PDK kërkon riformatim substancial – LDK heziton
Riformatimi i Qeverisë i proklamuar muaj më parë nga kryeministri Isa Mustafa ende po përfundon, për shkak të pakënaqësive brendapartiake për ndërrimin e emrave.
Burime të Indeksonline brenda kabinetit qeveritar kanë bërë të ditur se lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tashmë ia ka dorëzuar partnerit të koalicionit emrat e ministrave të rinj të Minitrisë së Intergimeve Evropiane dhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, por kryeministri Isa Mustafa ende nuk e ka kryer pjesën e ndërrimeve të ministrave të LDK-së.
Po ashtu, Indeksonline ka mësuar se udhëheqësi i koalicionit qeveritar, Veseli i ka kërkuar kryeministrit Mustafa që të shikojnë mundësinë e një riformatimin substancial në qeverisje, por LDK nuk po mund të kalojë në Kryesi të saj propozime për ndryshime të mëdha.
“Kryetari Veseli i ka kërkuar Mustafës që të ulen dhe të bëjnë riformatim të plotë dhe i ka propozuar shuarjen e disa ministrive për të zvogëluar kabinetin e madh qeveritar për disa ministri më pak. Por kreu i LDK-së ka thënë se në këtë fazë nuk mund të bëjë reformë të madhe për shkak të pakënaqësive brenda partisë”, tha një burim i Indeksonline brenda Qeverisë.
Mësohet se tanimë riformatimi ka mbetur të kryhet nga kryeministri Isa Mustafa, nga i cili PDK ka kërkuar ose të ulen e të bëjnë reformë të madhe, ose të emërojë ministrat e posteve vakante deri të hënën e javës së ardhshme. /Indeksonline/


