Eko Higjiena

PDK-ja e gatshme edhe për zgjedhje, Blloku jo

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

​Zyrtarët e PDK-së i shohin si opsion edhe zgjedhjet e reja, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi politik. Kurse zyrtarët e koalicionit LAN thonë se vendi ka shumicën për të formuar institucionet dhe zgjedhjet janë të panevojshme.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë për “Epokën e re” se subjekti i tyre politik nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, por është e gatshme edhe për këtë variant. “PDK-ja nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhe të reja, sepse tashmë qytetari i Kosovës është lodhur duke mbajtur zgjedhje pas zgjedhjesh. Është hera pestë që qytetari i Kosovës po e rikonfirmon mbështetjen që ka për PDK-në, për punën e mirë që ka bërë deri më tash në qeverisje. Jam i sigurt se edhe nëse shkohet në zgjedhje blloku bllokues do ta marrë atë që meriton – goditjen me votë të qytetarëve të Kosovës. Pra, nëse shkojmë në zgjedhje, jam shumë i sigurt se PDK-ja do të korrë një fitore të thellë dhe bindëse”, ka deklaruar Grabovci.

Kurse i nominuari i bllokut të koalicionit LDK-AAK-Nisma (LAN) për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, pasi ka shumicën që mund t’i formojë institucionet. “Nuk bëhet fjalë për zgjedhje, nuk shkohet në zgjedhje kur ka njerëz të zgjedhur dhe mund t’i ndërtojnë institucionet. Parlamenti i Kosovës në parlamentarizëm ka mundësi t’i ndërtojë institucionet. E vetmja gjë që është pengesë për këtë rrugë është PDK-ja, e cila nuk arrin t’i ndërtojë institucionet, jo për se nuk i kishte dhënë pushtet ndonjërit nga ne, i kishin dhënë më shumë, por për shkak të mënyrës se si e ka qeverisur vendin nuk dëshiron askush të asociohet me atë mënyrë të qeverisjes. Në momentin që ata e kuptojnë këtë, Kosova i ndërton institucionet”, deklaruar Haradinaj në takimin fundit që pati me liderin e LDK-së Isa Mustafa dhe atë të Nismës, Famir Limaj.

UBT

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka deklaruar për “Epokën e re”, se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të jetë sfiduese.

Ajo e ka vlerësuar të pakëndshëm organizimin e zgjedhjeve çdo tre ose katër muaj. Daka ka thënë se zgjedhjet e njëpasnjëshme, përveçse janë sfiduese, bartin edhe rreziqe të ndryshme. Megjithatë, ajo ka thënë se sa herë që shpallen zgjedhjet KQZ-ja do t’i organizojë siç parashihen në Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Sipas Dakës, cilësia e zgjedhjeve nuk varet vetëm nga KQZ-ja, por nga të gjitha palët e implikuara në këtë proces.