Uji Dea

Pavarësia e Shqipërisë

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Shkodra- Është bërë e jehonë e madhe në Kosovë dhe pjesët tjera të shqiptarëve për 28 Nëntor – Ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Me pamje impozante nëpër sheshe, ndërtesa institucionale e të bizneseve.

Me flamuj e dekorime, me parulla. Diku shënonte: “Urime 100 vjet të Pavarësisë!” etj. Megjithatë, krejt kjo shënon një krenari në pamje të parë. Një diçka që të josh, por edhe të jep kurajë me gjithë gjakftohtësinë. Jemi shumë të ngazëllyer e të hareshëm për këtë dhe manifestimet gjithnjë si zakonisht jemi të gatshëm t’i bëjmë. Sigurisht që kjo mund të ndodhë te ata që një diçka nuk e kanë, ose që duan ta kenë sipas ëndrrës së tyre.

Me emocione e një farë euforie si dhe një politikë ditore, të përziera me ndjenjat historike me nostalgji. E me të gjitha këto që po ecim ka diçka që mund të ndihet si vlim qenësor e të shihen nuanca peizazhi këtij horizonti shqiptar. Do të thotë, në këtë jubile ndihet një impuls te shqiptarët kudo se, mund të provohet edhe integrimi i tyre.

Gjithsesi janë shenja të mira praktikisht si, kthimi i eshtrave në atdhe të personaliteteve të ndryshme. Ngritja e lapidarëve për heronj nga periudha të ndryshme historike kombëtare e deri në këto kohë. Organizimi i takimeve kulturore e artistike kushtuar figurave historike e kulturore në përvjetorin e tyre.

Organizimi i debateve për ngjarje dhe personalitete me rëndësi kombëtare, organizimi i qytetarëve dhe i të rinjve, nëpër shkolla e institucione tjera, duke shënuar enkas këtë pjesë të historisë. Do të thotë, se, shqiptarët po mendojnë për diçka të përbashkët. Dhe, këtu qëndron fakti për atë që është esenciale.

Sa i përket figurave historike kombëtare, ato janë si personazhet në një roman, dramë, film që secili prej tyre luan rolin e vet. Dhe në fund japin kuptim të rrumbullakosur me episode të ndryshme në ngjarje.

Sa regjimi ka kaluar mbi kokat e shqiptarëve, historia ka pësuar ndryshime. Në secilin ndryshim janë vu korniza të reja politike me ngjyra e nuanca ideologjike. Nëpër mes dritareve të përkufizimeve të interesit pushtetmbajtës, janë kënduar tiranët dhe heronjtë janë sharë. Është lavdëruar mjerimi dhe është kritikuar ajo që ishte e mirë dhe ajo e begatshmja e njerëzorja që do të duhej të ishte deri më sot. Është stigmatizuar ajo që nuk ishte në kornizat e atij aparati sundues shtetëror.

Nuk e dimë a janë të vërteta të gjitha ato që janë thënë për historinë tonë të dikurshme. Do të shihen, “kush është gjallë” dhe verifikohen…faktorët parësor pse shqiptarët nuk janë në një shtet të përbashkët. Po sot? A mundën ata të bashkohen dhe të jetojnë në një shtet dhe të qeverisën brenda për brenda me vetveten? Përgjigjja do të jetë – po! Veç për këtë duhet energji, dije e guxim, dashuri e sinqeritet e atyre që u prijnë proceseve. Deri te një unitet idesh, më parë, e pastaj në praktikë. Është projekt i madh, por jo i parealizueshëm.

Veprimet kundër shqiptarëve permanente

Nuk ka letër as makinë që të thuhen të gjitha sa janë thënë kundër shqiptarëve nga fqinjët. Dhe jo veç që janë thënë, por edhe janë ushtruar, duke luftuar me mjete psikologjike dhe fizike pa zgjedhje e masë e mjete, deri në likuidim individual e edhe kolektiv. Do të thotë, etnia shqiptare ka qenë e ekspozuar disa herë rreziqeve për eliminim.

Ndjekja ushtarake e organizuar, në historinë më të re, prej vatrave të veta, nga rrethina e Nishit dhe rrethet tjera, tashmë të mbetura brenda kufijve administrativ të Serbisë, me qëllim që t’i shfarosin shqiptarët dhe të mos lënë askund një të gjallë, e as në Shqipërinë para pavarësisë, por edhe pas. Futja e ushtrisë okupuese deri te Durrësi e vende të tjera të Shqipërisë gjatë LPB, djegia e vendbanimeve shqiptare, vrasjet dhe plaçkitja janë elemente që kanë ushtruar qeveritë e Serbisë mbi këtë popull pa ndërprerë.

Para LDB shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera nën sundimin e Mbretërisë SKS mbetën të gjithë analfabet. Me trysni që të asimilohen e asgjësohen. Edhe gjatë LD dhe pas saj, krimet dhe ndjekjet kanë qenë të tmerrshme, veç në një mënyrë tjetër. Duke ushtruar dhunën mbi popullatën e duke ia hedhur “fajin”, se, shqiptarët nuk janë të qytetëruar. Ata janë kriminelë etj.

Në luftën e fundit (me ndihmën e aleatëve euro-perëndimor), u përpoqën ta pastrojnë terrenin e Kosovës, duke i asgjësuar një pjesë të shqiptarëve të çfarëdo moshe, pjesën tjetër ta shpërngulin me dhunë sërish edhe nga këto troje.

Hidromorava

Pas luftës së fundit erdhën njerëz nga vende të ndryshme nën hijen e Kombeve të Bashkuara që ta zbatojnë rezolutën “famshme”1244 në Kosovë. Që të na ndihmojnë në çdo pikëpamje. Janë gënjyer njerëzit, duke menduar se, demokracia është në dorë të këtyre pjesëtarëve të kësaj Organizate botërore. Nuk kanë qenë të gjithë të një vullneti të mirë. Nuk është bërë ajo që është menduar. Edhe formacioni më i ri – EULEX, për të cilin në mënyrë naive është thënë, për një zbatim të drejtësisë së vërtetë në Kosovë. Të shumtën ka dalë se ishte vetëm formacion politik. Sa për të shpërpushë zjarrin në mes të kësaj vatre. Pa ndonjë përmirësim në krimin e organizuar, korrupsionin dhe në respektimin e ligjit.

Gabimet e shqiptarëve dikur, suksesi i fqinjëve

Përgjigjet janë të shumta e të ndryshme në pyetjet që mund të bëhen për çështjen e bashkimit shqiptar dikur në një shtet. Por, njëra prej atyre që mund t’i përfshijë edhe të tjerat është, paaftësia e elementit shqiptar në organizimin e nivelit të duhur për shtet unik më 1912.

Gabimet e shqiptarëve, ishte suksesi i fqinjëve. Nuk është gjetur mundësia që të jenë së bashku para Evropës dhe botës, as me diplomaci e as me luftë. E historikisht, sot, arsyetimet janë të shumta me argumente nga rrethanat të ndryshme, po edhe me rrëshqitje të vetë shqiptarëve. Ndarjet e shumta në mes tyre, me dëshirë e sëmundje për sundim të një cope vendi, bëri që të mos dëgjohen aty e atje, ku duhet një zë.

Dhe tash, nuk duhet të jemi gjithmonë me një kurs, as me një ëndërr të vëzhgojmë e të meditojmë me krahasime me të sotmen, duke komentuar se ku ishim në të kaluarën, kështu të ecim të kënaqur me një ritëm, ndonjëri edhe pak skeptik, me folklorizma e fjalime populiste e në vendnumërim. Shqiptarët u janë mirënjohës dhe duhet t’u jenë për gjithmonë aleatëve deri te qëllimi jonë.

Të drejtën tonë nuk duhet ta ndërrojmë me asgjë dhe nuk duhet t’i frikësohemi. Vështirësitë për riparimet e dëmeve janë të mëdha. Megjithatë, rruga duhet të vijojë. Nuk vlen që të dëshpërohemi…nëse dikush ka të drejtë të kërkoj okupimin e tokave shqiptare, ne kemi të drejtë t’i marrim tonat dhe t’i mbrojmë.

Opsioni i fundit që duhet të shërbehemi

“Bashkimi bën fuqinë”, s’është kjo thënie pa domethënie. Sipas të gjitha gjasave, kjo po mbetet e para ndër ne dhe e fundit për veprim. Po të ishin shqiptarët të gjithë në një shtet, më parë, rrethi do të dëgjonte tjetër këngë dhe do të bëhej një trajtim ndryshe për ne edhe nga Evropa e bota.

Krejt ndryshe do të bisedonin palët në takime me shqiptarët çfarëdo qofshin. Është fat për të vetmen gjë në politikën shqiptare që, Shqipëria u anëtarësua në NATO. Ndoshta, do të jetë një mbështetje e veçantë. Pastaj, duhet një përpjekje më e madhe për rritje të zhvillimit ekonomik, sepse është edhe rritje e punësimit, rritje e cilësisë në arsim, administratë, shëndetësi, në shkencë e kulturë e për të cilat, mendoj, nuk do të mungonte infrastruktura humane ndër shqiptarë.

Për bashkim, toleranca në mes veti dhe ngritja e moralit

Janë të zorshme të bëhen integrimet e shqiptarëve. Disa njerëz veç “llaf” e bëjnë. Dhe është e besueshme deri diku se, nuk është lehtë të ngjallet një dashuri, të themi e “sinqertë” që të ndjehemi si qytetarë të barabartë këtu e atje. Njëherë ekziston një farë mentaliteti i tillë ndër shqiptarë, sikur ka qytetarë të rendit të parë dhe të dytë.

Duke e menduar vetveten secili si më të suksesshëm e më të mbiçmuar se njëri prej tjetrit. Duke shpreh skepticizëm e mosbesim në vetvete më parë dhe duke mos e respektuar tjetrin sa e si duhet. Krejt kjo mund të rrjedh nga interesa grupore me tendenca refuzuese. Dhe kjo tendencë mospajtimi ishte dhe është e pranishme deri diku.

Do të duhej të zhdukeshin bajraktarët, më parë e krahinorizmat, mendjelehtit e ata laramanët (s’ka rëndësi çfarë moshe) e përfituesit. Në të kundërtën, si këtë herë, do të duhej me çdo kusht që të ngritët morali te masa e gjerë. Të organizohen edhe më manifestime të përbashkëta. Debate në lëmenj të ndryshëm kulturor, historik, letrar e artistik. Edhe estradat e koncertet e ndryshme e kanë efektin e vet, sikur edhe sporti.