FIDANISHTJA

Pazari i turpit, votë serbe për Demarkacionin në këmbim të Asociacionit

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Analistët vlerësojnë se kthimi i deputetëve serbë në seancat parlamentare është tregues i qartë se pazari është bërë me liderët kosovarë, për të votuar marrëveshjet e dëmshme.

Rikthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, i cili ndodhi gati si papritur në seancën e së enjtes me paralajmërimin publik të tyre se ata do të vazhdojnë, që me prezencën e tyre në institucione të bëjnë presion të vazhdueshëm për jetësimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po shihet nga analistët politikë si një sinjali i përgatitjes së fshehtë të vetë partnerëve të koalicionit qeverisës, të një pazari të madh e të dëmshëm politik me deputetët e Listës në këmbim të votës për Demarkacionin në vitin vijues, me funksionalizimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky dyshim vjen e bëhet akoma më serioz dhe i besueshëm, për faktin se edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, u angazhua në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit për realizimin e të dyja këtyre temave, sado që një skenar i tillë shkon në dëm të shtetit të Kosovës, aq më tepër kur dihet fakti i gjetjes si antikushtetuese të shumicës së pikave të marrëveshjes për Asociacionin në gjykimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, pikërisht para një viti. Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi thotë se tani kthimi i Listës Serbe në Kuvend, me kushtet e vendosura më parë, është një fakt, dhe jo sinjal i pazarllëqeve që qeveria ‘Mustafa – Thaçi’ kanë bërë me Beogradin, në dëm të shtetit sovran dhe të tërësisë territoriale të Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kelmendi: Janë bërë dy marrëveshje

Sipas Kelmendit, duhet vepruar dhe nuk duhet lejuar as këtë skenar të fshehtë që mund të jetë kurdisur. “Në çështjen e tillë duket sheshit se janë bërë dy marrëveshje, të cilat de-fakto dhe de-jure shpien në ndarjen territoriale të Kosovës. Isa Mustafa lajmëroi nëpërmjet piunit të vet Bajram Geci se janë bërë marrëveshjet me Listën Serbe për rikthim në Kuvend dhe në Qeveri. Ndërsa, nga ajo që është deklaruar nga Lista Serbe, është vetëm një fakt i paraqitur e që kjo Qeveri do ta realizojë në praktikë, sepse kjo është arsyeja pse është kthyer Lista Serbe”, u shpreh ai. “Nga të dhënat merret vesh se janë dy marrëveshje të bëra: E para, Lista Serbe zotohet ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi në kondidat e tashme të marrëveshjes, dhe e dyta, Qeveria e Kosovës organizon dhe themelon asociacionin, duke e sanksionuar juridikisht pushtetin serbomadh në Veri e më gjerë, në çdo komunë serbe, duke nxjerrë statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Nuk mund të ketë arsye as mundësi tjetër në rrugën e tillë të rikthimit në Kuvend që ka bërë Lista Serbe, pa marrjen e garancive për këtë marrëveshje të bërë”, tha prof. Kelmendi.

Sipas tij, nga fakti që deputetët kundërshtarë të koalicionit, por edhe ata të opozitës nuk kanë ndryshuar qëndrim, dihet se pa deputetët e Listës Serbe Qeveria nuk i ka votat për Demarkacionin. “Në këtë anë dhe në këtë rast, kemi marrëveshjen me Beogradin, lidhur me votimin e Demarkacionit nga Lista Serbe në kundërshpërblim për formimin e Asociacionit serb nga ana e ekzekutivit të Kosovës”, theksoi Kelmendi. Sipas tij, ky është një skenar i rrezikshëm antikushtetues, ngase edhe me Planin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk figuron askund, në asnjë nen, obligimi ligjor kushtetues i krijimit të ndonjë subjekti juridikopolitik e funksional mbi bazën një nacionale. “Në ato dy dokumente bazike qëndron qartë se Kosova është shtet multinacional, dhe se në Kosovë ndalohet çdo formim i institucioneve që përcaktojnë organizim njënacional”, tha Muhamet Kelmendi.

Uji Dea

Integriteti territorial i cenuar

Edhe prof. Riza Smaka shpreh dyshimin e tij se marrëveshja për një skenar të tillë me Listën serbe është e përfunduar dhe qëllimi mund të jetë shumë i realizueshëm. “Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës ka pasur, ka akoma, dhe mbase do të ketë aspiratë që kohë pas kohe, konform me rrethanat politike, të praktikojë lëvizje jashtë e brenda parlamentit dhe kthimet në jetën parlamentare të orvatet për t’i kapitalizuar politikisht gjithnjë në dëmin e shtetit dhe të shtetësisë së vendit tonë. Gjasat janë reale për t’i arritur objektivat e tilla, veçanërisht, në kontekstin e dobësive qeveritare evidente. Aq më parë kur kryeministri gjithnjë implikon në po atë drejtim ashtu që pa kushte të kalojë në ratifikim edhe marrëveshjen për asociacionin, e cila, sipas paralajmërimeve tona të publikuara me kohë në “Kosova Sot”, e më pastaj, të konfirmuara edhe nga Gjykata Kushtetuese ishte në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit tonë”, tha prof. Smaka. Analisti Blerim Burjani thotë se do të ishte shumë e dëmshme ndonjë marrëveshje eventuale që mund të ketë ndodhur prapa kulisave, që të realizohet apo zbatohet marrëveshja për asociacionin, që është një krijesë artificiale pa status juridik apo pa definim fare të këtij statusi ligjor.

Sipas tij, nuk do të duhej dhënë asnjë hapësirë tjetër ligjore veç statusit të një OJQ-je ngjashëm sikur vepron edhe Asociacioni i tanishëm i komunave të Kosovës. “Në të kundërtën, kjo si e tillë dhe kështu si është, normal se është kundërkushtetuese dhe e papranueshme. Tani kjo frikë po vazhdon që një kohë të gjatë dhe po vazhdon ta shqetësojë edhe opinionin e gjerë publik e politik për rrezikun e cenimit të integritetit shtetëror dhe sovranitetin e vendit”, tha Blerim Burjani. Rrezikun nga prapaskenat e pazareve të tilla e sheh edhe analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai thotë do të duhej vepruar me konsensus politik për parandalimin e skenarëve të tillë, pavarësisht se nga kush janë hartuar ato. “Kthimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës nuk është i rastësishëm, skenarë të tilla janë përgatitur shumë herë, duke dëmtuar shtetësinë e Kosovës në substancë dhe duke i dhënë një kahe të gabuar shtetit të Kosovës. Nuk duhet të bëhen koncesione në dëm të interesave shtetërore e kombëtare, pasi që me çdo koncesion po shkojmë drejt humbjes dhe kontestimit të shtetësisë. Përfaqësuesit e Listës Serbe duhet të largohen nga politikat hegjemoniste, por duhet të bëjnë përpjekje të luftojnë për mbrojtjen e komitetit serb dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare”, tha ai. “Koha e politikave hegjemoniste ka përfunduar, tash të gjitha komunitetet duhet të punojnë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Me lojërat e Listës Serbe po dëmtohet komuniteti serb, duke u propaganduar e shantazhuar nga përfaqësuesit e kësaj liste dhe të njëjtën kohë duke qenë pengesë për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare. Kosova si shtet, nuk diskutohet fare, se nga Asociacioni i komunave serbe humb shumë, pasi që shumë elemente të parapara në marrëveshje bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ku edhe në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese është vërtetuar se janë shkelur 23 nene”, tha analisti Hidajet Ahmeti.

Sipas Ahmetit, kjo marrëveshje përveçse nuk do t’i integrojë komunitetin serb në sistemin unitar të Kosovës, ajo do të krijojë ndasi më të mëdha në mes dy etnive, pasi që do të krijohen institucione me përmbajtje dualiste, të cilat do të bien ndesh me Kushtetutën e vendit. “Insistimi i vazhdueshëm i klasës politike në pushtet për implementimin e këtij projekti serb përveçqë duket i çuditshëm është edhe absurd, por duke ditur mënyrën e qëndrimit të kësaj klase politike në pushtet për shumë çështje që kanë pasur të bëjnë dhe kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës nuk është diçka e papritur. Kanceri i cili po tentohet të futet në palcën e shtetit, ngadalë do t’ia humbë kuptimin e shtetësisë dhe atëherë Kosova do ta marrë imazhin e një shteti me sistem dualist sikur Bosnja, por atëherë do të jetë shumë vonë”, potencoi më tej analisti Hidajet Ahmeti./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.