PDK kërkon hetime nga Prokuroria për komunën e Gjilanit

Gjilan – Nuk është hera e parë që ne si opozitë i ngrisim çështjet shqetësuese, lidhur me atë se komuna e Gjilanit po i shkel të gjitha procedurat, rregulloret dhe ligjet e Republikës së Kosovës për shumë çështje që kanë të bëjnë me aktivitetet e ndryshme institucionale në komunë thotë Riad Rashiti.
Riad Rashiti thotë se rasti i fundit, i dhënies së tenderit një kompanie pas kryerjes së punimeve është shkelje shumë serioze dhe e rëndë e ligjit të prokurimit, për të cilën ne si opozitë kërkojmë nga prokuroria që menjëherë të fillojë hetimet për këtë rast e cila është vepër e rëndë penale, e bërë nga zyra e prokurimit në Gjilan.
Sipas informacioneve tona si dhe në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës (KRPP), është shpallur njoftimi për aktivitetin e prokurimit nga komuna e Gjilanit, lidhur me dhënien e tenderit me numër të prokurimit Gi 651 14040136, për “Furnizimi dhe montimi i gurëve skajor në rrugicat brenda varrezave të qytetit” në shumën prej 9,855.00 euro.
Ndërsa ky njoftim sipas Rashitit nuk është bërë fare në faqen zyrtare të komunës së Gjilanit, krejt kjo me qëllim të fshehjes së informatave lidhur me aktivitetet e shumta të prokurimit që janë duke u bërë në këtë kohë të fushatës paraelektorale, e të cilat po realizohen duke shkelur të gjitha procedurat dhe ligjin e prokurimit të Kosovës, sikurse në këtë rast.
Në këtë njoftim zyrtar për dhënien e tenderit kompanisë “EL-BAU” Sh.p.k. Gjilan, theksohet se data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës është 23 maj 2014, ndërsa nga gjendja në teren dhe vizita të cilën e kemi bërë më date 19 maj 2014 (bashkangjitur fotot e bëra) shihet qartë se të gjitha punët kanë përfunduar aty, pa u nënshkruar kontrata për kryerjen e punës në mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë së shpallur fituese e këtij tenderi. Andaj kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një rast që duhet menjëherë të fillojnë hetimet nga prokuroria e Gjilanit.
Po ashtu një projekt i kësaj natyre, të jepet përmes formës së kuotimit nga zyra e prokurimit është e pa arsyeshme, sepse nuk është paraparë që njëkohësisht të kryhet edhe asfaltimi i rrugës, i cili duhet të realizohet sipas projektit final, por është tenderuar përmes kuotimit, vetëm furnizimi dhe montimi i gurëve skajor në këtë rrugë brenda varrezave të qytetit. Dhe shuma prej 9,855.00 euro vetëm për këtë punë është shumë tepër e lartë. Poashtu sipas informacioneve tona nuk është vetëm ky projekt që është dhënë përmes formës së kuotimit, ku po keqpërdoret edhe buxheti i komunës së Gjilanit, por janë dhënë dhjetëra tenderë tjerë me shuma deri në vlerë prej 10 mijë euro ka sqaruar Rashiti.
“Kjo është qeverisja “profesionale” LDK-AAK dhe me duar të pastra e kryetarit të Gjilanit, i cili para pak kohe ka shkarkuar pa asnjë arsye të vetme, menaxherin e zyrës së prokurimit dhe menaxherin e zyrës së projekteve, duke vendosur kuadro të pakualifikuara të LDK-së në këto pozita me qëllim të krijimit të kushteve, hapësirës dhe mundësisë për të keqpërdorur buxhetin e komunës së Gjilanit, duke shkelur të gjitha procedurat ligjore të prokurimit” ka shtuar Rashiti.
Andaj, ne i kërkojmë publikisht prokurorisë së Gjilanit, që të angazhohet urgjentisht për grumbullimin e fakteve dhe dëshmive për të kryer punën e saj profesionale, në mënyrë që të ngritet kallëzim penal ndaj përgjegjësve dhe shkelësve të ligjit për t`i sjellur para drejtësisë. Ndërkohë duhet që edhe auditimi të angazhohet ndaj këtij rasti dhe rasteve tjera për të cilat janë kryer procedurat e prokurimit përmes formës së kuotimit ka thënë Riad Rashiti, Këshilltar Komunal në Gjilan, nga radhët e PDK-së./rajonipress/