RCCOLA

Pas takimit me Osmanin, Haradinaj: Sulmi në veri shte terrorizëm i pastër, rreziku vazhdon edhe më tutje

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka folur për takimin që zhvilloi sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Haradinaj pas takimit në një konferencë për media tha se biseduan për situatën e sigurisë në vend pas sulmit terroristë që ndodhi të dielën në veri.

“Me ftesë të presidentes shkova në këtë takim lidhur me situatën e Kosovës. Biseda ishte kryesisht me situatën e sigurisë nga zhvillimet në vend të ditëve të fundit të ndërlidhura me sulmin terroristë në veri ku humbi jetën, Afrim Bunjaku”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj potencoi se ngjarja që ndodhi të dielën ishte terrorizëm i pastër dhe sipas tij “rreziku vazhdon edhe më tutje”.

“Kosova edhe në të kaluarën është përballur me situata të sigurisë. Kjo që ndodhi tani është e pastër terrorizëm. Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla. Për shkak se rreziku vazhdon edhe me tutje, është prezent rreziku”.

Fundamenti

Haradinaj tha se institucionet e sigurisë të vendit u treguan të suksesshme, por se të njëjtën duhet ta bëjnë edhe politikanët në pushtet.

Ai tha se duhet që të kryhen edhe hetime për të vërtetuar atë që dihet se Serbia qëndron pas sulmit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.

“Serbia nuk e fsheh faktin se është sponzorizuse e trajnuese dhe u ka dhënë udhëzimet këtij grupi terrorist. Të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi edhe pse shihet dhe dihet, por duhet edhe nga hetuesit ndërkombëtarë. Me mundësi edhe të një gjykate ashtu siç ka ndodhur në Kosovë”.

Haradinaj tha se një situatë e tillë është mjaft komplekse dhe se etapat që vijnë kërkojnë një koordinim të të gjithëve.

“Askush nuk duhet të mungojë për të bërë pjesën e vet, askush në Kosovë. Kemi nevojë për aleatët e sigurisë. Vetëm imagjinoni nëse aty në veri të mos ishte KFOR-i, ushtarët amerikanë…”, tha Haradinaj. /Telegrafi/