Eko Higjiena

Partitë u shndërruan në korporata biznesi kriminal

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se të gjitha partitë politike kosovare që nga paslufta janë shndërruar në korporata kriminale biznesi, që pushtetin e shohin për pasurim e zhvatje për vetën e tyre dhe klanet, por jo edhe për rritje të mirëqenies së qytetarëve.

“Institucionet e drejtësisë po merren me politikë, të cilat janë diskredituar duke i arrestuar dhe më pas duke i liruar kriminelët dhe hajdutët e vrastarët. Tashmë edhe të vegjlit po e shohin se ato grupe njerëzish janë shumë të fuqishme, qëndrojnë mbi ligjin dhe se drejtësia është e pafuqishme dhe qyqare ndaj atyre njerëzve”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi.

Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se të gjitha partitë politike kosovare që nga paslufta janë shndërruar në korporata kriminale biznesi, që pushtetin e shohin për pasurim e zhvatje për vetën e tyre dhe klanet, por jo edhe për rritje të mirëqenies së qytetarëve.

Ata thonë se edhe shtetet mike që ndihmuan krijimin e shtetit të Kosovës janë lodhur dhe nuk e duan një Kosovë ku kriminelët shëtisin lirshëm e ku gjykatësit dhe prokurorët ndikohen nga politika dhe korrupsioni. Analisti politik Albinot Maloku për gazetën “Kosova Sot” thotë se shndërrimi i gjithçkaje në materializim është gjëja më e keqe që po i ndodh kësaj shoqërie.”Efekti i kësaj është shpërndarë edhe në instanca ndërkombëtare, pra tek ato shtete që i kemi konsideruar edhe miq edhe aleatë, e që në momente specifike kanë abstenuar ose kanë qenë kundër. Vota e qytetarit në momentin e krijimit të institucioneve shtetërore nuk merret në konsideratë”, është shprehur ai. Maloku thekson se qeveritë si pasojë e rregullimeve ligjore nuk e kanë përfaqësuar vullnetin e popullit, mirëpo kanë funksionuar në kalkulimet e numrave.

Kelmendi: Skena politike në Kosovë është në duart e bandave kriminale

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se fatkeqësisht në Kosovë janë krijuar parti politike, të cilat punojnë mbi parimin e interesit personal dhe grupor. “Prandaj, nga puna e tyre mbi këtë parim është humbur edhe përkrahja nga miqtë tanë ndërkombëtarë se ata do të vazhdojnë të na përkrahin edhe në të ardhmen. Por e keqja është do ta quaja se sponsorët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, që janë SHBA-ja dhe vendet e BE-së, si dhe Japonia e shumë vende të tjera, tashmë veçse janë duke abstenuar në disa institucione, siç ishte rasti me Poloninë dhe Japoninë, që Kosova e pati në rastin e konkurrimit për anëtarësim në Interpol që votuan kundër”, është shprehur ai.

Uji Dea

Sipas Kelmendit, kjo po bëhet për faktin se elita politike në Kosovë bën gjyqe bizneset, kontrabandë dhe gjithçka keqpërdor. “Institucionet e drejtësisë po merren me politikë, sepse janë të diskredituar, duke i arrestuar dhe më pas duke i liruar kriminelët dhe hajdutët e vrastarët që herë po i mbajnë e herë po i lirojnë nga burgjet. Andaj tashmë edhe të vegjlit po e shohin se ato grupe njerëzish janë shumë të fuqishme dhe qëndrojnë mbi ligjin dhe se drejtësia ndaj tyre është e pafuqishme dhe qyqare ndaj atyre njerëzve”, është shprehur ai.”Miqtë tanë ndërkombëtarë, pra sponsorizuesit e lirisë dhe të pavarësisë, tashmë kanë filluar që të heqin dorë ndaj përkrahjes sonë, sepse është udhëheqja politike e pasluftës ajo që i ka zhgënjyer ata tej mase. Prandaj mendoj se fajin kryesor e kanë vetë populli që po i duron Hashim Thaçin dhe Thaqistët e tjerë që të bëjnë pazare me tokën e Kosovës dhe për pasojë nuk ka protesta apo kundërshtim të fuqishëm”, është shprehur Kelmendi.

HERTICA: PARTITË PASUROHEN NË DËM TË QYTETARËVE

“Institucionet e vendit, gjatë gjithë vitit, thonë se e kanë vënë në prioritet çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se askush nuk është imun dhe as mbi ligjin, por pikërisht në faktin që vullneti është i paktë për luftimin e kësaj dukurie. Kriminelët shëtisin lirshëm dhe gjykatësit dhe prokurorët ndikohen nga politika dhe korrupsioni e kjo është prezente. Asgjë konkrete nuk ka ndodhur tash e 10 vjet për një mirëqenie të qytetarëve dhe ndalimin e dukurive negative, ku partitë janë bërë korporata kriminale që po pasurohen në dëm të qytetarit”, thekson analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”.

Qytetarët janë të zhgënjyer me të gjitha partitë politike

Qytetari Zija Limani, nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot” thotë se me sjelljet e tyre të gjitha partitë politike kanë bërë që atyre t’u dalë boja, ngase kemi të bëjmë me politikanë të paarsimuar totalisht, që punojnë për interesat e veta.”Për këto shkaqe kemi dëshpërimin e popullit dhe dëshpërimin e miqve tanë ndërkombëtarë. Sepse BEja duhet thënë troç nuk ka asgjë kundër shqiptarëve, por ata janë kundër pushtetarëve tanë që i kanë zhgënjyer edhe ata. Sepse nga paslufta e kemi një gjyqësor të varur tërësisht nga politika. Pra, e kemi një gjendje të rëndë ekonomike, sepse pa sundim të ligjit nuk ka as gjendje të mirë ekonomike”, është shprehur ai. Ndërsa qytetari nga Obiliqi, Faik Gashi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se koha na tregon se asnjëra nga partitë politike të Kosovës nuk ka punuar për popullin, por partitë politike u shndërruan në grupe kriminale që punojnë për veten e tyre e jo për qytetarin.”Prandaj, Kosova ka nevojë për një klasë të re politike të shkolluar e të pakorruptuar. Kjo sjellje e pushtetarëve ka bërë që t’i humbasim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar ai.

(Kosova Sot)