RCCOLA

Pas sulmit terrorist në veri, Gërvalla: Asgjë nuk mund të mbetet ashtu siç ka qenë

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje kryeqyteteve perëndimore që të ndërmarrin veprime kundër Serbisë.

Gërvalla, në një intervistë për gazetën britanike ‘The Guardian’ ka thënë se ‘ajo që ndodhi të dielën, më 24 shtator 2023, ishte një akt i hapur agresioni i Serbisë kundër Republikës së Kosovës”.

“Kjo është dëshmuar edhe në ditët e kaluara me një mori dëshmish”, tha ajo, duke shtuar se “institucionet e Kosovës përditë po zbulojnë më shumë armë dhe pajisje ushtarake në vende të ndryshme të pjesës veriore të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë”.

Shefja e diplomacisë kosovare e akuzoi Serbinë se qëndron “pas sulmit terrorist” dhe tha se “nuk ka dy palë në këtë përshkallëzim”, e që ajo e ka vlerësuar si “një kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”.

Uji Dea

“Qëllimi i këtij agresioni ishte pushtimi i veriut të Kosovës dhe imponimi i ndarjes, qëllim për të cilin qeveritarët e Serbisë kanë punuar vazhdimisht, haptas dhe në fshehtësi, me vite të tëra”, tha tutje Gërvalla.

“E shihni, derisa ne po angazhoheshim në Bruksel në atë që quhet një dialog për normalizimin, Serbia është duke u përgatitur për një pushtim të vendit tonë. Vetëm falë reagimit profesional dhe në kohë të policisë sonë, sulmi terrorist nuk ka pasur sukses”, ka nënvizuar Gërvalla.

Siç transmeton RTK, ajo më tej ka thënë se “tani asgjë nuk mund të mbetet ashtu siç ka qenë”, teksa ka kërkuar “veprime të qarta nga BE-ja dhe perëndimi kundër Serbisë”.

“Është e pakuptueshme se si Kosova ende është e sanksionuar nga BE-ja për zbatim të sundimit të ligjit, ndërsa Serbia po tolerohet në agresionin e saj të stilit të Donbasit kundër një fqinji sovran”, ka thënë Gërvalla.