Pas MSA-së vijnë vizat

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Aosciimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian është vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme e Kosovës së pasluftës, që hap përfundimisht kapitullin e integrimit në BE. Ky vlerësim është dhënë në një konferencë për media nga kryeministri, Isa Mustafa, i cili të mërkurën bashkë me zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, e prezantuan MSA-në si të arriturën më të madhe të ekzekutivit. Në këtë konferencë është thënë se pas nënshkrimit të MSA-së do të ndodhë edhe një liberalizimi i vizave në vitin 2016.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) do të ndikojë në forcimin e shtetit. “Kjo marrëveshje në tërësinë e saj ka efekte shumë pozitive për Republikën e Kosovës, si politike, ekonomike dhe juridike. Kjo marrëveshje vendos zyrtarisht marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian… Në aspektin institucional e praktik marrëveshja i hap rrugë Kosovës drejt reformimit në të gjithë sektorët”, është shprehur Mustafa, sipas të cilit, me këtë marrëveshje do të liberalizohet tregu evropian për prodhimet kosovare.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, e ka cilësuar nënshkrimin e MSA-së hapin më të rëndësishëm deri më tani në raportet mes BE-së dhe Kosovës. “Sot Kosova ka arritur në nivel të barabartë me vendet e tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi, apo edhe me Serbinë sepse jemi futur në rrugë zyrtare të BE-së dhe ajo që është me rëndësi është se e kemi edhe përkrahjen e BE-së në mënyrë unike. Ky sukses është mesazhi më i mirë se ne duhet të punojmë të gjithë edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.

Fundamenti

Kurse ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, e ka cilësuar si të një rëndësie historike nënshkrimin e MSA-së.

“Kjo është një e arritur shumë e madhe dhe e kemi cilësuar si historike, por ka edhe një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment shumë delikat, shumë të vështirë duke e ditur që Kosova ende nuk ka arritur të njihet nga të gjitha shtetet e BE-së, megjithatë e ka arritur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, duke u futur në marrëdhënie kontraktuale”, ka deklaruar Çollaku.

Ai më tej ka thënë se Ministria që ai drejton në fillim të këtij mandati i ka vënë vetes dy objektiva: nënshkrimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave. Çollaku është shprehur i bindur se kosovarët do të mundë të lëvizin pa viza gjatë vitit të ardhshëm./zeri/