Partitë si pashallëqe, kundër reformimit
Ndonëse reformimi i brendshëm dhe strukturimi paraqiten si domosdoshmëri e avancimit të proceseve demokratike e pluraliste në shtetet e zhvilluara, në Republikës e Kosovës ky proces po duket të ketë ngecje që vështirë mund të tejkalohen.
Analistët konsiderojnë se demokracia brendapartiake është aq jofunksionale, saqë nuk ka shans dhe nuk është reale që të ngrihen zërat reformues brenda partive, askund në skenën politike kosovare, ku akoma subjektet po mbahen të uzurpuara nga klanet dhe klientelat partiake të ngjashme me korporatat private, dhe të cilat po i sjellin dëme të mëdha edhe vetë partisë, duke mbetur të izoluara nga elektorati i mirëfilltë në vend.
Sipas analistëve, të gjitha partitë politike, pa dallim, po i mbajnë peng një grusht i njerëzve që kanë kapur gjithçka brenda tyre, dhe i mbajnë afër vetëm servilët e dëgjueshëm, ndërkaq që zërat reformues ngulfaten e mbyten ende pa e ngre zërin si duhet për t’u dëgjuar e për t’u dëshmuar vlera e tyre.
Në parti dominojnë servilët
Analisti politik Florim Zeqa konsideron se për nivelin e uzurpimit të partive politike nga liderët autoritarë nuk ka shumë dallime mes tyre. “Kush më pak e kush tjetër më shumë, të gjitha partitë politike kosovare po mbahen të uzurpuara nga një grup i vogël i klaneve dhe grupeve të interesit të lidhura ngushtë me korporatat e inkriminuara të bizneseve të pista, të cilët skajshmërisht i kanë ngulfatur zërat reformues brenda partive politike, duke e bërë kështu të pamundur ndryshimin aq të nevojshëm të kursit qeverisës në vendin tonë”, u shpreh ai. “Liderët partiakë me këto grupe të vogla njerëzish, duke mbajtur afër vetes vetëm servilët e tyre dhe puthadorët e të gjitha pushteteve, përveçse i kanë izoluar zërat ndryshe, e kanë irrituar elektoratin e tyre, ku si pasojë e kësaj situate kemi rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje”, theksoi analisti Florim Zeqa.
Ai ka pohuar tutje se si rezultat i lidhjes dhe bashkërendimit të krimi politik dhe ekonomik, viteve të fundit kemi rritje enorme të krimit të organizuar brenda vetë partive politike, për çka njerëzit e inkriminuar janë bërë “alfa e omega” e dirigjimit të subjekteve politike. Kjo, sipas tij, lidhet edhe me mbajtjen sekret të financave partiake tash e disa vjet me radhë.
Demokracia e brendshme, fjalë boshe
Analisti politik Hidajet Ahmeti konsideron se mënyra se si po funksionon skena politike e Kosovës, po dëshmohet se demokracia e brendshme partiake është frazë boshe e demagogjike e partive politike, pasi njerëzit, të cilët mendojnë ndryshe nga “zëri i klanit” të partisë, linçohen, etiketohen e në fund u imponohet të largohen. “Kjo logjikë e funksionimit të partive politike në Kosovë ka krijuar një percepcion negativ qytetar, pasi monizmi në mendime u atribuohet shoqërive komuniste dhe nuk prodhon vlera të mirëfillta demokratike. Prandaj, gjykoj se në këtë drejtim partitë politike në Kosovë janë në një vijë paralele me shoqëritë komuniste, ani pse kemi një pluralizëm partiak, që është vlerë e shoqërive demokratike, por kur është fjala për demokracinë e brendshme partiake, partitë politike çalojnë në masë të madhe”, u shpreh ai. “Partitë politike duhet të jenë të hapura në këtë drejtim, duke i dhënë mundësi çdo anëtari të kontribuojë me ide të reja, të cilat potencialisht ndihmojnë në konsolidimin e brendshëm partiak, por edhe prodhojnë diversitet mendimesh, të cilat mund të sintetizohen në ide më të avancuara”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.
Ai potencoi se është shumë normale që të ketë “luftë” konceptuale brendapartiake dhe të shteren të gjitha mendimet deri në konsolidimin e një ideje për implementim të një politike publike, e cila do të ishte më e mira për trupin publik, por partitë nuk duhen të mbyllën në kuptimin pragmatik të ideve dhe zërave që mendojnë ndryshe. “Gjykoj se zëri ndryshe brenda partisë është vlerë demokratike, që në rend të parë i kontribuon demokracisë së brendshme, por edhe reflektimit dhe zhvillimit për ide më të mira”, ka vlerësuar Ahmeti./kosova sot/


