PDK i gëzohet ndërrimit të liderit
Partia Demokratike e Kosovës po e quan të suksesshëm dhe model për partitë tjera ndërrimin e kryetarit të tyre në mënyrë të natyrshme dhe jo sikurse partitë tjera. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thumbuar partitë tjera, duke thënë se përderisa një parti ka ndërruar kryetarin me karrige, një tjetër nuk e ka ndërruar që nga themelimi, e një tjetër parti dikë tjetër e ka kryetar real, e dikë tjetër formal.
“Duke ditur se PDK-ja është organizata politike numër një në vend, ajo që më së shumti e ka karakterizuar gjithnjë këtë periudhë, në kuadër të gjithë kësaj ecurie, është tranzicioni demokratik, modern, i natyrshëm, i qetë dhe triumfues nga njëri kryetar te një kryetar tjetër, kryetari i ri i PDK-së”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se kalimi i kësaj faze përbën një shembull të shkëlqyer dhe një model reference edhe për subjektet e tjera politike. “Konsiderojmë se PDK-ja edhe në këtë aspekt ka ngritur për një nivel më lart standardet në kuadër të demokracisë në vendin tonë dhe vetëm brenda dy muajve ka dhënë dy shembuj të tillë, pra të tranzicionit demokratik dhe modern, atë të presidencës si një tranzicion institucional dhe këtë të kryetarit të PDK-së si një shembull organizacional dhe partiak”, është shprehur ai.
Sipas Stavilecit, edhe pse Veseli nuk ka pasur kundërkandidat kjo nuk do të thotë se zgjedhja e tij nuk është demokratike, pasi për të kandiduar për kryetar të PDK-së secili anëtar i interesuar ka pasur kohë deri në momentin kur Veseli u është drejtuar delegatëve në konventë.
Stavileci, në këtë konferencë ka folur edhe për riformatizimin e Qeverisë, për të cilin ka thënë se nuk është asgjë me urgjencë, por është proces i vazhdueshëm që Qeveria të ketë sa më shumë suksese. “Për sa i takon koalicionit qeverisës dhe mundësive të ndryshme të riformatizimit nuk është ndonjë urgjencë. Pra, për këtë punë sigurisht se kryetari Veseli së bashku me kryetarin e partisë tjetër, me kryeministrin me të cilët jemi në koalicion dhe subjektet tjera, nuk është se vetëm brenda një dite apo brenda një akti do të bisedojnë për çështje të rëndësishme sa i takon koalicionit. Por, ky është një proces i vazhdueshëm dhe sigurisht që kohë pas kohe, vazhdimisht do të ketë rifreskime”, ka thënë Stavileci. /zeri/


