Mobi Casa

Patinazhet e Zharkut

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Enis Veliu – Dhjetëra miliona euro shpenzohen në Kosovë brenda një viti për mirëmbajtjen dimërore e verore të rrugëve. Mirëpo, si zakonisht gjatë stinës së dimrit një pjesë e madhe e tyre (rrugëve), thuajse se janë të pakalueshme, ndonëse kohë më parë përmes proceseve të ndryshe të prokurimit janë përzgjedhur kompanitë që t’i pastrojnë ato. Por, fatkeqësisht në të shumtën e rasteve ato kompani që kryesisht janë të lidhua me pushtetin nuk i kryejnë punët si duhet.

Si në të kaluarën, por edhe tash, bora ato gjithmonë i zë në “gjumë”, e disa edhe të papërgatitura si duhet, ndonëse tash jemi në kohën kur temperaturat arrijnë në minimumin e mundshëm.

Pa llogaritur komunat e Kosovës që përzgjedhjen e kompanive për mirëmbajtje të rrugëve e bëjnë më mënyrë individuale, vetëm Ministria e Infrastrukturës për këtë vit për këtë qëllim ka parapara të shpenzojë më shumë se 9 milionë euro.

Por, përkundër kësaj shumë enorme të mjeteve rrugët në Kosovë janë të pakalueshme, ose vështirë të kalueshme, nga bora dhe akulli i madh.

Për ndërtimin e autostradës që lidh kombin, për vite të tëra Qeveria e Kosovës ka paguar konsorciumin amerikano-turk “Bechtel&Enka” gati një miliardë euro, por fatkeqësisht të dielën në mbrëmje një pjesë e saj, sidomos ajo nga Fushë Kosova deri në dalje të Prishtinës, nga ana e Podujevës ishte e pakalueshme nga bora, e në disa vende tjera ku ka qenë e ekspozuar nga era, rruga ishte shndërruar në një patinazh.

Situatë jo e mirë ishte dhe është edhe nëpër rrugë tjera regjionale të vendit, ku përgjegjëse për pastrimin e tyre është po ashtu Ministria e Infrastrukturës, e cila aktualisht drejtohet nga Lutfi Zharku.

Përmes komunikatave të shumta dërguar medieve, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bërë apel për kujdes gjatë vozitjes, por në të njëjtën kohë Ministria e Zharkut thuajse nuk ka bërë asgjë për kompanitë që nuk kanë kryer punën si duhet.

UBT

Po ashtu, pas reshjeve të borës gjatë javës që lamë pas qarkullimi u vështirësua edhe në rrugët e kryeqytetit, ku disa rrugë thuajse ishin të pakalueshme.

Së fundi situatë e rëndë ishte paraqitur edhe në komunën e Gjakovës, e cila qe një vit drejtohet nga Mimoza Kusari – Lila. Para se të vinte kjo në pushtet kishte akuzuar ish-drejtuesit e Komunës për keqmenaxhim e keqpërdorime. Por, rrugës së njëjtë me avaz më të shtuar ka vazhduar edhe kjo vetë.

Rrugët, por edhe trotuaret e kësaj Komune për ditë të tëra kishin qenë të mbuluara nga akulli, e ku paraqitnin rrezik serioz për kalimtarët, por edhe rrezik potencial për shoferët.

Tek e fundit, të gjithë koston e papërgjegjësisë së kompanive pastruese, të cilat për punën që nuk po e bëjnë e që nuk po ndëshkohen nga pushteti po paguajnë qytetarët, sidomos ata që janë pjesë e trafikut.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë evidentuar 40 aksidente, ku ka pasur vetëm dëme materiale në vetura, si dhe 14 të tjera me dëme materiale në vetura dhe me qytetarë të lënduar.

Situatë si kjo ka qenë edhe në ditët në vijim, por do të jetë edhe nëse kompanitë nuk pastrojnë rrugët, për çka janë përzgjedhur dhe marrin miliona euro nga Qeveria e Kosovës.