Pastrohet nga mbeturinat edhe hapësira rreth pendës së Përlepnicës

Gjilan – Aksionit të Komunës së Gjilanit për pastrim të ambientit, iu kanë përgjigjur edhe fshatrat me aktivitet masiv përmes organizimit të Këshillave të fshatrave dhe nxënësve të shkollave në pastrim të ambientit.

Nxënësit e shkollës së Përlepnicës, qytetarë të shumtë dhe aktivist-ekologë për ruajtjen e ambientit, kanë bërë pastrimin e hapësirave publike rreth penda e Përlepnicës që është edhe furnizuesi kryesor i Gjilanit me ujë të pijes.

Kjo pjesë dhe vendbanime të shumta, por edhe aksione të vazhdueshme nëpër lagje në qytet, kanë bërë që ambienti të jetë më i pastër, duke bërë që rrugët, trotuaret, parqet dhe hapësirat brenda fshatrave të mbahen të pastra, falë edhe vetëdijesimit qytetarë që gjithnjë e më shumë është i fokusuar në krijimin e ambientit të pastër dhe të mirëmbajtur, ka thënë Bardhyl Syla, kryesues i grupit punues për pastrim të Gjilanit.

Syla tha se Komuna e Gjilanit është e vendosur që edhe më tutje të vazhdojë aksionin për pastrim nëse është e nevojshme sepse ajri i pastër dhe ambienti i mirëmbajtur është detyrë e të gjithëve barabaresisht.

“Apelojmë te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, pavarësisht se ku ata jetojnë, që të jenë të vëmendshëm në ruajtjen e ambientit, sepse nëse hasen duke ndotur ambientin, dëmtuar atë do të gjobiten me dënime mandatore në bazë të ligjit”, ka thënë drejtori Syla.

Ndryshe, këtij aksioni i është bashkangjitur edhe kësaj radhe Agjencia për Zhvillim Rajonal Lindje, nën koordinim të drejtorit ekzekutiv, Agim Zeka./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS