UBT

Pasuritë milionëshe jashtë Kosovës nuk ka kush t’i hetojë

/ 7 minuta lexim

Politikanët dyshohet se kanë transferuar mjete të mëdha e kanë blerë patundshmëri të shtrenjta.

FSHEHJA E SHIFRAVE MARRAMENDËSE NGA PUSHTETARËT E KORRUPTUAR

Politikanët dyshohet se kanë transferuar mjete të mëdha e kanë blerë patundshmëri të shtrenjta
Prokuroria e Shtetit, e pyetur disa herë radhazi për këtë çështje, akoma nuk po merr kurajën të deklarohet se si mund dhe pse nuk po e bën një hetim të tillë, derisa analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit thonë se këto veprime nuk mund të bëhen nga një drejtësi e kapur ashpër nga politika kriminale, e cila e emëron dhe e financon po këtë sistem të afektuar politikisht

Edhe pse shteti i Kosovës është në pritje të shënimit të nëntëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë, nga aspekti i sundimit të ligjit, hetimit dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, nuk u zbulua as edhe një rast i vetëm se ku e kanë fshehur politikanët tanë pasurinë e tyre të kundërligjshme jashtë Kosovës. Mediet ndërkombëtare vitin e kaluar patën zbuluar se politikanë nga e gjithë bota, përfshirë edhe 12 liderë aktualë botërorë, kanë përdorur kompani “offshore” për të fshehur pasurinë e tyre dhe në këtë mes nuk mund të përjashtohet se mund të gjenden diku edhe politikanët e “kamur” të Kosovës që qeverisën me vendin për gjithë këto vite pa u ndërruar fare nga pozitat në pushtet. Edhe gjatë fushatave parazgjedhore ka pasur akuza e kundërakuza të politikanëve në pushtet dhe opozitë, ku janë përmendur pasuritë e fshehura gjithandej në vende të sigurta jashtë shtetit të Kosovës, si në Zvicër, Dubai, Ishujt Kajman etj., por akoma nuk u mor asnjë veprim nga institucionet e shtetit tonë, nuk u zbulua as edhe një rast i vetëm se ku e kanë fshehur politikanët kosovarë pasuritë e kundërligjshme, qoftë në para, qoftë si prona jashtë Kosovës, por që janë të blera kuptohet me para të vjedhura nga populli i Kosovës. Prokuroria e Shtetit, e pyetur disa herë radhazi për këtë çështje, akoma nuk po merr kurajën të deklarohet se si mund dhe pse nuk po e bën një hetim të tillë, derisa analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit thonë se këto veprime nuk mund të bëhen nga një drejtësi e kapur ashpër nga politika kriminale, e cila e emëron dhe e financon po këtë sistem të afektuar politikisht, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prokuroria neglizhuese

Mobi Casa

Analisti i shkencave politike, Ali Hertica, thotë se është pikërisht mosserioziteti i institucioneve shtetërore dhe ndikimi i politikanëve të quajtur “lider shpirtëror” të politikës kosovare, të pasuruar, qoftë nëpërmes zhvatjes së shtetit apo edhe të bizneseve të ndryshme, apo lidhjes me bizneset e pista, që pengojnë zbardhjen e pasurive të paligjshme të fshehura jashtë vendit, sipas tij. “Tani edhe shumë media që mund të raportojnë për dyshime e abuzime të tilla, qofshin ato vendore a ndërkombëtare… evropiane, që janë marrë me këso zbulime të hajnive të marra e të paskrupullta rreth fshehjes së pasurisë së paligjshme, ku janë përfshirë së paku 12 liderë aktualë botërorë, ka pak shpresë që kjo të bëhet edhe nga institucionet tona për politika të vendit tonë. Sidoqoftë, tani mediet e ndryshme janë duke i zbuluar gjenezën dhe keqpërdorimin e kompanive të tyre të fshehta dhe kjo mund të zbardhet edhe për matrapazët kosovarë, shqiptarë dhe grupet e militanteve të tyre, të cilët e shkatërruan ekonominë e Kosovës, duke mbledh, vjedh të gjitha ato pasuri”, ka thënë ai.”Ka pasur plot akuza e kundërakuza se kush më shumë e kush më pak ka fshehur para në bankat e jashtme, qoftë nga individët e pozitës apo të pozitës, por që të gjithë mbajnë një emërues të përbashkët të pasurimit nga një burim dhe veprim kriminal”, tha Ali Hertica. Ai thotë se është një neglizhencë e pakuptueshme që Prokuroria e vendit nuk aktivizohet për të vepruar në këto raste sipas detyrës zyrtare të jetimit dhe faktimit të dyshimeve të ngritura publike. “I gjithë ky mosangazhim serioz i institucioneve të thirrura për zbulim nuk mund të arsyetohet, sepse deri më tani nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth pasurimit të tyre dhe vjedhjes së popullit, derisa pasuritë e tyre i mbajnë të fshehura jashtë. Veprimet nuk po ndërmerren në këtë drejtim nga fakti se ka njerëz edhe në ato institucione, ka fytyra të atilla që janë të bashkuar në ato kore hajnash të politikëbërësve”, tha Hertica për “Kosova Sot”

Milionat përmes ANP-së

Analisti Florim Zeqa thotë se është shumë e vështirë të jepet një përgjigje në pyetjen se si dhe në cilin vend ndodhen të fshehura pasuritë milionëshe të politikanëve në pushtet dhe opozitë, se a janë në Zvicër, Dubai, Ishujt Kajman apo në ndonjë “parajsë” tjetër fiskale. “Përgjigjen në këtë pyetje më së miri e dinë ata që u kanë ndihmuar në bartjen dhe riciklimin e pasurive të kundërligjshme jashtë Kosovës. Në vitet e para të paspavarësisë përflitej për një yll të muzikës kosovare që ishte ndaluar në Aeroportin e Prishtinës me dhjetëra milionë euro, i cili pas ndërhyrjes së politikës ishte lejuar të shkojë tutje drejt destinacionit të planifikuar. Mbase edhe njëra ndër arsyet pse edhe 9 vjet pas pavarësisë nuk u zbulua asnjë rast i vetëm i fshehjes së parave është fakti se politikanët e pozitës dhe opozitës paratë e tyre i kanë të fshehura në të njëjtën “parajsë” fiskale, gjë të cilën e vërteton fakti që edhe përkundër akuzave dhe kundërakuzave ndaj njëri-tjetrit për fshehje të parave jashtë shtetit nuk munden të shkojnë tutje me nxjerrjen e fijes së konspiracionit fiskal”, tha ai. “Siç shihet qartë, shembullin e fshehjes së pasurive të liderëve më të pasur botërorë e kanë ndjekur edhe liderët dhe politikanët tanë, duke përdorur kompani “ofshore”, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Këtë që e them e vërteton deklarimi i rrejshëm i pasurisë së super-milionerëve kosovarë, që gjithnjë e më tepër mundohen të dalin të “varfër” para opinionit publik”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se edhe ato pak pasuri që i deklarojnë, thonë se i kanë të trashëguara nga etërit e tyre historikisht të varfër, sado që Kosova është tepër e vogël për të fshehur të vërtetën, ngase secilit politikan i dihet mirëfilli e kaluara e tij. “Andaj askush nuk i beson hipokrizisë së tyre. Të gjithë qytetarët e Kosovës dinë për shpërndarjen e patundshmërisë së kundërligjshme të politikanëve tek të afërmit e tyre, miqtë dhe farefisi i gjerë. Por, nuk mund të dinë për pasuritë tjera të paligjshme të fshehura jashtë Kosovës. Këtë mund ta zbulojnë vetëm agjencitë e licencuara ndërkombëtare, ashtu siç i zbuluan pasuritë e 12 liderëve më të pasur botërorë”, theksoi Zeqa./kosova sot/