunës së Gjilanit.
Me këtë rast Ali Arifi, shef i shtabit zgjedhor të këtyre nëndegëve ka konfirmuar se qytetarët e qendrës së qytetit e përkrahin konceptin e PDK-së për zhvillim dhe prosperim të Komunës, sepse kjo lokomotivë në krye me kryeministrin Hashim Thaçi, është dëshmuar se mundet dhe do ta ndërtoj vendin dhe ta integroj normalisht, atje ku e ka vendin. “Ndaj ne e përkrahim këtë koncept sepse nuk duam të ngjitemi pas lokomotivave që kthejnë prapa. Ne e përkrahim kryetarin Qemajl Mustafa, sepse politikën nuk e kupton si retorikë dhe demagogji, por politikën, mekanizmat profesional, idetë strategjike dhe resurset teknike i shndërron në makineri lëvizëse për të zhvilluar Komunën e tij dhe për ta bërë atë përditë e më moderne. E përkrahim kryetarin Mustafa se i njeh nevojat e Gjilanit dhe angazhohet maksimalisht. Ai nuk i merr asgjë Gjilanit pos që i ka dhënë dhe do t’i jap edhe në të ardhmen ka thënë ai ndër të tjerash” ka thënë Arifi.
Ndërsa Besim Beqaj, ministër i financave, ka thënë se kur ne kemi ardhur në qeverisje në vitin 2007 kemi premtuar projekte të mëdha si autostradën, aeroportin, ngritjen e pagave etj, të gjitha këto sot janë një realitet që të gjithë ju i shihni dhe i prekni. “Ne nuk jemi sjellur sikur qeveritë para nesh që kanë marrë taksën e qytetarëve por nuk e kanë kthyer atë në projekte, dhe kështu mbi 400 milion euro i kemi gjetur në suficit buxhetin e Kosovës. Mos u besoni atyre që thonë se do ta bëjnë këtë apo atë projekt, por besojuni atyre që gjithherë atë që e kanë premtuar edhe e kanë bërë realitet, e ajo është PDK”.
Ndërsa deputeti Zenun Pajaziti, ka thënë se në këtë garë i keni dy opsione diametralisht të kundërta, vizionin për ndërtimin e Gjilanit, apo vizionin për kthimin prapa në keq qeverisje e keqpërdorime milionëshe.
Pajaziti ka falënderuar edhe kryesitë dhe elektoratin e subjekteve të tjera që janë bashkuar rreth PDK-së dhe po punojnë gjithandej nëpër terren në mënyrë që fitorja e PDK-së të jetë e sigurt dhe për disa mijëra vota në favorin tonë.
Nga ana tjetër kryetari Qemajl Mustafa, në fjalën e tij falënderuese për këtë angazhim maksimal të strukturave të partisë dhe përkushtimit shumë të madh të të gjithëve që ta nxjerrin fituese PDK-në dhe kandidatin e saj, sepse siç ka thënë ai të gjithë po e dinë mjaftë mirë se çka e gjen Gjilanin nëse edhe njëherë i kthehet në krye të saj një qeverisje të cilën qytetari e kishte mallkuar vite më parë. “Ne kemi realizuar shumë projekte, asnjëherë nuk kemi arritur ta përmbushim kërkesën e qytetarëve sepse nevojat e Gjilanit ishin të mëdha dhe rriteshin sikur që vet Gjilani po rritet. Rritja e Gjilanit ka ndikuar edhe në rritjen e PDK-së dhe ecjes së sigurt drejt mejdanit, atje ku do të përmbys këtë rezultat të rrem dhe të manipulimeve e dollovereve”.
Ai ka thënë poashtu se falë mbështetjes së konfirmuar edhe zyrtarisht nga ana e qeverisë së Kosovës, ne për katër vitet e ardhshme bashkë me qeverinë dhe me donatorët do të ndryshojmë Gjilanin aq shumë saqë do ta krahasojmë Gjilanin para 2013 dhe atë pas 2013, ndërsa për krahasimet e qeverisjes së Lutës në kohën e tij, atëherë ndryshimet do të jenë marramendëse për secilin qytetarë të Gjilanit. “Qeverisja jonë katër vjeçare fuqishëm do ta vendos fituese PDK-në edhe në mandatet tjera sepse për këtë as që diskutohet më kur është ngrit gjithë qytetaria në këmbë për ta bërë sa më madhështore fitoren e vizionit të PDK-së” ka thënë Mustafa thuhet në njoftimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/