Fidanishtja

PDK: Komuna e Gjilanit dhe mungesa e transparencës në shqyrtimin publik të planit zhvillimor komunal (2020 – 2028)

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Ashtu qysh edhe doli nga USAID me Indeksin e konkurrueshmërisë së komunave të Kosovës për vitin 2020, komuna e Gjilanit mbetet komunë e mbyllur për publikun dhe radhitet kah fundi i listës së 38 komunave të Kosovës për transparencë. Ose, thënë ndryshe, komuna e Gjilanit është nga komunat më të mira në “prodhimin e mjegullës” si produkt i domosdoshëm për ta mashtruar dhe për ta manipuluar qytetarin e saj thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan.

Reagimi i plotë i degës së PDK-së

Për ta ilustruar këtë po ndalemi kësaj here te shkeljet e rënda të procedurës gjatë shpalljes së shqyrtimit publik të draftit të PZHK të Gjilanit.

Në seancën e Kuvendit të Komunës (KK), të mbajtur me datë 24 korrik 2020, merret vendimi për organizimin e dëgjimit publik për Planin Zhvillimor Komunal (PZHK) 2020-2028. Nga anëtarët e Kuvendit Komunal, ky vendim merret pa qenë të njoftuar paraprakisht me materialin, siç është përcaktuar me nenin 43 paragrafi 3 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2015 për mbajtjen e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës.

Me datë 28 korrik 2020 (vetëm 4 ditë pas marrjes së vendimit), Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM), bënë njoftimin për shpalljen e shqyrtimit publik për Planin Zhvillimor Komunal të Gjilanit për Periudhën 2020-2028, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, respektivisht në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, si dhe nenin 8 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MMPH– Nr. 05/2014 për Përgjegjësitë e Autoritetit të Planifikimit Hapësinor si dhe Parimet dhe Procedurat për Pjesëmarrjen e Publikut në Planifikim Hapësinor, i cili përcakton se: “Njoftimi publik për projekt dokumentet e planifikimit hapësinor bëhet së paku tetë (8) ditë para hapjes së shqyrtimit publik dhe përmban:
2.1. vendin, ditën, kohën e fillimit dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit publik;
2.2. vendin dhe kohën e prezantimeve publike shtesë;
2.3. listën e dokumenteve të planifikimit të cilat do të cilat do të shqyrtohen nga publiku;
2.4. vegëzën elektronike për qasje në versionin digjital të dokumenteve të planifikimit hapësinor;
2.5. mënyrën dhe adresën elektronike të dërgimit të komenteve dhe sugjerimeve;
2.6. afatin brenda të cilit propozimet dhe vërejtjet me shkrim i paraqiten autoritetit përgjegjës;
2.7. referenca në parcelat e tokës të cilave do t’ju ndërrohet destinimi i shfrytëzimit me dokumentin e planifikimit hapësinor.
Nga e gjithë kjo shihet qartë se institucioni i komunës:
1. E shkel afatin ligjor me publikimin e njoftimit për shpalljen e shqyrtimit publik për Planin Zhvillimor Komunal dhe
2. Nga përmbajtja e njoftimit të publikuar shihet qartë se qytetarëve ju mohohen të drejtat e parapara në nenin 8 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MMPH– Nr. 05/2014. E në veçanti e drejta që të kenë qasje në versionin digjital të dokumentit të planifikimit hapësinor përmes vegëzës elektronike (sepse e kufizon këtë shqyrtim vetëm me prezantimin në ambientet DUPMM).

Fillimisht, Komuna e Gjilanit, para se të bëj publikimin e njoftimit për hapjen e shqyrtimit për Planin Zhvillimor Komunal, ka qenë e obliguar që:
1. Vendimin e nxjerrë nga KK me datë 24 Korrrik 2020, ta dërgojë për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministrinë e Pushtetit Lokal (MPL) në afat prej 7 ditësh nga nxjerrja e tij, siç përcaktohet me nenin 81 paragrafi 2, i Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale.
2. Pastaj, ligjshmëria e këtij vendimi do të shqyrtohej nga autoriteti mbikëqyrës- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) në afat pre 15 ditësh pas pranimit të tij nga njësia për administrimin e dokumenteve në ministri.

Fidanishtja

Nëse pas këtij afati MEA nuk i kthen përgjigjeje komunës përmes MPL (që do të thotë se vendimi është i rregullt), atëherë komuna e bën publikimin e vendimit për qytetarët e saj. Komuna e Gjilanit nuk e ka bërë fare publikimin e këtij vendimi e që na e bën qartë me dije sa e pakujdesshme dhe sa pak transparente është kjo komunë ndaj njerëzve që me besimin e votës i vendosën udhëheqësit e saj në pushtet. Për ta, afatet ligjore dhe procedurat aspak nuk janë të vlefshme.

Pjesëmarrja e publikut dhe e grupeve të ndryshme të interesit në diskutime (shqyrtime) për aspekte jetike për qytetarët, është me rëndësi të veçantë dhe i jep legjitimitet përmbylljes së proceseve në komuna dhe në nivelin nacional.

Cenimi i kësaj të drejte elementare të publikut të komunës është shkelje e rëndë ligjore dhe procedurale e që komuna e Gjilanit në këtë rast e bën duke mos e publikuar fare para qytetarëve vendimin e KK për shqyrtim publik të PZHK si një nga dokumentet më të rëndësishme për të gjitha zhvillimet në komunë për disa vitet e ardhshme. Komuna nuk e ofron as mundësinë e leximit digjital të draftit të këtij dokumenti e që paraqet hendikep të madh për secilin profesionist të kësaj fushe e le më për qytetarin e rëndomtë i cili, do të duhej të kishte komoditetin dhe kohën e duhur për ta lexuar dhe analizuar këtë dokument në qetësi në shtëpinë e tij.

Nga kjo që u tha këtu shihet qartë se ministritë e linjës të Qeverisë së Kosovës duhet të merren seriozisht me teket e drejtorëve të drejtorive komunale, të kryesueses së KK dhe të vet kryetarit të kësaj komune.

Nëse këto ministri vazhdojnë të heshtin dhe të mos veprojnë me mekanizmat e tyre të monitorimit, të kontrollit dhe pastaj të sanksionimit meritor atëherë voluntarizmi i zyrtarëve mund të na qojë lehtë në anarki dhe në degjenerim të qeverisjeve lokale siç edhe po ngjet me komunën e Gjilanit dhe me kryetarin e saj Lutfi Hazirin.
Fjala e urtë thotë: “Kur macja nuk është në shtëpi, minjtë luajnë valle nëpët të…”!