Partneriteti kriminal pushtet-mafi i dobësoi dy shtetet shqiptare
Duke parë nivelin e dobët të funksionimit të sistemit të drejtësisë, kapjen e institucioneve të sundimit të Ligjit në nivel kombëtar, në të dyja shtetet në fqinjësi, Kosovë dhe Shqipëri, analistët politikë shprehin shqetësimin e tyre serioz, se që të dyja vendet po rrezikohen seriozisht nga partneriteti kriminal mes mafio-oligarkëve këndej dhe andej kufirit, ku fatkeqësisht ka metastazuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanabizimi dhe kontrabanda. Kjo mafio-oligarki për interesa shumë milionëshe po shkelin mbi imazhin e shteteve dhe mbi interesin nacional për shumë çështje.
Mulliqi: Kosova dhe Shqipëria janë bërë një përzierje midis organizatave kriminale dhe shteteve të privatizuara parazitare
Duke parë nivelin e dobët të funksionimit të sistemit të drejtësisë, kapjen e institucioneve të sundimit të Ligjit në nivel kombëtar, në të dyja shtetet në fqinjësi, Kosovë dhe Shqipëri, analistët politikë shprehin shqetësimin e tyre serioz, se që të dyja vendet po rrezikohen seriozisht nga partneriteti kriminal mes mafio-oligarkëve këndej dhe andej kufirit, ku fatkeqësisht ka metastazuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanabizimi dhe kontrabanda. Kjo mafio-oligarki për interesa shumë milionëshe po shkelin mbi imazhin e shteteve dhe mbi interesin nacional për shumë çështje.
Analisti politik, Ymret Reshiti, ka pohuar se instalimet e mafisë politike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtyre dy shteteve tek bashkësia ndërkombëtare.
Madje, ai ka pohuar se megjithëse në Shqipëri ka një nismë të vullnetit të mirë politik për të luftuar hashashin, korrupsionin dhe kontrabandën si një përpjekje për integrim në BE, në Kosovë nuk duket asnjë shenjë përmirësimi në këtë drejtim, dhe kjo do të jetë një gjendje akoma më e rëndë për Kosovën. “Mafia politike kosovare vazhdon edhe më tej të thellojë kontrollin e saj ndaj shtetit të Kosovës pa vrarë mendjen se si dukemi në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Mendësia kriminale e udhëheqjes politike shtetërore konsiston në atë që, sa më i fortë është mafia politike ,aq më i dobët është shteti. Impulsin më të madh të forcimit të mafisë politike në pushtet ia jep oligarkia kriminale, e cila paraqet burim të pashtershëm të përkrahjes financiare”, është shprehur Reshiti.
Ai thotë se si Shqipëria ashtu edhe Kosova po vuajnë nga sindroma mafi-oligarkike, të cilat kanë hequr nga prioriteti i shtetit shumë tema me rëndësi nacionale, duke i zëvendësuar ato me temat që prekin rritjen e benefiteve nga veprimtarit e tyre kriminale. “Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë shumë që të kolapsojnë si shtete nga ngulfatjet, që po ia bënë mafia dhe oligarkia përmes kriminalitetit”, theksoi Reshiti për “Kosova Sot”. Sipas Reshitit, bashkëpunimi i mafisë politike dhe asaj ekonomike Kosovë -Shqipëri ekziston, por ai konsideron se përtej këtij bashkëpunimi kombëtar kemi edhe një bashkëpunim më të gjerë rajonal të kësaj mafie. “Elemente të krimit janë të lidhura ngushtë me elemente të politikës dhe pushtetit edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj. Prandaj, ky fenomen është prezent dhe mjaft i theksuar në rajonin e Ballkanit. Raportet nga hetimet e ndryshme, që janë bërë për këto vende të Ballkanit i rendisin në vendet më të prekura nga korrupsioni, kontrabanda dhe kriminalitetit, ku Kosova e zë vendin e parë”, ka theksuar ai.
Ahmeti: Klasat politike në Kosovë e Shqipëri kanë nevojë për një presion të fortë ndërkombëtar
Analisti Hidajet Ahmeti thotë se fare nuk ka dyshim që Shqipëria, por edhe Kosova, e në veçanti institucionet përgjegjëse dhe klasa politike udhëheqëse e tyre, kanë nevojë për një presion më të theksuar nga bashkësia ndërkombëtare për t’i vendosur shtetet shqiptare në binarë të duhur. “Gjykoj se Kosova ka firmosur një marrëveshje me BE-në, MSA-në, për të cilën ka marrë obligime për ta instaluar në plotni këtë marrëveshje brenda sistemin politik e juridik të Kosovës. Brenda kornizës së MSA-së, institucionet përgjegjëse kosovare kanë marrë obligime të shumta, e në theks të veçantë për të reformuar e sistemit e drejtësisë në Kosovë. Logjika qeverisëse ballkanase vepron dhe funksionon nën presionin ndërkombëtar, pasi që klasa politike udhëheqëse është e shantazhuar nga ndërkombëtarët. Çdo shtet pretendent për BE dhe organizata ndërkombëtare e ka të domosdoshme të bëjë ndryshime radikale brenda sistemit politik e juridik, e ato shtete, të cilat vonohen në këtë drejtim, pasojat i vuajnë qytetarët e tyre”, është shprehur Ahmeti.
Sipas tij, rasti më eklatant është Kosova, e cila në këtë drejtim po çalon, duke vonuar proceset si në aspektin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
Ai ka pohuar se Republika e Kosovës përveç një presioni nga jashtë ndërkombëtarë duhet të këtë njerëz vullnetmirë, të guximshëm që në këtë drejtim t’i ndihmojnë proceset reformuese në sistemin e drejtësisë, e jo ëndrra evropiane të mbetët brenda frazave boshe të politikanëve, që i përdorin për konsum të brendshëm politik, kurse praktikisht veprimet e tyre janë baras me zero. Sipas politologut Arsim Haziri, në këtë rrafsh prin sidomos Kosova, që, sipas tij, këtë kulturë sa negative, aq edhe degraduese e ka vendosur synimi i pandalshëm politik drejt përfitimi material. “Logjika e zaptimit siç është implementuar, vështirë është të çrrënjoset. Rrjeti organizues i strukturës përvetësuese, kërcënues dhe mbi t? gjitha zaptuese, është i vendosur në çdo institucion”, është shprehur ai.
Mulliqi: Bota e organizuar e krimit i ka kapur fort të dyja shtetet shqiptare
Publicisti Skënder Mulliqi thotë se shumë nga ne kemi menduar së pas rënies së komunizmit në Evropë rajoni i Ballkanit do të shkonte drejt demokracisë liberale, por shihet së në shumë vende ish-komuniste kanë mbijetuar sistemet e vjetra të patronazhit dhe të korrupsionit, krimit të organizuar, duke marrë forma të reja.
Sipas tij, diçka e tillë ka ndodhur edhe në të dyja anët e kufirit ndërshqiptar, Kosovë-Shqipëri, sikurse edhe në rajon. “Shtetet e rajonit, kështu edhe Shqipëria dhe Kosova më shumë po ngjajnë në shtete mafioze. Demokracia më shumë ka mbetur farsë, duke ndryshuar kursin politik drejtë autokracisë. Kosova dhe Shqipëria me regjimet e tyre janë duke u futur në periudhën e fluksit oligarkik, nga diktatura tek sipërmarrjet kriminale. Në dy shtetet shqiptare oligarkët dhe bota e organizuar e krimit e kanë kapur fortë shtetin. E kanë kapur ekonominë dhe çdo segment tjetër të jetës dhe të punës. Në Shqipëri pikërisht nga Edi Rama është legalizuar kanibisi më zi sesa në Kolumbi. Kjo flet së Kosova dhe Shqipëria janë bërë një përzierje midis organizatave kriminale dhe shteteve të privatizuara parazitare”, ka theksuar analisti Mulliqi. Sipas tij, shumë është lënë anash interesi nacional i dy shteteve shqiptare, është lënë anash zhvillimi i përgjithshëm. “Vendimet që po merren po bëhen nëpërmjet mekanizmave informale. Shqetësimi i vetëm i këtyre regjimeve është të konsolidojnë fuqinë e sunduesit dhe të pasurisë personale. Çdo gjë të jashtëligjshme e paraqesin si legjitime. Po i kontrollojnë edhe kontrabandat e ndryshme në të dyja anët e kufirit. Korrupsioni është bërë endemik. Bashkëpunimi i ndërsjellë i këtyre regjimeve në rajon e më gjerë po bëhet në mënyrë perfekt, duke u fshehur nën petkun politik dhe nën petkun e bashkëpunimit rajonal të pushteteve”, theksoi analisti Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”.
Ndryshe Ali Hertica thotë se mafia shqiptare ose krimi i organizuar Shqipëri -Kosovë janë terma, që përdoren përgjithësisht për organizatat e ndryshme kriminale ekonomike dhe politike me bazë në Shqipëri dhe me partneritet ne Kosovë dhe të përbëra prej shqiptarëve etnikë dhe në bashkëpunim me të tjerët në rajon sepse është një realitet i hidhur që po e nxin imazhin e kombit shqiptar. “Zanafilla e krijimit të kësaj mafia daton që nga fillimi i luftës në Kosovë, kur filluan të organizohen bandat etnike shqiptare, ku u përfshinë njerëz që kualifikoheshin në statusin e “refugjatit”. Duke qenë se shqiptarët e Kosovës nuk dalloheshin nga të tjerët gangsterët përfituan nga situata për t’u pozicionuar në gjithë Evropën, fillimisht duke shkuar drejt komuniteteve shqiptare në EU, duke marrë përsipër tregun e heroinës”, është shprehur Hertica./kosova sot/


