Pas marrëveshjes së Ohrit, Chollet: Kosova më afër se kurrë drejt të ardhmes së saj në BE

/ 3 minuta lexim

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, duke komentuar bisedën telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova tani është më afër se kurrë në të ardhmen e saj drejt BE-së.

Chollet, në një bisedë telefonike, ka përgëzuar kryeministrin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kam uruar sot kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova tani është më afër se kurrë të ardhmes së saj drejt BE-së”, ka shkruar Chollet në një Twitter, trasmeton Telegrafi.

Congratulated Prime Minister @albinkurti today on the agreement reached in Ohrid, North Macedonia, on normalization of relations with Serbia through the EU-Facilitated Dialogue. Kosovo now closer than ever to its EU future.

Edhe kryeministri Kurti me herët ka thënë se la pasur një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë amerikan Chollet.

Ai ka thënë se Chollet e ka falënderuar për mbështetjen dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja themelore dhe aneksi, siç thuhet në tekst dhe frymë, tani duhet të ndryshojnë gjendjen në terren dhe kushtet”, ka shkruar Kurti.

Fundamenti

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.

Shumë shtete të BE-së e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi. /Telegrafi/