Hidromorava

Pavarësisht ankesave, Komuna e Gjilanit nuk reagon ndaj lëshimeve në rrugën “Abdullah Tahiri”

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Disa vite më parë, Komuna e Gjilanit bëri zgjerimin e rrugës “Abdullah Tahiri”, nga semaforët e qytetit, deri tek rrethrrotullimi, apo ndryshe siç i referohen qytetarët “rrethi i TMK-s”. U shtuan dy shtigje të reja për automjete. Zgjerimi u bë me qëllim të rritjes së lëvizshmërisë si dhe lidhjes së qendrës me rrugët e zgjeruara të daljeve nga qyteti.

Megjithatë, ky investim kapital është shoqëruar me lëshime. Mos reagimi i komunës, si në të kaluarën, njashtu edhe tani, ka nxitur kritika të qytetarëve. Pjesëmarrësit në komunikacion përballen me rreziqe. Në veçanti këmbësorët janë të ekspozuar, pasi nuk mund të shmangin këtë zonë me zgjedhje alternative për të kaluar në rrugën Marie Shllaku.

Cilat janë problemet thelbësore?

Ndër reagimet kryesore të vozitësve dhe qytetarëve, theksohen të jenë shiritat e rinj, të cilët nuk janë mjaftueshëm të gjerë për qarkullim të auto makinave. Vozitësit duhet të jenë të vëmendshëm për të mos përfunduar ngjitur me veturën pranë.

Një tjetër reagim është për sinjalizimin. Përveç në kohën e lëshimit për qarkullim, kjo pjesë nuk është sinjalizuar më me vija horizontale. Në pjesën më të madhe të rrugës, koha i ka fshirë vijat e bardha nga sipërfaqja. Vozitësit, shpeshherë e kanë të vështirë të qëndrojnë në shiritin gjegjës. Madje, gjatë vozitjes edhe hutohen derisa zgjedhin pistën.

Trotuari është i kompromentuar. Këmbësorët e kanë të pamundur kalimin e sigurt. Sipërfaqja e saj është ngushtuar në të dy anët. Madje, në disa pjesë, fare nuk ka trotuar. E në disa të tjera, ecja është e mundur vetëm për një person.

Përveç se pengohen nga veturat, kur bëjnë ndalesa në trotuar, këmbësorët sfidohen edhe nga bizneset që ushtrojnë veprimtari afariste. Ata pengohen nga shkallët, tarracat e improvizuara si dhe produktet e tjera të vendosura nga këto biznese – me leje e pa leje.

Në mungesë të trotuarit adekuat, pamundësohet lëvizja e personave në moshë, personave me aftësi të kufizuar si dhe prindërve që përdorin karrocë për fëmijët e tyre. Rrjedhimisht, të njëjtit, për shkak të neglizhencës së autoriteteve komunale, janë të përjashtuar nga komunikacioni, duke ju cenuar kështu thellësisht të drejtat e tyre.

Një tjetër shqetësim ka të bëj me “3 minutat” e ndalim-parkimit. Kjo masë e lejuar nga komuna ka favorizuar disa shoferë që duan të bëjnë blerje të shpejta në dyqanet e kësaj zonës, por që po rezulton kundër-produktive. Po shkakton mbi-ngarkesë si dhe vështirësi në qarkullim. Minutat e lejuar, rrallëherë respektohen nga shoferët. Prandaj, ky shirit konsiderohet nga vozitësit si “vend parkim”.

Në një gjendje aspak të mirë është edhe pjesa e trotuarit, nga rruga e Malishevës në drejtim të rreth rrotullimit. Qytetarët janë tërësisht të ekspozuar ndaj rreziqeve. Në disa pjesë, përveç ngushtësisë së trotuarit, ata nuk kanë shiritin e tyre për qarkullim. Janë të detyruar të përdorin trasenë për lëvizjen e makinave. Si dhe ka mungesë të sinjalistikës adekuate nëpër disa vendkalime.

UBT

Pyetja logjike do të kishte me qenë, nëse qëllimi ka qenë krijimi i kushteve më të mira të lëvizjes, pse është dashur të zgjerohet sipërfaqja për lëvizjen e automjeteve pa siguruar kushte adekuate për qarkullim të të gjithë pjesëmarrësve në trafik – në veçanti rregullimin e kushteve për këmbësorë?

Pse është dashur që shtigjet e reja të rrugës të kthehen në vend parkim, e të ndërtohen në kurriz të këmbësorëve? Nëse ka qenë nevoja për një vend parkim të ri, atëherë, përse kjo nuk është konsideruar për ndërtim në një zonë të afërt, si pjesë e planit të investimit, ose tani, si alternative për zgjidhjen e problemeve?

Për të zgjidhur këto probleme, normale, do të ishte që komuna dhe autoritetet e qytetit të marrin masat e duhura për sanimin e tyre.

Më së pari, duhet të rishqyrtohet dizajni i shtigjeve të reja dhe të sigurohet që ato të përshtaten për kalim të lehtë të makinave.

Rritja e sipërfaqes së trotuarit duhet të ketë prioritet kryesor.

Një tjetër masë e rëndësishme është mirëmbajta në baza të rregullta si dhe vendosja e sinjalizimit adekuat, veçanërisht kur bëhet fjalë për shënjimin horizontal.

Pavarësisht se zhvillimi afarizmit është i rëndësishëm, komuna duhet të rivlerësoj dhe inspektoj në baza të rregullta, se a po i përmbahen bizneset lejeve për ushtrimin e veprimtarisë. Do të duhej të sigurohej që të njëjtat të respektojnë rregullat dhe të lirojnë hapësirat e destinuara për këmbësorë dhe për qarkullim.

Gjithashtu, është e rëndësishme që komuna të rivlerësojë “3 minutat” e lejuara për ndalim-parkim. Për shkak të rëndësisë së qarkullimit që ka, largimi i këtij rregulli, do të ishte masa e arsyeshme për të mbajtur rrugën e lirë si dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit. /rajonipress/