RCCOLA

Pas një dekade, Republika e zhytur deri në fyt

/ 10 minuta lexim

Analistët e shohin me shqetësim të madh faktin se si njerëzit e drejtësisë, në vend se të zbulojnë e të luftojnë me detyrë zyrtare “ex officio” krimin e organizuar e korrupsionin, dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit për mbi 18 vjet, janë bërë një dhe bashkë me gjyqtarë e prokurorë dhe qeveritarë apo kryetarë e sundimtarë komunash, duke rënë ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, që parasheh detyrimisht tri pushtete të ndara e të pavarura nga njëra-tjetra.

Politika zhvatëse, me pasoja të rënda për qytetarët

Ndonëse Republikën e Kosovës e ndajnë vetëm edhe dy muaj nga mbushja e një dekade të plotë të funksionimit si shtet i pavarur, lufta kundër krimit dhe korrupsionit vazhdon të mbetet akoma njollë e zezë dhe e pashlyer e institucioneve. Analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit konsiderojnë se është një shkarje e madhe në procesin e shtetndërtimit, derisa nuk po funksionon shteti i së drejtës, e ku Prokuroria në Kosovë, edhe pas afro 10 vjetëve të paspavarësisë, që nga koha e UNMIK-ut, pastaj edhe me EULEX-in, e deri në ditët e sotme, nuk arriti dhe nuk guxoi të zbardhë skandalet se si trafikohen e fitohen kundërligjshëm tenderët prej dhjetëra-milionësh, edhe ata njëburimorë në Kosovë, pastaj si jepen ryshfetet dhe si shpërlahen paratë përmes kompanive që fitojnë këta tenderë deri qindra-milionësh përmes krimit të organizuar dhe të lidhur me politikën dhe nëntokën kriminale të instaluar qëllimisht në vend.

Analistët e shohin me shqetësim të madh faktin se si njerëzit e drejtësisë, në vend se të zbulojnë e të luftojnë me detyrë zyrtare “ex officio” krimin e organizuar e korrupsionin, dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit për mbi 18 vjet, janë bërë një dhe bashkë me gjyqtarë e prokurorë dhe qeveritarë apo kryetarë e sundimtarë komunash, duke rënë ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, që parasheh detyrimisht tri pushtete të ndara e të pavarura nga njëra-tjetra.

Falë këtij dështimi të madh të drejtësisë kosovare, është krijuar edhe bindja se do ta bënte një shërbim më të mirë Gjykata Speciale e votuar në Parlament, nëse do të merrej kryesisht me krimet ekonomike dhe vrasjet politike në Kosovën e pasluftës, e ku prokuroria dhe gjykatat vendore as që guxuan të prekin “peshqit e mëdhenj” të bizneseve dhe politikanëve të zhytur aktivisht në krim te organizuar ekonomik.

Pushtetet e bashkuara rreth korrupsionit

Ish-drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit në Kosovë Hasan Preteni, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për etikë, transparencë dhe integritet, thotë se është për t’u habitur që edhe në javën ndërkombëtare kundër korrupsionit që po shënohet në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit nuk flasin për këtë temë. “Sot është dita e tretë e ‘Javës kundër korrupsionit’, nuk ka së paku prononcime të zyrtarëve institucionalë, u prononcuan disa OJQ, ambasadorët e QUINT-it dhe askush nga institucionet!!!!! Pushtetet e ndara teorikisht, por të bashkuara praktikisht”, u shpreh ai. “Legjislativi nuk miraton-amendamenton ligje antikorrupsion dhe nuk kërkon raportimin e mekanizmave antikorrupsion, Qeveria është pa iniciativë dhe ‘prodhuese’ e fuqishme e nepotizmit, klientelizmit, politizimit të të gjitha institucioneve. Prokuroria është nën ndikimin e politikës dhe e shantazhuar, gjykatat janë joefikase dhe inerte dhe në fund qytetari është joaktiv dhe i përgjumur. Mekanizmat e pavarura nuk veprojnë, sepse të gjithë titullarët e tyre janë joprofesionalë me diploma false dhe të shantazhuar. Të gjitha pushtetet e kanë një të përbashkët: e kanë monopolin, nuk e kanë transparencën dhe llogaridhënien, veprojnë si të duan dhe çka të duan. Duhet një reformë e fuqishme, një Veting”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Lulëzimi i tenderomanisë

Njohësi i politikave ekonomike, Mustafë Kadriaj thotë se bazamenti i krimit dhe korrupsionit, në mënyrë legale, është vendosur që në kohën e UNMIK-ut dhe tani e tutje vazhdon jo duke u eliminuar, por duke u avancuar edhe më lart e më shumë. “Kosova që nga pas lufta, me vendosjen e administratës së UNMIK-ut, ka hyrë në këtë sistem, kur bashkë me të u instalua për fat jo të mirë edhe sistemi 10% për tender. Por, si duket, zyrtarët e prokurimit, si në nivel qendror dhe lokal, nuk u mjaftuan, saqë edhe mbas dhënies së tenderëve deri në përfundim të projektit, kompanitë fituese u paguajnë dreka e darka, pushime vjetore, por edhe për çdo pranim të pozicioneve gjatë realizimit të projektit duhet t’ua nxehin xhepin me ndonjë të vjelë edhe prej rreth 500 . Me këtë dua të potencoj që korrupsioni në prokurim lulëzon dhe zhvillohet pa u penguar nga askush, sepse ende nuk ka ndonjë iniciativë nga prokuroria për krime ekonomike dhe gjykatat për çështje ekonomike”, ka theksuar ai. “Jam skeptik për atë që edhe nëse Gjykata Speciale do të ngarkohej me këtë detyrë do ta ndalte dhe do ta gjykonte këtë fenomen, sepse oligarkët në Kosovë vetëm po i krijojnë rrjetet mbështetëse të tyre edhe në drejtësi, derisa gjykimet mbahen sa për sy e faqe. E them këtë, sepse kemi rastin e fundit me daljen të pafajshëm të liderit të NISMË-s Fatmir Limaj, ku dihet për pasuritë marramendëse, që po duket të jetë e njerëzve të fortë. Nuk do të ketë hapa konkretë përderisa gjykatësit dhe prokurorët vendosen nga politika ditore, pra duhet të jenë të pavarur dhe larg ndikimit politik”, vijoi më tutje ai. Sipas tij, me këtë nivel të korrupsionit, buxheti i Kosovës çdo ditë dëmtohet skajshmërisht, dhe njëherësh ndodh krijimi i një imazhi jo të mirë në nivel ndërkombëtar, ku investitorët e huaj do të hezitojnë për investime të mundshme në Kosovë, ku kemi shumë raste të largimit të investitorëve si rezultat i korrupsionit.

Mobi Casa

Kriminalitet i organizuar

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Xhevdet Neziraj thotë se është fakt që deri më tani fusha e prokurimit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një hallkë e madhe e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shpreson që reforma të thella në këtë fushë do të ndodhin në këtë mandat të Qeverisë “Haradinaj”, pasi edhe zotimet kanë qenë të kësaj natyre gjatë gjithë kohës së fushatës. Ekonomisti Neziraj thotë se edhe Kosova si shtet i pavarur nuk mund të instalojë ekonomi të lirë të tregut, nëse ekzistojnë akoma monopolet dhe rrjetet kriminale të oligarkëve të lidhur me politikën e kriminalizuar. “Them që pavarësia e Kosovës, e shpallur para 10 vjetësh, është e pamjaftueshme për të arritur mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit, nëse nuk kemi funksionim të mirëfilltë të shtetit ligjor, sepse shpërdoruesit e aseteve publike dhe të parave, të buxhetit që akumulohet nga taksat e qytetarëve janë akoma të paprekshëm në institucionet e Republikës të Kosovës”, u shpreh ai. “Askush nuk mund ta mohojë faktin që të gjitha keqpërdorimet dhe korrupsioni galopant është bërë deri më tani nëpërmes tenderëve kryesisht në emër të investimeve kapitale. Kur e themi këtë duhet ta dimë që edhe nuk është aspak e rastësishme që, si në nivelin lokal po ashtu është në atë qendror, zënë vend kryesisht investimet në infrastrukturën rrugore, sepse në këto raste po ka më shumë mundësi të keqpërdorimeve të mëdha të parasë publike”, pohoi Neziraj për “Kosova Sot”.

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica i tha gazetës “Kosova Sot” se instalimi i sistemit politikekonomik -liberal po keqshfrytëzohet në ekstrem nga oligarkët dhe mafiozët politikë në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë, sepse kështu ka qenë edhe përgjatë kohës së UNMIK-ut, ka vazhduar me EULEX-in dhe këtë traditë të mbrapshtë po e mbajnë të gjallë edhe institucionet e Kosovës, të kapura nga politike e kriminalizuar. “Krimi dhe korrupsioni në fushën e prokurimit, tenderomania kriminale, janë burimi i të gjitha të këqijave që kanë ndodhur deri tash në Kosovë. Fakti se ish-qeveritë e mëparshme, duke e ushtruar pushtetin si monark dhe jo si qeveri e dalë nga vota e lirë e qytetarit, kanë prodhuar edhe një revoltë të papërmbajtur te qytetarët, e cila me vite është akumuluar dhe tash pothuajse po shihet që është mbushur kupa e durimit dhe veç sa nuk ka filluar të derdhet. Duke vepruar në kokë të vet, këto të deritanishme, këto institucione të sundimit të ligjit, të kapura nga oligarkët e kriminalizuar, kanë bërë që të hapet një hendek i madh midis popullit dhe pushtetit”, vlerësoi Hertica.

Zhvatësit e shtetit

Edhe analisti Skënder Mulliqi ka pohuar për “Kosova Sot” se Kosova po kalon nëpër shumë procese të vështira të shtetndërtimit.”Nuk u përforcua legjitimiteti karshi qytetarëve, të cilët edhe pas 17 vjetësh po jetojnë keq. Nuk iu garantua atyre një qeverisje e mirë dhe sundim më i mirë i rendit dhe i ligjit. Performanca e shtetit të Kosovës është e ulët, nuk po kemi rritje të ecurive ekonomike konform kërkesave të qytetarëve, nuk kemi investime të jashtme aq shumë të nevojshme, nuk kemi procese demokratike, të cilat i kërkon sistemi shumëpartiakë pluralist. Ende nuk është larguar mendësia e vjetër e sundimit, nuk është flakur logjika përfituese materialiste, duke mos zgjedhur metoda dhe mjete”, u shpreh ai. “Krejt këto na ndodhën se në krye të organeve tona, që nga nivelet lokale deri të ato qendrore, po kemi njerëz, të cilët nuk marrin vesh në politikëbërje, kemi njerëz të cilët me çdo kusht dëshiruan të pasurohen në mënyrë jolegjitime, të cilët u zhytën në afera të ndryshme kriminale dhe korruptive. Kjo e përkeqësoi shumë gjendjen ekonomike dhe gjendjen politike dhe të sigurisë në vend, duke shkaktuar varfëri të madhe. Patëm një privatizim përfitues dhe zhvatës të një kategorie njerëzish në krye të politikës dhe të biznesit, të cilët u pasuruan me prona shoqërore dhe ky privatizim kurrë nuk u hetua nga Prokuroria e Shtetit, se si dhe në çfarë mënyre është bërë. Pikërisht nga ky privatizim u krijuan të pasurit në Kosovë. Privatizimin duhet hetuar e jo të mbetet barrë e rëndë mbi supet e Kosovës, se në pyetje është pasuria shoqërore e këtij shteti”, vijoi më tutje Mulliqi.

Sipas tij, administrata e kaluar e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dështoi që t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës një administratë, e cila do të kishte prioritet respektimin e sundimit të ligjit. “Kështu ndodhi edhe me EULEX-in, që shumë ka dështuar në mbajtjen e kompetencave. Të dyja nuk i luftuan krimin e organizuar dhe nuk e luftuan as korrupsionin, dhe na lanë mbrapa logjikën e mosndëshkimit të krimineleve”, theksoi ai. Sipas Mulliqit, nëse dëshirojmë të kemi shtet funksional dhe shtet ligjor, atëherë askush nuk guxon të ngritët mbi institucionet e shtetit. Ai shton se njëherë e përgjithmonë do të duhej të përfundojë ndikimi i politikës ditore mbi organet e drejtësisë.

(Kosova Sot)