PDK i përgjigjet Kurtit: Pushteti ndërrohet me votë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i PDK-së, ndaj deklaratës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili sot tha Blloku VLAN do t’i formojë institucionet dhe se nëse është nevoja do ta largojnë PDK-në nga pushteti qoftë edhe me protesta.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se ka kaluar koha e anarkisë dhe pushteti në demokraci ndërrohet me vota e jo përmes dhunës dhe rrugës. Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk lejojnë dhe as nuk i përgjigjen askujt për të marrë pushtetin me dhunë.
“Jam i sigurt se qytetarët nuk do t’i përgjigjen dhunës dhe asnjë zgjidhje përmes rrugëve”, ka thënë Pajaziti, për Express, të dielën.
“Patjetër, është thirrje për anarki. Nuk do të lejojmë që vendi të shkojë në anarki”, ka shtuar ai.
Lideri i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, sot në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka thënë se “Neve na intereson demokracia dhe na intereson sovraniteti. Mënyrat për të ndërhyrë qytetarët, janë ato që dihen: protestat dhe demonstratat”.
“Mënyrat për të ndërhyrë ne, si Lëvizje Vetëvendosje, janë duke e bindur koalicionin LAN që të konstituojë Kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, Zenun Pajaziti, thotë se para se të mendohen zgjidhjet përmes rrugëve duhet secili të mendojë për zgjidhje ligjore dhe kushtetuese.
“Këtij vendi duhet t’i japim zgjidhje ligjore dhe Kushtetuese. I gjithë komunitetit duhet të jetë i përgjegjshëm për t’i dhënë zgjidhje vendit. Sa i përket dhunës, ku vend ka përjetuar situata të vështira dhe ka kaluar koha kur me dhunë janë ndërruar pushtetet”, ka thënë ai.
Ndërkohë, nga zgjedhjet e 8 qershorit, vendi vazhdon të jetë në bllokadë institucionale si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë.