Fundamenti

Pas 30 vitesh në Zvicër, familja dëbohet në Maqedoni: babai akuzon autoritetet

/ 4 minuta lexim

Një familje prej gjashtë anëtarësh është detyruar të largohej nga Zvicra në Maqedoninë e Veriut, këtë vit. E gjithë kjo, me fajin e kryefamiljarit.

Për vite me radhë, familja e D.* (57 vjeç) i kishte rezistuar dëbimit, duke e çuar rastin madje dy herë në Gjykatën Federale. Por pa sukses. Familja prej gjashtë anëtarësh ka tashmë mbi katër muaj që jeton në Maqedoninë e Veriut, transmeton albinfo.ch. “Nuk kemi asgjë këtu dhe jemi vendosur te të afërmit. Fëmijët e mi nuk kanë të ardhme këtu. Ata as nuk e njohin vendin dhe as nuk e flasin gjuhën siç duhet”, thotë D.

57-vjeçari kishte ardhur në Zvicër 30 vjet më parë. Tetë vjet më vonë i ishte bashkuar edhe gruaja e tij. “Ne u martuam dhe patëm katër fëmijë. Jeta jonë këtu ishte e mirë”, thotë ai, shkruan 20minuten.ch.

Por kur gruaja e tij u sëmur rëndë, atij ju desh të linte punën dhe të kujdesej për fëmijët. Për shkak se çifti, që ndërkohë jetonte nga ndihmat sociale, grumbullonte gjithnjë e më shumë borxhe dhe D. kishte rënë në kundërshtim me ligjin, autoritetet i hoqën lejen e përhershme (Viza C) atij dhe lejen e qëndrimit (Viza B) gruas së tij.

Përfundimisht familjes iu kërkua të largohej nga vendi, përcjell albinfo.ch. Dhe kjo përkundër faktit se mjekët kishin tërhequr vërejtjen se nuk bënte të bëhej dëbimi për shkak të gjendjes së paqëndrueshme mendore të gruas. Këtë e tregojnë edhe dokumentet që disponon 20 minuten.

“Nuk e kuptoj pse fëmijët e mi duhet të paguajnë për gabimet e mia”

Më e keqja këtu është se bashkë me çiftin, edhe mijët e tij gjithashtu duhej të largoheshin nga Zvicra. Vajza e tij e madhe kishte ende mundësinë të niste një praktikë profesionale pak përpara dëbimit. “Me praktikën ajo do të kishte marrë një arsim të mirë dhe së shpejti do të ishte në gjendje të pavarësohej”.

Uji Dea

Ai tani shpreson të gjejë një mënyrë që fëmijët e tij, 12 dhe 20 vjeç, të kthehen në Zvicër. “Nuk e kuptoj pse fëmijët e mi duhet të paguajnë për gabimet e mia”, thotë D. “Kjo është çnjerëzore. Ata kanë lindur në Zvicër, atje kanë atdheun. Ata nuk janë të lumtur këtu dhe me të vërtetë duan të kthehen”.

Ankesa e refuzuar nga Gjykata Federale

Sipas një vendimi të Gjykatës Federale, D. është dënuar disa herë, përfshirë për falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit të trafikut rrugor, transmeton albinfo.ch. Në vitin 2008, autoritetet e migracionit kishin zbuluar gjithashtu se borxhet eçiftit ishin rritur masivisht. Pasi situata ishte përkeqësuar më tej, zyra e migracionit i hoqi D. lejen e përhershme (Viza C) dhe nuk ia zgjati lejen e qëndrimit (B), gruas së tij.

Përveç kësaj, ajo vendosi për dëbimin e familjes nga Zvicra. Një ankesë kundër kësaj u hodh poshtë nga Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Federale në vitin 2015. Zyra e migracionit nuk iu përgjigj një kërkese për rishqyrtim apo kërkesë për vështirësi për vajzën e madhe. Më tutje, në vitin 2021, Gjykata Administrative dhe Gjykata Federale hodhën poshtë një apel kundër tij.

Mundësi (teorike) për kthim të fëmijëve

Përkundër të gjithave, ende ekziston një shpresë për kthimin e fëmijëve në Zvicër. Kështu të paktën thotë Mark Spescha, avokat dhe ekspert i njohur i të drejtës së të huajve. “Nuk është e pamundur që fëmijët të kthehen një ditë. Megjithatë, ata do të duhet të kapërcejnë pengesa të rëndësishme. Ata do të pranoheshin si migrantë për punë nga një i ashtuquajtur vend i tretë vetëm nëse do të ishin shumë të kualifikuar dhe nëse do të konstatohet mungesa e punëtorëve të kualifikuar në sektorin përkatës”.