Uji Dea

PDK: Ne ofrojmë fakte, qeverisja Haziri shpifje

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Se në çfarë gjendje e ka sjellë qeverisjen komunale kryetari Lutfi Haziri, tregon më së mirë rasti i Muhadin Hazirit, i emëruar në kundërshtim me ligjin, si anëtar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompaninë “Eco-Higjiena”, sepse i njëjti ka të ngritura dy aktakuza nga Prokuroria Themelore në vitin 2011, për vepra penale të bëra në këtë kompani gjatë viteve të kaluara thuhet në përgjigjen e PDK-së.

Kjo formë e qeverisjes nga ky kryetar komune, duke emëruar dhe vendosur në pozita drejtuese, zyrtarë komunal të akuzuar për kryerjen e krimeve ekonomike në ndërmarrjet publike dhe për zhdukjen dhe shitjen e aseteve, është jashtëzakonisht shqetësuese dhe serioze për rrezikun e funksionimit normal të komunës së Gjilanit.

Shkarkimi i dy bordeve të kompanive publike lokale nga Komisionet Komunale të Aksionarëve, në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, janë veprime për të instaluar një rrjet të kriminalizuar në këto dy NP, në “Kosovatrans”-in dhe në Eco-Higjienë”.

Përdorimi i instrumenteve të dhunës, shpifjeve dhe të kërcënimeve që bëjnë “të zgjedhurit” e Lutfi Hazirit, për të frikësuar të gjithë ata që publikojnë këto krime ekonomike të bëra nga të akuzuarit e Prokurorisë Themelore, nuk mund të na bëjnë që ne të heshtim si opozitë dhe nuk mund të fshehin të gjitha dallaveret që po bëjnë me pasurinë milionëshe të qytetarëve të Gjilanit dhe të Kosovës.

Ne, edhe më parë kemi paraqitur rastin konkret me fakte, se si po keqtrajtohen dhe dhunohen investitorët e huaj nga qeverisja komunale e Gjilanit. Dhe publikimi nga ana e jonë e këtyre problemeve serioze, normalisht që e kanë shqetësuar këtë kryetar komune, i cili mashtron qytetarët me deklarata të pavërteta se Gjilanit po i kthehen donatorët dhe investitorët e huaj, ndërsa njëkohësisht në anën tjetër, ata i kërcënon klani i tij, i instaluar nëpër institucionet komunale, e kjo është një hipokrizi e llojit të vet.

Pas akuzave dhe shpifjeve të bëra nga anëtari i akuzuar i KKA Muhadin Haziri, ndaj ish kryetarit të komunës dhe Riad Rashiti anëtar i KK Gjilan, ne jemi të detyruar që të demantojmë dhe të sqarojmë opinionin me fakte të argumentuar, për tërë procesin e Partneritetit Publiko Privat në këtë kompaninë publike “Eco-Higjiena”.

Në vitin 2010, Bordi i Kompanisë pas analizës së gjendjes në “Higjienë” i ka rekomanduar Kuvendit Komunal, për të hulumtuar të gjitha mundësitë për të investuar në mbijetesën e kësaj kompanie dhe zhvillimin e saj, me qëllim të kryerjes së shërbimeve ndaj qytetarëve të Gjilanit dhe për ruajtjen e vendeve të punës. Dhe si mundësi reale është vlerësuar modeli i Partneritetit Publiko Privat. Sepse për 12 vite në kompaninë publike “Higjiena”, që nga viti 2000, janë krijuar humbje financiare, duke e sjellë afarizmin e kësaj kompanie deri në falimentim, duke krijuar mbi 1 milion euro borxhe ndaj institucioneve të Kosovës dhe operatorëve ekonomik.

Ish kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, me pëlqimin e të gjitha subjekteve politike (PDK, LDK, LDD, AAK, AKR dhe tjerat të vogla), ka nisur inicimin për projektin e Partneritetit Publiko Privat në kompaninë “Higjiena”.

UBT

Inicimi i këtij projekti ka nisur pas vizitës në Austri, që i ka parapri Arben Mehmeti si shef i Grupit të Këshilltarëve Komuna të LDK-së dhe si përfaqësues i Kuvendit Komunal, ku kanë marr pjesë edhe Fadil Osmani si kryetar i Bordit të kësaj kompanie dhe Bajram Isufi, si drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie. Dhe nuk ka qenë Riad Rashiti iniciator i këtij projekti, pra këto janë shpifjet e para të Hazirit.

Dhe pas studimit të fizibilitetit, analizës së thellë financiar e kontraktuar me një kompani ndërkombëtare profesionale “DELOITTE”, pastaj janë respektuar të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, respektimit të të gjitha procedurave ligjore dhe në fund pas miratimit nga të gjithë 41 anëtarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit, (pra edhe të vet LDK-së dhe AAK-së që atëherë ishin në opozitë), e kishin votuar unanimisht vendimin për marrëveshjen e PPP në këtë kompani.

Ndërsa tani, ky i akuzuar, e cilëson PPP si proces të improvizuar dhe jo legal. Cka do të thotë se sipas tij, ne paskemi qenë të manipuluar të gjithë 41 anëtarët e Kuvendit Komunal dhe të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe partinë e tij politike.
Për hir të së vërtetës, ne jemi të detyruar që të paraqesim disa nga faktet, se përse i janë ngritur aktakuzat nga Prokuroria Themelore ndaj Muhadin Hazirit. Njëra aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Shtetërore Komunale, më datë 12 janar 2011 (shih foton), ndaj tij si përfitues i dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Muhadin Haziri, po ashtu është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, për zhdukjen, vjedhjen dhe shitjen e kamionit “SKANIA” në vitin 2009, në vlerë prej 16 mijë euro (shih foton) në rrethinën e Prizrenit, që ka dëshmuar punëtori i kompanisë “Higjiena” Abedin Berisha.

Poashtu Muhadin Haziri akuzohet nga punëtorët e kësaj kompanie për keqpërdorime të mëdha financiare, duke përfituar mijëra euro, përmes pagesës së faturave për shpenzime fiktive, si për ndërrim të pjesëve të kamionit, pa i ndërruar fare ato, por edhe në emër të shpenzimeve tjera që janë bërë në mënyrë të pakontrolluar.

Ndërsa për shpifjet e bëra ndaj anëtarit të KK Gjilan Riad Rashitit, e ftojmë Muhadin Hazirin që të paraqes të gjitha faktet publikisht (sikurse ne sot) për këto akuza të bëra ndaj tij, dhe ti dërgojë në institucionet e hetuesisë, përndryshe ju do të keni edhe një rast më shumë në Gjykatën Themelore, si i akuzuar për shpifje dhe akuza të pabaza.

Ne si PDK, i bëjmë thirrje kryetarit të komunës, që të ballafaqohet me ne si opozitë, vetëm përmes fakteve dhe të lërë shpifjet ndaj punës së madhe të cilën e kemi bërë për gjashtë vite në çdo sektorë të komunës së Gjilanit.

Angazhimi ynë politik si opozitë në komunë, fatkeqësisht është bërë ankth i qeverisjes komunale dhe i vet kryetarit Lutfi Haziri, i cili me çdo kusht është munduar që të bëjë të hesht para dallavereve, të cilat për secilën ditë po i bëjnë shumica e udhëheqësve të institucioneve komunale. Por as përmes kërcënimeve, dhunës e shpifjeve të ulëta, që i bëjnë matrapazët tuaj, nuk mund të frikësoni askënd, e as ne, por përkundrazi për çdo ditë e më shumë po na inkurajoni dhe motivoni që të shtojmë edhe më tepër angazhimin tonë si forcë opozitare.