Fundamenti

PDK dhe LDK në “luftë” për dominim

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Pas arritjes së marrëveshjes për koalicion mes PDK-së dhe LDK-së të dy këto parti akoma nuk i kanë ndarë postet ministrore.

Analistët politik vlerësojnë se këto dy parti do të zhvillojnë garë të fortë për dominim në qeverinë e ardhshme. Prandaj sipas tyre, këto dy parti politike janë duke bërë përpjeke që të marrin ministritë më të rëndësishme.

Publicisti, Halil Matoshi, ka thënë për “Zërin” se PDK-ja do të tentojë që ministritë të cilat kanë buxhet më të madh t’i mbajë për vete, kurse ministritë më pak të rëndësishme t’ia japë LDK-së.

Madje sipas tij, partia e Isa Mustafës është në situatë më të pafavorshme karshi PDK-së, prandaj sipas Matoshit, LDK-ja do të pranojë çfarëdo që i ofrohet.

“Sigurisht se ministritë apo dikasteret më pak të rëndësishme do të tentohet që t’i lihen LDK-së, pra vullneti i PDK-së do të jetë që ministritë me buxhet më të vogël t’i mbesin LDK-së, sepse paraja është mbi të gjitha ajo që e shtyn PDK-në në këtë luftë të paskrupullt për pushtet dhe dominim shoqëror. Ndërsa LDK-ja nuk është në pozicion që të këmbëngulë për diçka, që të diktojë kushte, ajo do të pranojë absolutisht gjithçka që i ofrohet nga ana e PDK-së”, ka vlerësuar Matoshi.

Sipas tij, Qeveria e re edhe pse e drejtuar nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, do të jetë e dominuar dhe e kontrolluar nga PDK-ja.

Mobi Casa

“Konsideroj se tërë qeveria e koalicionit PDK-LDK do të jetë e dominuar dhe e kontrolluar prej PDK-së, jo vetëm pse është partneri më i madh i koalicionit, por se praktikisht PDK-ja sundon me të gjitha segmentet e shtetit, përkatësisht është shndërruar në parti shtet dhe përmes kapjes së shtetit ajo do ta kontrollojë edhe Qeverinë e drejtuar nominalisht nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa”, ka përfunduar Matoshi.

Edhe analisti, Artan Muhaxhiri e ka vlerësuar si shumë komplekse qeverinë e ardhshme, pasi sipas tij suksesi i qeverisë se re do të varet nga vullneti i PDK-së.

“Kështu që pesha e të dy partive do të varet nga ministritë që i marrin, por edhe nga roli i Isa Mustafës si kryeministër, ndërsa Hashim Thaçi duhet të mos i ndërhyjë kryeministrit në punët e tij. Mirëpo e tërë kjo situatë është shumë komplekse dhe balancet janë shumë delikate, prandaj kërkohet një vullnet shumë i mirë ndërmjet e të dy partive për të pasur sukses kjo qeveri”, ka thënë Muhaxhiri për “Zëri”.

Sipas tij garë e fort ndërmjet këtyre dy partive është duke u zhvilluar edhe për marrjen e disa ministrive më të rëndësishme.

“Se çfarë ndikimi do të kenë këto dy parti varet shumë nga lloji i ministrive që do t’i marrinë ato, edhe pse nominalisht janë të të barabarta, mirëpo disa ministri kanë më tepër ndikim politik dhe praktik në jetën e qytetarëve”, ka shtuar Muhaxhiri.