Eko Higjiena

PDK e ka skenarin e formimit të Qeverisë, përmes votimit të fshehtë

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi nuk do të dorëzohet. Edhe pse të gjitha partitë shqiptare ia kanë bërë “bllok”, duke mos ia dhënë mundësinë PDK-së që as të mos mund të negociojë me të për formimin e qeverisë së re, megjithatë partia e Hashim Thaçit e ka menduar një skenar shumë të përsosur se si ta formoj qeverinë.

Burime mirë të informuara brenda PDK-së kanë thënë se PDK e ka gati një skenar se si do të mund ta formojë qeverinë e re.

“Ju e dini se Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë të drejtën PDK-së që ta formoj qeverinë. Ne brenda këtij afati i kemi disa skenarë se si ta formojmë qeverinë, por skenari më i realizueshëm është ai që në seancën për formimin e qeverisë të shkohet përmes votimit të fshehtë”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Punës e Kuvendit e lejon mundësinë që edhe zgjedhja e qeverisë të bëhet me votim të fshehtë.

“Votimi do të jetë i fshehtë dhe do ta shihni se do t’i kemi numrat e mjaftueshëm për ta formuar qeverinë”, ka thënë burimi.

PDK-ja së bashku me partitë partnere që kanë garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit ka dalë partia e parë me 30 për qind.

Ky koalicion në Kuvend i ka 37 deputetë dhe nëse PDK-në e mbështesin edhe 20 deputetët minoritar, atëherë PDK do t’i kishte 57 deputetë. Megjithatë, nuk do të mjaftonin sa për ta formuar qeverinë, sepse nevojiten të paktën 61 deputetë.

Sipas këtij burimi, PDK po synon që përmes skenarit me votimit të fshehtë t’i siguroj të paktën edhe 5-6 vota, dhe kësisoj ta formojë qeverinë.

Uji Dea

“Përmes votimit të fshehtë, disa deputetë nga LDK, pa përjashtuar edhe të ndonjë partie tjetër, do të votonin për formimin e qeverisë së re”, ka thënë.

Ndërkohë, dje në një bisedë për këtë gazetë nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se partia e tij ka gjasa ta formojë qeverinë e re.

“PDK-së i takon mandatari për formimin e qeverisë. I kemi 15 ditë kohë ta bëjmë atë. Pra, do të hyjmë në procedurë, dhe kush thotë që nuk do t’i bëjmë numrat, pa hyrë në procedurë, pa e provuar”, ka thënë ai.

Ndërkohë, që nga paslufta votimi në Kuvend i të gjitha qeverive është bërë me aklamacion, për faktin se shumica është arritur me marrëveshje ndërmjet partive politike, dhe çështja e votimit të qeverisë ka qenë vetëm një formalitet.

Në zgjedhjet e 8 qershorit PDK edhe pse ka dalë partia e parë, të gjitha partitë shqiptare janë bashkuar, duke mos i dhënë mundësi partisë së Hashim Thaçit që ta formoj qeverinë.

Duke e pasur parasysh këtë situatë, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen se kujt i takon mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese si mandatar të parë e ka emëruar PDK-në, e cila i ka 15 ditë kohë ta formoj qeverinë.

Në rast se brenda 15 ditësh nuk do të arrij ta formoj atë, atëherë presidentja do ta nominoj një kandidat tjetër për formimin e qeverisë. /Gazeta Blic/