PDK: Kthimi në punë i Arbër Ismajlit është i jashtëligjshëm
Gjilan – Edhe pse për 5 muaj mungese në vendin e punës, zyrtari komunal Arbër Ismajli mori pagën e tij si “shef” i zyrës së kryetarit të komunës, ky veprim e dëmtoi buxhetin komunal për më shumë se dy mijë euro. Dhe kthimi i tij tani në vendin e punës është joprocedural dhe i jashtëligjshëm, sepse mos shkuarja e tij në vendin e tij të punës për kohë kaq të gjatë dhe pa asnjë arsyeshmëri apo ndonjë akti ligjor, që atij do t’ia mundësonte mos shkuarjen në punë, është rast i paprecedent dhe i dëmshëm për institucionet komunale të Gjilanit ka thënë Riad Rashiti këshilltar komunal nga PDK-ja.
Rashiti thotë se kryetari i komunës Lutfi Haziri i ka dhjetëra punëtor (administratë, shëndetësi dhe arsim) të cilët janë duke punuar për muaj të tërë nëpër institucione dhe ende nuk ka krijuar mundësi për ti paguar ata të cilët punojnë me orar të plotë të punës, ndërsa ka paguar për 5 muaj me pagë të plotë “shefin” e zyrës së tij.
“Ky veprim sa kundërligjor është edhe diskriminues, ku nuk paguhet ai/ajo që punon tërë ditën në komunë, ndërsa paguhet me normë të plotë zyrtari i cili fare nuk ka qenë në vendin e tij të punës dhe në anën tjetër ka bërë biznes në kompaninë e tij private. Diskriminim i madh është bërë dhe po bëhet ende ndaj zyrtarëve komunal të cilët Lutfi Haziri i largoi nga vendi i punës kur e mori pushtetin, vetëm pse ishin të një subjekti tjetër politik. Disa nga të cilët tek tani janë kthyer në vendet e punës pas proceseve të stërgjatura dhe vendimeve gjygjësore, e të cilat vendime u ekzekutuan vetëm me përmbarues, e disa të tjerë do të kthehen së shpejti në vendet e tyre të punës, sepse e drejta ligjore është në anën e tyre”.
Rashiti tha se këto veprime të kësaj qeverisje janë skandaloze, deri sa në vazhdimësi është thirrur në respektimin e ligjit në qeverisjen komunale, por ka ndodhur krejt e kundërta./rajonipress/


