PDK: Luta po i shet grantet e donatorëve të Gjilanit
Gjilan – Komuna e Gjilanit shet viçat e fermës së shkollës së mesme të Agrobiznesit – donacion i DANIDËS (Danimarkës). Qeverisja komunale e drejtuar nga Lutfi Haziri, ka filluar ta bëjë edhe shitjen e granteve të donatorëve ndërkombëtar, të cilët ia kanë falur Gjilanit ato investime që janë bërë në interes të ngritjes profesionale në shkollën e mesme të Agrobiznesit thuhet në reagimin e PDK-së.
Investimet e bëra nga programi i shtetit të Danimarkës për mbështetjen e sektorit të Agrokulturës në Kosovë, komuna e Gjilanit ka përfituar grante në vlerë prej mbi një milion euro nga organizata DANIDA, e cila ka ndërtuar shkollën e re të mesme të Agrobiznesit, ngritjen e pemtarisë, ndërtimin e serave dhe të fermës, të pajisura edhe me kabinete e laboratorë për mësim praktik të nxënësve të kësaj shkolle.
Mirëpo Lutfi Haziri ka vendosur që ta mbyll fermën e kësaj shkolle dhe ka shpallur ankand publik për shitjen e 7 viqave dhe të një lope. Pra ai po i shet donacionet e qeverisë së Republikës së Danimarkës. Por sipas informacioneve zyrtare, drerjtoria për Zhvillim Ekonomik ka planifikuar edhe hapa të tjerë ndaj kësaj shkolle profesionale, e cila ka planifikuar që përmes Partneritetit Publiko Privat, të menaxhohen grantet e investuara dhe dhuruar për nxënësit e Gjilanit dhe rajonit.
Këto veprime të palejueshme të qeverisjes Haziri, po i rrezikojnë dhe largojnë donatorët e shumtë që ka pasur Gjilani për vite të tëra dhe në shumë projekte të rëndësishme që kanë investuar në dobi të qytetarëve të komunës dhe Anamoravës.
Nën menaxhimin e Lutës, Gjilani po falimenton, por jo vetëm bizneset private por edhe ndërmarrjet publike si dhe në këtë rast edhe fermën e një shkolle të mesme profesionale, të vetmen që e ka Gjilani dhe që askund tjetër nuk është në Kosovë thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/

