PDK: Kërkojmë ndërtimin e një Aeroporti për Gjilanin

Gjilan – Gjilani si qendër e Anamoravës më shumë se kurrë tani ka nevojë për ndërtimin e një Aeroporti Ndërkombëtar, projekt i cili edhe mund të realizohet duke pasur parasysh se ekzistojnë parakushtet, duke u bazuar në ish-Aeroportin Bujqësor të Gjilanit. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Gjilanit në një formë do ta kursente projektin e ndërtimit të autostradës së kërkuar kamotshëm nga qytetarët e Anamoravës, por do ta kursente edhe projektin e ndërtimit të Zonës Ekonomike, që ka qenë domosdoshmëri për një zhvillim ekonomik lokal dhe rajonal, shprehet Riad Rashiti nga kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.
Ndërtimi i Aeroportit të ri të Gjilanit (vendi i aeroportit është propozuar si ide që të ndërtohet në fshatin Llovcë në trekëndëshin Gjilan-Preshevë-Kumanovë), do të kishte shumë efekte pozitive në zhvillimin e rajonit të Anamoravës, e në veçanti do t’ia lehtësonte udhëtimet turistike kryetarit të Gjilanit Lutfi Hazirit, i cili më shumë po rri “N’hava” duke shëtitur jashtë vendit me “Ballon”, se sa nëpër rrugët e Gjilanit që janë shndërruar në përroska dhe ku qarkullimi në to, tani mund të bëhet vetëm me qerre e katër kuaj. E pastaj do të mund të ruhej edhe më tutje kjo gjendje në rrugët e Gjilanit, për ta kujtuar kohën e gurit.
Viti 2015 për Lutfi Hazirin ishte me agjendë të jashtëzakonshme dhe të ngjeshur, por me kosto të lartë financiare, ku për vizitat e tij turistike jashtë vendit ai shpenzoi mbi 40 mijë euro, para të inkasuara nga xhepi i varfër i qytetarit të Gjilanit, të cilët janë duke paguar më së shumti tatime dhe taksa në nivel të vendit, të Republikës së Kosovës.
Vetëm për bileta të “Ballonit” Luta i harxhoi mbi 17 mijë euro për ta vizituar Amerikën, Kanadën, Zvicrrën, Vjenën dhe vendet tjera të ndryshme, bashkë me disa zyrtarë komunal që shpenzuan ekstra buxhet për ndërrimin e biletave, në mënyrë që të vazhdojnë vizitat e tyre te Dajt dhe Tezet që kanë “rastisur” ti kenë në ato vende ku ishin këta zyrtarë komunal.
Për mëditje Luta shpenzoi 7,594.67 euro, ndërsa ai personalisht përfitoi nga buxheti i komunës mbi 4,236.01 euro vetëm për vitin 2015, që do të thotë se ai mesatarisht mori edhe nga një pagë ekstra mujore. Edhe nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu përfitoi 1,458.24 euro vetëm në emër të mëditjeve, pa i përfshirë biletat e tij të udhëtimit dhe të shpenzimeve tjera të akomodimit. Ndërsa Kryesuesja e Kuvendit Komunal e kishte kursyer buxhetin komunal edhe pse kishte realizuar disa udhëtime jashtë vendit, mirëpo nuk ka përfituar nga mëditjet të cilat i kanë takuar sikurse kryetarit dhe nënkryetarit të komunës.
Përveç shpenzimit për bileta dhe mëditje, kryetari i Gjilanit ka shpenzuar edhe 6,147.71 euro për ekstra luks shpenzime nëpër hotelet evropiane, për akomodim dhe shoping me kredit kartelë të buxhetit të komunës, pra jo me buxhet personal apo nga mëditjet e përfituara, por ekstra shpenzime të buxhetit komunal.
Nga të gjitha këto vizita jashtë vendit të kryetarit të komunës, asgjë e vetme nuk ka qenë në interes të qytetarit të Gjilanit, asnjë e arritur pozitive nuk ka ndodhë për këto dy vite,nga vizitat e tij turistike që i ka realizuar Luta, sepse që të gjitha ishin vizita të kota.
Edhe sot, prapë Luta është nisur për kurbet, në Amerikë për “Lutjet e Mëngjesit” por me xhepin plotë dhe kredit kartelën plotë nga buxheti i komunës. Gjatë lutjeve që do t`i bëjë Luta në Amerikë, besojmë se edhe qytetarët e Gjilanit do të luten për Lutën, që këtë vit të shkojë edhe ai “Haxhillëk” në Meke, sepse vërtet ai e meriton këtë. Edhe nuk përjashtohet mundësia që ai të realizojë edhe ndonjë takim me “Sheikët” e pasur të Arabisë Saudite, për të sjellë shumë investime në Gjilan ka thënë Riad Rashiti, Anëtar i kryesisë së degës së PDK-së./rajonipress/