Pas takimit me presidentin slloven, Osmani: Njohja reciproke Kosovë-Serbi, rruga e vetme që siguron paqe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën se njohja reciproke me Serbinë është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

Pas takimit me homologun e saj slloven, Borut Pahor, Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun që zhvillohet në Bruksel, i cili në qendër duhet të ketë njohjen reciproke mes dy vendeve.

Ajo po ashtu përmendi edhe nevojën për liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa presidentit të Sllovenisë i kërkoi që t’i japë shtytjen e fundit këtij procesi.

“Sot dua të ju falënderoj për angazhimin tuaj për t’i bashkuar vendet e rajonit, në këtë kohë vendimtare për kontinentin tonë dhe përtej. Derisa po përballemi me shumë sfida, nevoja e bashkëpunimit rajonal bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Presim të bashkëpunojmë ngushtë me Slloveninë dhe vendet tjera demokratike për të gjetur zgjidhje që ndihmojnë në lehtësimin e barrës për qytetarët tanë”, deklaroi presidentja Osmani.

“Mbesim besimplotë se Sllovenia do të vazhdojë të jetë zëri ynë edhe në forumet ku ende nuk jemi të pranishëm. Gjersa po i afrohemi liberalizimit të vizave, dua të ju falënderoj për angazhimin tuaj në këtë proces dhe të ju kërkoj edhe njëherë të jepni një shtytje të fundit në këtë proces në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të vizitojë vendin tuaj të bukur edhe gjithë Evropën”.

“Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun që zhvillohet në Bruksel, e i cili në qendër duhet të ketë njohjen reciproke. Kjo është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Dua të ju falënderoj edhe njëherë për miqësinë tuaj dhe partneritetin e sinqertë. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunojmë me ju!”.

Në fund, ajo tha se Sllovenia mbetet shembull i shkëlqyeshëm i një shteti të suksesshëm në kuadër të strukturave euroatlantike. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS