Hidromorava

Pas suksesit në modelim, synon aktrimin

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Kaltrina Berisha tashmë ka bërë emër në fushën e modelimit dhe prezantimit të bukurisë. Që nga triumfi në garën “Miss Pavarësia 2015”, e deri te përfaqësimi i Kosovës në “Miss Freedom of the World”, por edhe shumë evenimente të tjera të bukurisë, Kaltrina ka vazhduar të shkëlqejë.

Ajo gjithashtu gjatë këtij viti ka pasur dy paraqitje të rëndësishme në prezantimin e bukurisë, ku fillimisht në qershor ka marrë pjesë në evenimentin “Miss Summer World” që është mbajtur në Durrës, ku ka fituar disa çmime, si atë “Miss Përcjellësja”, “Miss Ballkan” dhe “Miss Press”, shkruan “Zeri.info”.

Po ashtu, ajo në korrik ishte pjesëmarrëse në garën “Miss Turizmi”, i mbajtur po ashtu në Durrës, ku është shpallur si “Miss Eleganca”.

Edhe pse ka marrë oferta për të punuar si modele në vende të ndryshme perëndimore, Kaltrina ka vendosur që karrierën e saj ta zhvilloj në Kosovë.

Përveç kësaj, ajo gjatë këtij viti ishte edhe pjesë e rregullt e stafit të shout të popullarizuar televiziv “Odeon”, përkrah Naim Abazit dhe Mihrije Brahës.

Por të gjitha këto sikur nuk kanë mjaftuar për bionden e bukur dhe elegante, pasi ajo dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë karrierën e saj.

Fundamenti

Edhe pse siç deklaron ajo nga modelimi ka të ardhura mjaft të mira, prapë synimi i saj i ardhshëm tani është aktrimi, për të cilin thotë se është dashuruar.

Dhe arsye për këtë është pikërisht paraqitja e saj në “Odeon”, por edhe debutimi në serinë televizive “192”, ku është paraqitur në tre episode, edhe pse ishte simbolike.

Ajo tani planifikon të ndjek kursin e aktrimit, apo mundësisht edhe të studioj aktrimin, pasi synimi i saj afatgjatë, është pikërisht aktrimi.

“Aktrimi është ai që më pëlqen shumë dhe planifikoj të merrem seriozisht me të. Së shpejti do të filloj me orë të aktrimit, në mënyrë që të jem sa më e përgatitur për rolet e mundshme filmime apo në seriale. Ky do të jetë pasioni im i ardhshëm”, ka deklaruar Kaltrina për gazetën “Zëri”.

Ajo gjithashtu ka zbuluar se së shpejti do të realizoj edhe një set të ri fotografik me fotografin e njohur Blerdi Malushi.