Uji Dea

PDK: Abuzime të mëdha në komunën e Gjilanit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në Gjilan janë duke u bërë abuzime të mëdha në sektorin e ndërtimit nga ana e Inspeksionit dhe Urbanizmit, duke lejuar ndërtime jashtëzakonisht të shumta kudo nëpër qytet, pa asnjë leje ndërtimore dhe jashtë planit rregullues urbanistik kanë thënë këshilltarët komunal të PDK-së.

Riad Rashiti këshilltar komunal nga PDK-ja tha se aktualisht në qytetin e Gjilanit ne i kemi identifikuar mbi 55 objekte të cilat janë duke u ndërtuar pa leje ndërtimore nga Urbanizmi, me një sipërfaqe rreth 45 mijë m/2 të destinuara për banim dhe lokale afariste. Ky zhvillim i ndërtimeve ilegale po e dëmton buxhetin komunal të këtij viti në vlerë prej më së paku 176 mijë euro.

“Kjo gjendje është e papranueshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme që po i ndodhë komunës së Gjilanit sot, duke u shkatërruar dhe shëmtuar pamja e qendrës së qytetit, po zhvlerësohen të gjitha planet rregulluese urbanistike në të cilat është investuar dhe shpenzuar mjaft shumë në vitet e kaluara nga qeverisja e PDK-së, po dëmtohet jashtëzakonisht shumë buxheti komunal përmes korrupsionit i cili është bërë dukuri në këtë vit në disa nga institucionet e komunës në Gjilan. Janë duke u bërë falsifikime të dokumentacionit nga ana e Inspeksionit, ku kemi raste që një leje ndërtimore, po shfrytëzohet nga më shumë se një investitorë” ka thënë Rashiti.

Fundamenti

Rashiti ka shtuar se është interesant fakti, që të gjitha këto zhvillime shkatërruese që po ndodhin mu në qendër të qyteti, janë shumë afër zyrës së kryetarit të komunës dhe përballë shtëpisë së Lutfi Hazirit. Dhe deri më tani nuk është marr asnjë veprim për të parandaluar dhe penguar këtë valë të jashtëzakonshme të ndërtimeve pa leje që po ndodhin muajve të fundit në qytetin e Gjilanit.

“Lutfi Haziri po i fton jaranët nga Prishtina që të vijnë në Gjilan, për të ndërtuar edhe pa leje ndërtimore, sepse atje Shpend Ahmeti ia ka pamundësuar një gjë të tillë. Për të argumentuar se këto objekte ndërtimore janë duke u ndërtuar pa leje, ne kemi marr përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Urbanizmit, e cila ka vërtetuar se objektet kolektive (të paraqitura në foto) që po ndërtohen në qendër të qytetit të Gjilanit, nuk janë pajisur me leje ndërtimore dhe nuk kanë aplikuar fare për të ndërtuar legalisht sipas kushteve urbanistike”.

Ndërsa Drejtoria e Inspeksionit sipas Rasshitit deri më tani nuk ka marr asnjë veprim për të penguar apo rrënuar këto ndërtime të cilat me të madhe po ndodhin sot në qendër të qytetit. “Dhe krejt kjo që po ndodhë është duke u lejuar nga i pari i komunës së Gjilanit, i cili është përgjegjës kryesor për këtë gjendje e cila po e shkatërron pamjen e qytetit. Këto mosveprime të institucioneve komunale dhe abuzimet të cilat po ndodhin nga zyrtarët komunal të Gjilanit, tani është duke i hetuar edhe Policia e Kosovës, njësia për krime të rënda ekonomike, e cila është duke intervistuar përgjegjësit të cilët po lejojnë këto ndërtime të pa leje” ka thënë Rashiti./rajonipress/