UBT

Pas betonit e qeramikës

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi – Rasti i skandalit me pasaportat biometrik nuk guxon të heshtet kinse për të pritur fjalën e drejtësisë

Skandali i 1,4 milionë euro që Ministria e Punëve të Brendshme “i ka paguar” për prodhimin pasaportave biometrik po merr dimensione të tjera. Ai edhe më shumë po forcon bindjen për lehtësinë e padurueshme për keqpërdorimin e parasë publike, për veprimet kriminale tehet të tejdukshme dhe pa pikë frike e turpi, por edhe për mungesën e masave për ndëshkimin e bartësve të tyre.

Shkarkimi i disa zyrtarëve (anësorë) nga kjo ministri, si edhe deklarimet se duhet pritur që gjyqësia ta thotë fjalën, janë vetëm tentim për zvarritje, si edhe për zhvendosjen e përgjegjësisë në një nivel më të ulët.

Përgjegjësia rreth këtij rasti duhet të arrije deri në majën e ekzekutivit të vendit. Sado që rreth këtij rasti përmendet edhe emri i kryeministrit, por pa ofruar dëshmi të besueshme, megjithatë, përgjegjësia e tij ka të bëjë me mosveprimin- heshtjen. Ai duhet të jetë më këmbëngulës dhe të insistoj në zbardhjen e të vërtetës, me qëllim që ta ruaj edhe at pak fytyrë që i ka mbetur kësaj qeverie. Pra, fjala është për përgjegjësinë politike dhe morale, e cila shtrihet në nivelet e larta, prej ministrit e deri te kryeministri.

Në fakt, asgjë nuk po ndodhë për zbërthimin e këtij problemi. Tash ka deklarime se këto para janë futur në beton dhe në qeramikë !? Për çfarë punësh ? Sërish të pista. Edhe po të jetë e vërtetë se paratë këtu përfunduan me urdhrin e kompanisë e cila ka pranuar pagesat nga MPB-ja , sërish kjo nuk zvogëlon përgjegjësinë, meqenëse është dashur të përcillet mënyra e qarkullimit të parasë dhe vendi se ku po përfundojnë ato. Mirëpo, këtë nuk kanë mundur ( e as që kanë dashur) ta bëjnë pikërisht ata që konstruktuan makinerinë e manipulimit. Këtë e ka vështirë ta zbërthej edhe gjyqësia, meqenëse ajo nuk vepron pa ndikime nga jashtë, përkatësisht nuk ka fuqi që të merret me frymëzuesit e krimit, por vetëm me ekzekutorët teknik.

Në këtë rast, kur përmendet betoni dhe qeramika, asocimi i parë është shpëlarja e parasë. Formula e shpëlarjes së parasë është e njohur në tërë botën, ndërsa në Kosovë kjo bëhet krejtësisht ashiqare. Ndërtimtaria në tërësi noton në informalitet dhe përmes ndërtimit të skemave piramidale, që lehtë mund të përfundojnë me pasoja të rënda. Mirëpo, kur është në pyetje pagesa për pasaportat biometrik, nuk ka pasur nevojë të bëhet shpëlarja e parasë, meqenëse burimi i tyre ka qenë shumë i qartë.

Uji Dea

Këtu ka ndodhur një fenomen krejtësisht i kundërt- paratë e pastra janë bërë të pista. Ato janë paguar për një qëllim të caktuar, kurse kanë përfunduar diku tjetër. Pra, ka ndodhur zhvendosja, pa asnjë mbulesë. Nëse zhvendosjen e ka bërë kompanie ndërmjetësuese e të akuzuarës Natali Veliaj, atëherë ajo duhet të jep llogari para kompanisë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei” , prodhuese e pasaportave biometrik. Mirëpo, lëmshi i krimit nisë me faktin se pagesat në kontot e tjera dyshohet se janë bërë me kërkesën e palës kontraktuese, në këtë rast të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por, ministria, nga aspekti ligjor, pa letra nuk ka mundur të dislokoj asnjë cent. Ligji për menaxhimin e financave publike e thotë qartë se, pa lejen e ministrit mund të transferohen deri në pesë për qind të mjeteve nga një destinancion, te tjetri, pastaj, numri një i ministrisë mund të lejoj zhvendosje të shumave deri në 15 për qind të një ndarje nga buxheti, nëse shuma shkon deri në 25 për qind, për këtë duhet të vendosë Qeveria e Kosovës, ndërsa për shuma më të larta leje mund të jep vetëm Kuvendi i Kosovës.

Meqenëse te rasti i pasaportave biometrik bëhet fjalë për zhvendosjen e 10 për qind të shumës, atëherë kjo nuk ka mundur të ndodhë pa lejen ministrit. Për këtë formulë insiston ligji, por këtu gjithçka ka pasur rrjedhën e jashtëligjshme, prandaj, është punuar pa letra, e pa vendime.

Duke shpresuar se gjyqësia do ta zbardhë këtë rast dhe do të ndëshkoj bartësit e këtij manipulimi, është befasues fakti se me çfarë lehtësie manipulohet me paranë publike. Sipas informatave të prezantuara në opinion, edhe laikët e kuptojnë se kjo mënyrë e manipulimit “nuk është mbyllë me letra”. Që në fillim ka qenë e qartë se kompania austriake mbetet e shkurtër për 1,4 milionë euro, apo me 10 për qind të shumës së kontraktuar përmes tenderit për pasaportat. Nëse austriakët fillimisht janë pajtuar që ky ka qenë çmimi i “tallit”, sërish kanë bërë mirë që kanë reaguar. Ndërkaq, nëse zyrtarët nga ministria, apo nga kompania ndërmjetësuese kanë bërë pagesa sipas interesave individuale, atëherë këtë punë e kanë bërë me një naivitet të paimagjinueshëm, meqenëse mundësia për zbulim ka qenë shumë e lehtë. Posaçërisht nëse në një moment hidhërohet dikush prej lojtarëve, apo nëse sado pak funksionon shteti ligjor.

Tash, në nivelin në të cilën ndodhet ky skandal, është e pa pranueshme heshtja nënë pretekstin se duhet të pritet fjala e gjyqësisë. Është krejtësisht normale se nuk duhet ndëshkuar ata që fare nuk janë të zhytur në këtë skandal, por ka vend për përgjegjësinë morale e politike. Posaçërisht për faktin se korrupsioni me paranë publike, si edhe përdorimi me papërgjegjësi i parasë së tatimpaguesve është bërë dukuri e zakonshme në Kosovë. Krejt kjo për faktin se askush nuk ka dhënë llogari për veprimet e këtilla.

Nëse mungon vlerësimi i përgjegjësisë si akt moral, atëherë kjo duhet të bëhet përmes mekanizmave detyrues. Përderisa nuk vepron ky mekanizëm, atëherë çështja e 1,4 milionë eurove do të jetë vetëm një rast në mesin e shumë të tjerëve që mund të ndodhin në të ardhmen. Kjo është e qartë kur kemi parasysh mekanizmat e ngathtë të drejtësisë në Kosovë , mos guximin e tyre që të veprojnë drejt, si edhe mos-veprimin e aparatit për dhënien e llogarisë. E ky aparat nuk mund të funksionoj brenda institucionit ku gatuhet krimi, por te ata që kanë marrë përgjegjësinë për zero tolerancë ndej korrupsionit. Pra, adresa është zyra e kryeministrit, e cila nuk duhet të heshtë.