RCCOLA

Pas djegies së veturave me targa RKS në veri, Hovenier: Këto janë vepra frikacake dhe kriminale

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas rastit të sotëm të djegies së tri veturave në veri të Kosovës.

Hovenier, përmes një postimi në Twitter, i ka cilësuar këto akte si vepra fikacake dhe kriminale.

“Fatkeqësisht, më duhet ta përsëris këtë mesazh. SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa RKS për veturat sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dënuar aktin e djegies së disa veturave të qytetarëve të nacionalitetit serb në veri të vendit, duke i quajtur veprime të dhunshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së premtes janë djegur tri vetura me targa RKS – Republika e Kosovës – të cilat u përkasin banorëve të nacionalitetit serb në veri.

Sipas Policisë, një veturë është djegur në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicë të Veriut.

Dy vetura tjera me targa RKS, në pronësi të serbëve lokalë janë djegur edhe më 30 mars.

Mobi Casa

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia. /Telegrafi/