Pastërtia – gjysma e shëndetit!

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Thuhet se pastërtia është gjysma e shëndetit… kjo tani në këtë kohë pandemie u kërkua nga ekspertet shëndetësor dhe virusolog anë e këndë botës. Mirëpo kjo nuk u kuptuaka vetëm për pastërtinë personale, por edhe ambientale. Ne, që disa na quajnë “bërllogxhi“ të Eco-Higjienës, e dimë më së miri se sa e rëndësishme është pastërtia. Punojmë pandërprerë, bile edhe festave e madje edhe në ditë me diell e ditë me borë e shi – , çdo ditë të lume, për të pastruar qytetin tanë, të juajin dhe të atyre që na quajnë ashtu….

Besojmë se ata të cilët e kanë gjumin e lehtë i dëgjojnë rrapëllimën e ngulfatur të makinës dhe tërheqjen dhe zbrazjen e kontejnerëve, akoma pa kënduar në fshat gjeli në sabah. Ata jemi ne! Ne lëmë të dashurit tanë akoma në gjumë kur ngritemi për në punë. Jo që na vije turp për të na pa dikush duke zbrazur kontejnerët e mbeturinave por, kur të ngriteni ju nga gjumi dhe shkoni në punë, për të par pjesën më të madhe të qytetit, e sidomos qendrën, të pastër nga mbeturinat që hedhni ju, të dashur banor.

Dhe kjo po vlerësohet lart nga qytetarët! Ne këtë e dimë. Për punë nuk na vije turp, se punojmë me djersë dhe me këtë punë mbajmë familjet tana madje shkollojmë djemtë dhe vajzat, e disa prej fëmijëve tanë edhe studiojnë. Nejse që jemi „bërllogxhi“ ama „bërllog“ nuk jemi!

Po si nuk ju vjen turp disa banorëve, aman ! Hedhin mbeturinat vend e pa vend, e me e keqja, mu në mes të qytetit, që nga pika e ditës! Po s’është qytetare kjo sjellje … si të ju quajmë ne… nuk dijm. Po a vendosen qeset me mbeturina mu në mes të ditës para qebaptores, para derës së bankës apo ëmbëltores, para derës së shkollës apo universitetit. Qytetari i thonë kësaj? Kulminacioni i gjithë kësaj edhe para xhamisë duke krijuar deponi! Po ju qit e ne hiq, ditë për ditë tërë vitin.

Mobi Casa

Ato si hjek kush deri në mëngjes, se natën ne pushojmë. Ne nuk na vjen turp që i hjekim, po na vjen turp për ju, o jo qytetar, që i hidhni dhe shëmtoni para dyqanin e juaj, bankën dhe shkollën e juaj qebaptoren apo kafiterin e juaj. Kështu po shëmtoni qytetin tan dhe mendon dikush se ne nuk i hjekim mbeturinat. Se me të drejtë disa të huaj thonë se tek shqiptarët kur u hyni në oborr e në shtëpi, shkëlqen çdo gjë nga pastërtia, e para oborrit…

Po ja të besatohemi për këto 2-3 muaj, të ndërrojmë qasje. Komunarët le të caktojnë vend-hudhjen e mbeturinave, ju të hedhni aty mbeturinat, e ne si zakonisht t`i hjekim prej aty dhe te deponojmë në deponi. Ta bëjmë këtë për vëllezërit e motrat tana që do na vijnë kësaj radhe me të madhe për vizitë nga mërgata, ti presim „shacat „ siç i ka hie dhe jo siç i quante ai tipi”gërnaqa“ , (kurrë goja mos i foltë), dhe te ju tregojmë mysafirëve se mbajmë rend e rregull si në shtëpi, si në oborr por edhe para obrrit dhe në rrugë.

E ju që hedhni mbeturinat ashtu, mund të na quani si të doni, madje edhe”bërllogxhi“ ama „bërllok“ nuk jemi !
Me respekt,
Eco-Higjiena