Hidromorava

Pas taksës ndaj Serbisë, fluturojnë çmimet në tregun kosovar

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Qytetarët po e pësojnë më së shumti në xhepin e tyre

Tregtarët e lidhur me pushtetin po e shfrytëzojnë taksën 100 për qind ndaj prodhimeve serbe për rritjen e çmimeve. Tashmë janë rritur çmimet e shumë artikujve, si buka, vaji, vezët etj., madje në këtë rritje janë përfshirë edhe prodhimet vendore. Analistët pyesin se përse prodhuesit vendorë nuk po e shfrytëzojnë këtë periudhë për të ngritur cilësinë e jo çmimet, që po i irritojnë konsumatorët. Gjithashtu, njohësit e ekonomisë pyesin se çfarë ka bërë vetë shteti që thoshte se do të kontrollojë tregtarët e papërgjegjshëm për të mos u rritur çmimet. Ata e kanë drojën se ky ishte një mashtrim e gënjeshtër e pushtetit të papërgjegjshëm në radhën e shumë mashtrimeve që po i ndodhin Kosovës dhe popullit të saj të nëpërkëmbur për afro 11 vjet nga qeveritaret e inkriminuar.

Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të MTI-së për masat që i kanë ndërmarrë, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Opozita alarmon për abuzimet tregtare Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot’, tha se si subjekt politik janë në dijeni se nga qytetarët tanë ka pasur shumë ankesa për rritjen e çmimeve të produkteve dhe ka frikën se këtë kryesisht po e bëjnë tregtarët e lidhur me pushtetin. “Mirëpo, duhet të jemi realë se si subjekt politik nuk jemi të habitur me këtë veprim të bizneseve, pasi një gjë e tillë ka qenë e pritur. Prandaj, edhe tashmë po duket dhe është më se evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në taksën 100 për qind ndaj produkteve importuese ka filluar t’i çrregullojë tregjet përkatëse”, vlerësoi ai. Mirëpo, sipas opozitarit Salihu,para aplikimit të këtyre masave, Qeveria e Kosovës ka qenë dashur që të hartojë ndonjë plan veprimi, duke bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit dhe se ka zgjidhje për situatën e krijuar në vend . Prandaj, deputeti Salihu thotë se është detyrë e autoriteteve kompetente dhe inspektoratit përkatës që të parandalojë ndërmarrjet ta shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte të tjera tregtimi. “Prandaj, Qeveria duhet krijuar edhe një grup të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Prandaj, u bëjë thirrje bizneseve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe të mos e keqpërdorin këtë situatë”, potencoi ai.

Klubi i prodhuesve kundër fryrjes së çmimeve

Afaristi Astrit Shabani, nënkryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, përmes celularit nga Kroacia, ka deklaruar për gazetën ” Kosova Sot’, se edhe ata si asociacion kanë dalë në përkrahje të këtij vendimi duke dhënë qëndrimet e Klubit të Prodhuesve të Kosovës. “Mirëpo, në të njëjtën kohë Klubi i Prodhuesve u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të mos ndryshojnë çmimet e tregut, duke i rritur ato pas miratimit të vendimit për taksën 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës”, potencoi ai. Sipas Shabanit, Asociacioni i Prodhuesve Kosovarë e ka bërë punën e vet, ndërkaq u mbetet inspektorateve dhe organeve të tjera të ministrive që të bëjnë pjesën e vet të punës.

UBT

Analisti Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se,” Qeveria dhe shteti i Kosovës duhet urgjentisht t’u apelojnë të gjitha bizneseve kosovare që t’i ulin çmimet, përndryshe krejt kjo situatë kam frikën që mund të eskalojë në protesta të dhunshme apo luftë civile. “Andaj, nga bizneset kosovare kërkoj që sa më parë t’i ulin çmimet , për shkak se në Kosovë jetojnë mbi 40 për qind të qytetarëve në gjendje të mjerueshme, prandaj politikanët duhet që ta gjejnë një alternativë që kjo gjendje të dalë jashtë rrezikut”, theksoi ai. “Qytetarët e Kosovës, të cilët edhe janë konsumatorë dhe klientë, duhet të protestojnë dhe t’i bojkotojnë çmimet e larta, duke mos i paguar fare ato produkte ushqimore që i blejnë. Taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ka qenë një veprim që është dashur të ndodhë kaherë, por biznesmenët kosovarë nuk duhet ta dënojnë popullin duke i rritur çmimet, për shkak se tani nuk mund të shesin mallra serbe nëpër qendrat dhe marketet e tyre tregtare. Nëse pushteti aktual nuk e parandalon këtë skandal të rritjes së çmimeve, vetëm Zoti i Madh e di se çka mund të ndodhë në ditët në vazhdim nga qytetarët, të cilët janë mbushur me mllef dhe të pakënaqur me këtë situatë politike dhe ekonomike që po ndodh në Kosovë”, vlerësoi Grapci.

QEVERIA TË MBIKËQYRË TREGUN Ndërsa ish-deputeti Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ditëve të fundit nëpër dyqane tashmë po vërehen rritje të çmimeve, si mielli, vaji dhe buka. “Mielli dhe buka janë më problem, kurse për artikuj të tjerë ka alternativa të mjaftueshme. Por, unë nuk e di se pse aq shpejt i kanë rritur çmimet për produktet serbe. Por, në anën tjetër disa nga artikujt vendorë janë më lirë se para një javë. Veç saj, çmimi i miellit në tregun e Kosovës po ndryshon varësisht nga rajoni. Deri para vendosjes se taksës, çmimi për 100 kilogramë miell ka qenë rreth 32 euro, kurse aktualisht çmimi është rritur mbi 36 euro. Andaj, jam i mendimit se në këto rrethana Qeveria dhe ministritë përkatëse duhet të jenë 24 orë në vëzhgim të situatës se përse po rritën këto çmime dhe të ndërmarrin masa ndaj tregtarëve të papërgjegjshëm”, tha ai.

SITUATA PO DEL JASHTË KONTROLLIT Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se nuk ka më asnjë dyshim se Qeveria nuk po arrin të mbajë tregun nën kontroll, kurse tregtarët e në veçanti ata që janë shumë të afërt me pushtetarët dhe të njëjtët po e keqpërdorin situatën për përfitime. “Prandaj, Qeveria duhet që të intervenojë në raste të tilla, duke futur në treg, nëse është nevoja, nga rezervat e shtetit. Sepse, tash ka pasur rritje veçanërisht të çmimit të sheqerit dhe disa artikujve të tjerë. E tërë e keqja është se tregu i Kosovës ka pasur stoqe me rezerva të mjaftueshme dhe kemi pasur një treg me furnizime të vjetra, por tregtarët e kanë keqpërdorur situatën dhe i kanë ngritur çmimet”, theksoi ai.

(Kosova Sot)