Mobi Casa

Pas 12 vjetësh Gjykata jep vendimin: Rreth 15 mijë euro kompensim për ish-drejtorin e Policisë, Reshat Maliqi

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

12 vjet ka qenë pritja e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, për të vënë drejtësi lidhur me shkarkimin e tij nga kjo pozitë në vitin 2011. Pas gjithë kësaj kohe zvarritje nëpër procedura e gjykata, vendimi tashmë ka marrë formën e prerë. Shteti do t’ia kompensojë Reshat Maliqit rreth 15 mijë euro, si pasojë e shkarkimit të vitit 2011 që ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e gjykatës së shkallës së parë që ishte marrë në vitin 2020, dhe gjithashtu vendimin e Gjykatës së Apelit që u mor në nëntorin e vitit të kaluar. Vendimet janë siguruar nga avokati i Reshat Maliqit, Berat Tmava, i cili e ka mbrojtur ish-drejtorin e Policisë në këtë sagë me drejtësinë. E Gjykata e Apelit me aktgjykimin e fundit, ka rrëzuar ankesën e Qeverisë së Kosovës, duke e obliguar këtë të fundit t’ia kompensojë Maliqit disa paga.

Reshat Maliqi ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në vitin 2011, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi. Shkarkimi i Maliqit ishte i ndërlidhur me aksionin e muajit korrik, kur Kosova mori nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. Gjykata ka vërtetuar se me shkarkimin e Maliqit, janë shkelur dispozitat ligjore.

“REFUZOHET SI E PABAZUAR ankesa e të paditurës Republika e Kosovës/Qeveria, dhe VËRTETOHET Aktgjykimi i Gjykatës Themelore Prishtinë, C.nr. 1612/2019, i datës 11.3.2020”, thuhet qysh në hyrje të vendimit.

“Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë, gjatë vlerësimit të ligjshmërisë dhe rregullsisë së aktgjykimit aktual, ka gjetur se i njëjti nuk është përfshirë me shkelje qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 pika n) e LPK-së, në të cilën aludon e paditura në pretendimet e saj ankimore e as me shkelje tjera nga neni 182.2 pika b), g), j), k) dhe m) të LPK-së, për të cilat kujdeset sipas detyrës zyrtare, ku gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë dhe janë dhënë arsye të mjaftuara bindëse faktike dhe juridike lidhur me faktet vendimtare për vendosjen e kësaj çështjeje juridiko civile, dhe si rezultat drejtë është zbatuar edhe e drejta materiale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga Nacionale.

Në fund, Apeli ka theksuar se në vendimin e shkallës së parë nuk ka gjetur asnjë shkelje, si rezultat ka obliguar qeverinë t’ia kompensojë Maliqit shumën prej rreth 15 mijë euro në total.

“Përfundimisht, gjykata e shkallës së dytë vlerëson se në çështjen konkrete juridike është zbatuar drejtë edhe e drejta materiale përmes zbatimin e nenit 154 par. 1 të LMD-së, dhe nenit 80 paragrafi 1 të Ligjit të Punës, që ka rezultuar me miratimin e drejtë edhe të kësaj kërkese të paditësit, në shumat e gjykuara si në dispozitiv të aktgjykimit të goditur, shuma këto të vërtetuara nga gjykata e shkallës së parë duke u bazuar në ekspertizën financiare të bërë nga eksperti Riza Blakaj, auditor ligjor, me datën 22.10.2019, prandaj, pretendimet ankimore të të paditurës si në ankesë janë të pabazuara dhe nuk kanë ndonjë mbështetje në prova konkrete, të cilat do të ndikonin në vendosjen ndryshe të kësaj çështjeje juridike”, thuhet në aktgjykim.

Mobi Casa

Tashmë vendimi ka marrë formën e plotfuqishme.

Cili ishte vendimi në shkallën e parë?
Zvarritja nëpër procedura gjyqësore e këtij rasti ka shkuar më shumë se një dekadë. Më saktë qysh nga viti 2011 kur ishte shkarkuar Reshat Maliqi nga pozita e drejtorit të Policisë. Megjithatë, një vendim në shkallën e parë u mor para dy vitesh. Aty u konstatua se Qeveria ka shkelur ligjin, dhe është e obliguar ta kryejë kompensimin monetar.

“DETYROHET e paditura Republika e Kosovës-Qeveria e Kosovës, që paditës Reshat Maliqi nga Prishtina, në emër të pagimit të te ardhurave personale të cilat i ka realizuar në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe atë për periudhën nga data 25.07.2011 e deri me datë 29.10.2013, t’ia kompensoj paditësit shumën prej 13,105.20 €, në emër të pagës neto, shumën prej 730.75 € në emër të kontributit pensional në shkallë prej 5%, si dhe shumën prej 778.93 € në emër të tatimit në burim, të cilën do ta paguaj në Administratën Tatimore të Kosovës, e gjithsejt shumën prej 14,614.87 € (paga bruto)”, thuhet në vendimin e vitit 2020 të siguruar nga Nacionale.

Deri te ky vendim erdhi pasi paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte gjetur se shkarkimi i Reshat Maliqit ishte i paligjshëm.

“Andaj meqenëse në shqyrtimin e kaluar, i cili udhëhiqej C.nr.618/14, është vërtetuar së largimi i paditësit nga pozita e larteekur ishte i paligjshëm, gjykata vlerëson së kompensimi i të ardhurave për paditësin gjen mbështetje në dispozitat e lartcekura ligjore, pasi që po që së i njëjti do të vazhdonte punën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i njëjti do të përfitonte pagën e tij të përcaktuar më vendimin për emërimin e tij në atë pozitë”, thuhej në vendimin e shkallës së parë.

Reshat Maliqi për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të Policisë, pëveç Qeverisë së Kosovës e kishte paditur edhe kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin.

Maliqi ishte shkarkuar në kohën kur qeveria kishte ndërmarrë aksionin për marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31 në veriun e vendit. Megjithatë, Reshat Maliqi aso kohe, kishte deklaruar se nuk e kishte kundërshtuar këtë aksion.