KKVITI

Pas kërkesës së SHBA-së, Qeveria e Kosovës shtyn zbatimin e vendimeve për reciprocitet deri me 1 shtator

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin e reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime deri me 1 shtator.

Në deklaratën e lëshuar të Qeverisë, thuhet se vendimi erdhi pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, si dhe faktorët të tjerë ndërkombëtarë.

“Kurti së bashku me Osmanin dhe zv/kryeminsitrin Bislimi e Gërvalla, kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje Qeveria ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

Po ashtu, ka dënuar ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje.

“Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë”.

Uji Dea

Në fund Qeveria thotë se akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e së dielës, të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Ndryshe, edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kishin bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Në atë kohë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa.

Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse. /Telegrafi/