Fundamenti

Pazarllëk me arrestime

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Oliver Ivanovic, ish kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicë Veriore është viktima e radhës e politikës. Ky është vlerësimi i analistëve kosovarë, të cilët kanë folur për Kosovapress, një ditë pas arrestimit të tij, nga policia e EULEX-it.

Ky është vlerësimi i analistëve kosovarë, një ditë pas arrestimit të tij, nga policia e EULEX-it, nën dyshimet se ai është i përfshirë në krime lufte në periudhën 1999-2000.

Këtë vlerësim, ata e bazojnë në atë se Ivanoviç ka qenë i dyshuar edhe më herët për veprat e njëjta, dyshime këto që ishin hedhur poshtë në atë kohë, nga administrata e UNMIK-ut.

Analisti Behlul Beqaj, thotë se Ivanoviç dhe të tjerët që janë arrestuar nga misioni i EULEX-it për krime lufte janë ‘viktima’ të pazarllëqeve që bëhen me bashkësinë ndërkombëtare dhe qeverive, që nga koha e pasluftës e deri më tani.

Beqaj thotë se të gjithë ata që kanë bërë thirrje se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, janë pikërisht ata që i kanë mbajtur nën strehën e tyre të inkriminuarit dhe, në momentin kur atyre i`u kanë nevojitur, kanë vepruar duke i arrestuar.

Ai ka shtur se arrestimi i Oliver Ivanoviçit dje, e jo para katërmbëdhjetë vjetëve, kanë, defenitivisht, një mbështetje taktike, e cila ndërlidhet me pazaret që i kanë bërë ndërkombëtarët.

“Supozoj se i kanë pasur dosjet edhe të Oliver Ivanoviçit, sikurse që i kanë dosjet të personave të tjerë të inkriminuar edhe personave që do të inkriminohen, e për të cilët, deri më tash, nuk është folur. Pra, sa mund të themi se ka qenë një pazarllëk rreth çështjeve se kur duhet të veprohet në drejtim të realizimit të sundimit të ligjit, aq mund të kemi dyshime edhe të tjera për rastet të tjera, që për shkaqe të njëjta nuk bëhen publike, pas një, dy, tri, katër apo pesë viteve, do të jenë në rend të ditës në funksion të realizimit të sundimit të ligjit dhe, tash, ta përmbylli, mendoj se këto pazarllëqe, në fakt, tregojnë për hipokrizinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe pushteteve që kanë ekzistuar gjatë tërë kohës, ku si një nga shtyllat kryesore të funksionalizimit dhe konsolidimit të shtetit, sundimin e ligjit. Pra, ata që kanë menduar, kanë thirrë gjatë tërë kohës dhe kanë bërë vëre jtje dhe kritika se mungon sundimi i ligjit në Kosovë, faktikisht, një pjesë të të inkriminuarve i kanë pasur në strehën e vet dhe me arsye të cilat i dinë më shumë ata sesa opinioni publik, i kanë bërë të fshehura, deri në momentin, kur atyre i’u kanë nevojitur që të bëhen publike”, ka thënë ai.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë se arrestimi i Oliver Ivanoviçit çon në dy çështje kryesore.

Ai, ka thënë për Kosovapress, se EULEX-i, me këtë veprim, është munduar t`i balancojë veprimet e veta karshi arrestimeve që ka bërë ndaj figurave të njohura shqiptare për krime lufte (pjesëtarë dhe komandant të UÇK-së) si dhe një çështje që ai ka ngritur, sipas tij, ka të bëjë me përfshirjen direkte të Beogradit për eliminimin e Ivanoviçit nga zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahën me 23 shkurt në Mitrovicën Veriore.

RCCOLA

Mushkolaj, madje, ka thënë se nuk është aspak e çuditshme që Beogradi ka mundur t`i ofrojë EULEX-it një dosje të tërë për veprimet e Oliver Ivanoviçit, në mënyrë që i mbështeturi direkt i tyre, kandidati nga Lista ‘Srpska’ të fitojë në atë pjesë.

“Unë besoj se kjo nuk është e rastësishme, pse ky arrestim i z. Ivanoviç ka ndodhur pikërisht në këtë kohë, pa dashur të hyj në teori konspirative, megjithatë, nëse është dashur që të arrestohet, nëse ka pasur arsye të arrestohet, nëse ka qenë gjithçka e gatshme në kuptimin e fakteve që misioni i EULEX- it ka mbledhë, pse atëherë misioni i EULEX-it, para se të kandidohej fare për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, respektivisht, pse kjo nuk ka ndodhur muaj më parë kur z, Ivanovic ka qenë në Veri të Mitrovicës, si një qytetarë i lirë”, thotë Mushkolaj.

Për Ardian Arifajn, analist tjetër, e keqja më e madhe që ka ndodhur në Kosovë, gjatë tërë këtyre vjetëve, është mosfunksionimi i sistemit gjyqësor.

Ai, thotë për Kosovapress, se gjyqësori në Kosovë ka arrestuar shpeshherë të dyshuar për krime lufte, të cilët më pas janë liruar në procese të cilat ose nuk janë përgatitur mirë ose që dyshimet nuk kanë qenë të argumentuara, të mbështetura në fakte.

Këto, sipas tij, gjithmonë janë përcjellë me një zhurmë të madhe të mediave, por edhe të opinionit publik në përgjithësi, që në fund ka sjellë te një humbje të besimit në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe, për më tepër, vet opinioni publik, vet mediat, shpeshherë kanë shpallur dikënd fajtor ose e kanë liruar nga pafajësia.

“Edhe në rastin e Oliver Ivanoviçit, nuk është hera e parë që akuzohet për krime lufte. Për më tepër, është interesant të përmendet, të shtohet, se vetë Oliver Ivanoviç pat deklaruar për mediat e Kosovës, që janë përpjekje të Serbisë për ta shantazhuar, për ta eliminuar atë nga skena, sepse, ai, në kohën kur akuzohej për krime lufte, ishte duke bashkëpunuar ngusht me Qeverinë e Kosovës. Prandaj, mu për shkak që drejtësia në Kosovë ka lejuar që politika të përfshihet, ose të përzihet në gjyqësor edhe ka humbur besimi në gjyqësorin, në pavarësinë e gjyqësorit. Sot krijohet hapësirë që të spekulohet, të dyshohet se edhe në këtë arrestim të Ivanoviçit, ka dorë politika dhe që është e motivuar politikisht”, thotë ai.

Analistët kanë vlerësuar se arrestimi i Ivanoviçit nuk mund të reflektojë në zgjedhjet e 23 shkurtit, ku serbët, në atë pjesë, do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore, e gjithë kjo pas dorëheqjes së Krstimir Pantiq.

Ndryshe, Oliver Ivanoviçit, i është caktuar masa e paraburgimit nga një gjyqtar i EULEX-it për tridhjetë ditë, që logjikisht i bie se ai nuk ka asnjë mundësi që të kandidojë sërish për të parin e Komunës së Mitrovicës Veriore.