PDK barazohet me LDK-në në Kuvend
Partia Demokratike e Kosovës nuk mund të mburret se është forca më e madhe parlamentare. Nga e premtja, vendin e parë e ndan me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës ia pati marrë primatin në zgjedhjet e vitit 2007.
Pas Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt e Haxhi Shalës, së fundmi nga PDK-ja është larguar edhe deputetja nga Ferizaj, Lumnije Morina. Lëvizja e kësaj të fundit ka bërë që brenda një viti, partia e Thaçit të mbetet në vetëm 29 deputetë nga gjithsej 33 sa i ka pasur më herët.
Mirëpo edhe në përbërjen aktuale të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka deputetë të cilët kanë shfaqur hapur mospajtime me funksionimin e partisë, pavarësisht që nuk e kanë zyrtarizuar largimin.
Njëri nga ta është Hydajet Hyseni, i cili sa herë që është pyetur, nuk e ka mohuar e as pohuar largimin, ndonëse nuk ka dashur të flasë për të ardhmen e tij politike. Në anën tjetër, partia e Isa Mustafës në zgjedhjet e fundit lokale, më 3 nëntor kishte sjellë në radhët e veta edhe dy deputetë, Muhamet Mustafën dhe Alma Lamën, duke e çuar kështu në 29 numrin e deputetëve të kësaj partie…(Tribuna).


