PD paralajmëron prishje të koalicionit me AKR-në

Partia e Drejtësisë po shqyrton mundësinë e daljes nga koalicioni që ka me Aleancën Kosova e Re, si pasoj e pakënaqësisë me ndarjen e posteve në Qeverinë e Kosovës.
Drejtues të PD-së thonë se këto ditë do ta ftojnë partnerin e koalicionit AKR-në që ta mbajnë një mbledhje urgjente mes dy kryesive të dy partive dhe nëse nuk reflektojnë në dhënien e dy posteve të zëvendësministrave që i kanë kërkuar, atëherë do të dalin nga grupi parlamentar i KKR-së dhe do ta formojnë një grup të ri parlamentar.
Deputeti i Partisë së Drejtësisë Jeton Svirca, për Kosovapress ka thënë se në fillim kur kanë bërë marrëveshje parazgjedhore me AKR-në ia kanë lënë liderit të saj Behgjet Pacolli, që t’i përfaqësoj interesat e PD-së në përfaqësimin në qeveri dhe zbatimit të programit të saj, por, sipas tij, kjo nuk po ndodh nga ai, meqë ka një kohë që i kanë kërkuar edhe dy poste të zëvendësministrave e që ende nuk janë dhënë.
“Ne do të kërkojmë nga AKR-ja që sa më shpejt ta mbajmë një mbledhje mes dy kryesive të dy partive ku do ta shqyrtojmë këtë situatë dhe në rast se nuk ka reflektim, atëherë ne do të dalim edhe nga Koalicioni për Kosovë të Re, si hap të parë duke vazhduar pastaj me hapa të tjerë për të themeluar një grup parlamentar dhe për të kërkuar një marrëveshje të re me kryeministrin e vendit që PD-ja të jetë më e përfaqësuar në institucione dhe programi i saj të kihet parasysh”, ka thënë deputeti Svirca.
Ai ka shtuar se kërkesa për mbledhje të dy kryesive i është dërguar sot kryetarit të AKR-së, njëherësh zëvendëskryeministrit të parë, Behxhet Pacolli.
Të propozuari e PD-së për zëvendësministra kanë qenë nënkryetari i saj Abdullah Klinaku, për Ministrinë e Diasporës dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Feti Mehdiu ka qenë i propozuar për Ministrin e Kulturës dhe Ministrin e Jashtme.
Ndërsa, në anën tjetër zyrtarë të Aleancës Kosova e Re, të Behgjet Pacollit nuk besojnë që do të vijnë deri te largimi i PD-së nga koalicioni që e kanë.
Deputetja e AKR-së, Suzanë Novobërdaliu ka thënë se ata nuk janë aty t’i përfaqësojnë interesat e PD-së, pasi ata i përfaqësojnë interesat e veta dhe janë në Kuvend për t’i përfaqësuar interesat e veta.
“Po. Ashtu kanë thënë, por unë nuk besoj se do të vije deri aty sepse kemi hyrë në një rrugë të përbashkët qysh nga fillimi, nga zgjedhjet, dhe kjo rrugë besoj se do të vazhdoj dhe nuk do të vije deri të largimi, por do të arrihet një marrëveshje mes liderëve të dy partive, Aganit dhe Pacollit”, ka pohuar deputetja Novobërdaliu.
E përfaqësues të qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë probleme me partnerët e koalicionit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se nuk kanë shqetësime partnerët e koalicionit dhe se ata nuk punojnë me kushtëzime.
“Ne kemi partneritet të mirë me të gjithë. Kryeministri i rregullon raportet. Nuk e ka asnjë shqetësim në këtë drejtim as koalicioni as partnerët. Partnerët nuk bashkëpunojnë me kushtëzime por me marrëveshje”, ka thënë Kuçi.
Në riformatimin e bërë javë me parë nga kryeministri Hashim Thaçi, AKR-ja ka marrë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, në të cilën është emruar Fadil Ismaili si dhe një zëvendësministër, ndërsa, përkundër kërkesës dhe premtimeve për dy poste të zëvendësministrave, PD-ja nuk ka marrë asnjë post në qeveri nga ky riformatizim./Kosovapress/