“Patatja e nxehtë” në dorë të kryeministrit
Nga Enis Veliu – Miratimi i buxhetit për vitin që vjen, do ta vërë në siklet para elektoratit kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Një pjesë të madhe të premtimeve që ky i ka bërë gjatë fushatës elektorale, nuk do të mundë t’i zbatojë në praktikë, pasi që asnjë nga to nuk janë paraparë me projektbuxhetin e vitit 2015, i cili është përgatitur nga Qeveria e Hashim Thaçit.
Në atë kohë i njëjti (buxheti) ishte miratuar edhe nga Qeveria në largim e ish-kryeministrit Thaçi. Por, pas krijimit të Qeverisë së re, kabineti i kryeministrit Mustafa miratoi edhe një herë buxhetin e vjetër, pa asnjë ndryshim të vetëm.
Për shkak të vonesave të mëdha, dhe nga frika se shteti po hyn në vitin e ri pa buxhet të miratuar, deputetët në seancën e fundit plenare (të hënën) të Kuvendit, vendosën që shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2015 të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke shmangur kështu Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë debatit parlamentar deputetët e koalicionit në një farë mënyre përkrahnin buxhetin në fjalë.
Ata (deputetët) të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë pasur arsye ta mbrojnë buxhetin në fjalë, pasi që është hartuar nga partia të cilët ata i përkasin.
Por, jo edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të cilët para sa ta lidhin koalicionin me PDK-së kishin shqyer fytin, duke akuzuar në atë kohë Qeverinë për miratimin e një buxheti jozhvillimor.
Por, përshpejtimi i procedurave dhe miratimi i buxhetit deri në fund të vitit, në fakt do të lehtësojë punën e kabinetit të ministrave të kabinetit, pasi që e startojnë vitin me buxhet të miratuar.
Por, më së vështiri do ta ketë vetë kryeministri Mustafa, i cili nuk do të arrijë as nga afër të implementojë në praktikë plan-programin e tij ekonomik, të prezantuar para elektoratit në zgjedhjet nacionale që u mbajtën këtë vit.
Me buxhetin që do të miratohet, kryeministri Mustafa pa dyshim se do të vazhdojë rrugën e ish-kryeministrit Thaçi, dhe asgjë tjetër më shumë nuk mund të bëjë, përpos atyre që janë paraparë me projektbuxhet. Implementimi i programit ekonomik të partisë së kryeministrit Mustafa së paku nuk do të gjejë zbatim gjatë gjashtë muajve të parë të vitit që vjen.
Gjatë kësaj periudhe kohore, kryeministri Mustafa nuk do të mundë të bëjë asnjë ndryshim në buxhet, por vetëm sa mund të menaxhojë projektet e parapara nga Qeveria e kaluar.
E tek pas muajit qershor ai mund të fusë në realizim projekte të ndryshme që i ka prezantuar vetë para elektoratit përmes rishikimit buxhetor, që është i paraparë me ligj.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryeministri aktual Isa Mustafa pati premtuar se gjatë mandatit të tij katërvjeçar do të hapen 120 mijë vende pune, për çdo vit nga 30 mijë vende pune, e që në realitet një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë, pasi që ai me buxhet i ka duart “e lidhura”.
Po ashtu, ai në fillim të vitit do të sfidohet me kërkesat e shumta të shërbyesve civilë për rritje të pagave.
Në fakt kryeministri Mustafa kishte premtuar se gjatë mandatit të tij do të ketë rritje të pagave, por pa precizuar se sa.
Ndërkaq, gjatë kohës sa Thaçi ishte kryeministër në largim pati paralajmëruar se rritja e re e pagave prej 25 % do të ndodhë nga një janari i vitit që vjen.
Së fundi, vendimi i fundit i Qeverisë për marrjen e mjeteve nga rezervat buxhetore, për të mbuluar vendimin e ish-Qeverisë për rritje të pagave prej 25 për qind, tregon shumë qartë se kryeministri Mustafa gjatë mandatit të tij katërvjeçar do të ketë shumë sfida para vetes.


