PDK akuzon Kurtin për mos punë: Nuk solli asgjë të re as në dialog

/ 4 minuta lexim

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka adresuar një sërë kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me dialogun me Serbinë. Ai thotë se kreu qeveritar s’ka sjellë asgjë të re në dialog, përkundër që ka proklamuar se do të fillojë një etapë e re.

Tahiri kërkon nga ekzekutivi që të fokusohet tek njohja reciproke, mirëpo e rëndësishme, sipas tij është edhe ulësja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Kryeministri Kurti që nga fillimi është munduar të proklamojë se po fillon një etapë e re e dialogut. Nuk është ajo çka ka ndodhur për dhjetë vite, pasi ky pretendonte vazhdimisht se po fillonte një etapë e re, por realisht s’kemi pa asgjë më shumë se sa vazhdimësi e dialogut që ka ndodhur më herët. Ju e dini se Qeveria Kurti ka qenë e fokusuar në hartimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji, e para. E dyta, tashmë çështja e kartave të identitetit që është një vazhdimësi e një marrëveshjeje të mëhershme, qoftë ajo e targave që lidhet me reciprocitetin. Krejt energjia shkon për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më herët, nuk ka asgjë të re që kryeministri Kurti e ka sjell në dialog”, thotë ai.

Sipas tij, kjo është e rëndësishme në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që mos të lëvizet nga ajo që është thënë më herët, qoftë në nivelet më të larta, siç është ShBA, apo në kuadër të shteteve të QUINT-it, ku të gjithë kanë kërkuar që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, apo për neve që është e rëndësishme, anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Përmbyllja e fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar si shtet arrijnë atëherë kur ne anëtarësohemi në OKB. Në fund të ditës a na njeh Serbia, apo nuk na njeh është më pak e rëndësishme se sa është e rëndësishme ulësja jonë në OKB, pasi atëherë do të jemi pjesë e gjitha mekanizmave ndërkombëtarë, agjencive ndërkombëtare, qofshin ato si Interpoli, Europoli, UNESCO, e shumë të tjera”, shton Tahiri.

RCCOLA

Tahiri shprehet kritik ndaj Qeverisë së Kosovës edhe për mungesë të punës, e cila, sipas tij po reflekton direkt edhe në legjislativ. Ai thotë se ka papërgjegjësi nga mazhoranca edhe sa i përket caktimit të seancave plenare.

“Hera e dytë që nuk ka kuorum, përfaqësuesit e opozitës janë prezentë, por në anën tjetër edhe po të kishte kuorum ne materiale nuk kemi… pasi ju e dini se sponzorizuesi kryesor i ligjeve, politikave që vinë në Kuvendin e Kosovës është Qeveria. Mungesa e punës në Qeveri reflekton direkt në Kuvend”, thotë ai.

Krahas kësaj, ai tha se opozita dhe sidomos PDK-ja do të jetë aktive në Kuvend, përmes debateve parlamentare dhe interpelancave.

“Debatet parlamentare, interpelancat, iniciativat e opozitës nuk do të mungojnë, mirëpo ajo që është e rëndësishme është puna e qeverisë, projektligjet që i sjell qeveria të cilat në fund të ditës vijnë dhe debatohen në Kuvend, por po duket se do të jetë shumë plogësht”, përfundon ai.

Mungesa e kuorumit ka qenë një kritikë që e ka shoqëruar legjislativin aktual. Plot 699 herë kanë munguar deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancave plenare në gjashtë muajt e parë të vitit 2022. Kjo ka bërë që 23 seanca plenare të dështojnë në mungesë kuorumi në sesionin pranveror të legjislativit