ARKATANA

Partitë shmangin dosjet, spiunët dominojnë shtetin

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Ndonëse këtë vit Kosova ka festuar 9- vjetorin e shpalljes së pavarësisë, njohësit e sundimit të ligjit dhe analistët politikë konsiderojnë se institucionet kyçe të shtetit akoma vazhdojnë të spiunohen dhe të kontrollohen në mënyre të drejtpërdrejtë nga instalimi i një platforme të defunksionalizimit të Republikës, të moszbatimit të ligjit në Kosovën e pasluftës, përmes rrjetit të spiunëve te shërbimit sekret serb.

Rrjeti i spiunazhit, i shtrirë në të gjitha anët

Ndonëse këtë vit Kosova ka festuar 9- vjetorin e shpalljes së pavarësisë, njohësit e sundimit të ligjit dhe analistët politikë konsiderojnë se institucionet kyçe të shtetit akoma vazhdojnë të spiunohen dhe të kontrollohen në mënyre të drejtpërdrejtë nga instalimi i një platforme të defunksionalizimit të Republikës, të moszbatimit të ligjit në Kosovën e pasluftës, përmes rrjetit të spiunëve te shërbimit sekret serb.

Ky kontroll shtrihet përmes rrjetit të spiunëve në institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, prandaj edhe tani asnjëra nga partitë politike nuk guxojnë të flasin për këtë, por lejohet që përmes rrjetit të spiunëve serbë çdo institucion, në të gjitha nivelet, të jetë në duart e Beogradit dhe askush nuk e ka guximin të bëjë hapjen e dosjeve të UDB-së.

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi pohon se një ndër detyrat kryesore të pushtetit serb, duke filluar nga vitit 1999, pas nxjerrjes së Rezolutës 1244 dhe vendosjes së UNMIK-ut në Kosovë, ka qenë që ky mekanizëm ndërkombëtar të pajiset me njerëz të ish- regjimit serb, në emër të instalimit të institucioneve të Kosovës, dhe në këtë mënyrë është shtrirë dhe instaluar i gjithë rrjeti i spiunazhit, që funksionon edhe sot e kësaj dite. “Kjo ka filluar me dhënien e listave me emra e me mbiemra të të gjithë kuadrit që UNMIK-u i ka vendosur kudo në vendin tonë. Fillimisht iu kanë ofruar policët dhe udbashët e ish- regjimit, përkatësisht të Serbisë. Ata u angazhuan menjëherë nga UNMIK-u në Policinë e Kosovës dhe të njëjtët arritën të bëhen edhe kapitenë, majorë dhe kolonelë të Policisë”, tha Kelmendi.

Drejtësia e kontaminuar

Tani po ato struktura janë angazhuar edhe në drejtësi, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë aty edhe sot, sipas Kelmendit. “Po kështu, iu ofruan prokurorët dhe gjyqtarët nga regjimi serb. Kjo u bë me kërkesën e UNMIKut. Këta prokurorë dhe gjyqtarë u vendosen nga UNMIK-u në tërë gjykatat e vendit. U mbushën me ish- gjyqtarë dhe prokurorë Gjykata për Kundërvajtja, ajo Penale, si gjykatat Komunale, të Qarkut e Gjykata Supreme. Kjo u vazhdua edhe në Prokurori”, tha Muhamet Kelmendi. Sipas tij, nga kjo kapje nuk ka shpëtuar as administrata dhe për fat të keq me këtë plan Serbia arriti të futë njerëzit e vet edhe në politikë. “Mendoj se kjo punë e shtetit serb është bërë me qëllim që shteti ynë mos të funksionojë dhe të dalë si shtet i dështuar kundruall SHBA-së dhe UE-së, të cilët ishin dhe janë të lidhur me Kosovën”, tha Kelmendi.

Ai tani konsideron se spastrimi i këtyre strukturave mund të realizohet vetëm me aplikimin e një ligji të veçantë që ndjek të kaluarën e këtyre rrjeteve. “E gjithë kjo mund të shërohet me masa konkrete në drejtim të spastrimit të të gjitha strukturave të pushtetit në Kosovë. Dhe, kur e them këtë, mendoj në ligjin mbi “Vetting”-un, në ligjin mbi pastërtinë e figurave politike në politike dhe në administratë”, tha Muhamet Kelmendi.

Infiltrimi i kuadrove

ARKATANA

Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se asnjë popull në botë nuk mund të okupohet pa i pasur spiunët e brendshëm, dhe asnjë sundues në botë nuk mund ta zgjasë sundimin mbi një popull pos spiunët e tyre.

Sipas tij, shërbimi sekret i Serbisë ekziston më shumë se njëqind vjet, i cili që nga ajo kohë e deri më sot prioritet e ka sigurinë kombëtare dhe çështjen shqiptare, andaj ka punuar shumë në këtë drejtim. “Gjatë kohës së okupimit, Serbia e ka pasur shumë lehtë t’i inkuadronte shqiptarët në shërbimin sekret, duke i kushtëzuar me punësime, me lehtësime të diplomimeve, duke i furnizuar me doktorata të shumë lëmenjve, me kushtëzime e shantazhe mbi fëmijët e tyre e shumë metoda të tjera të panjohura për ne. Pas vitit 1990, Serbia e ka pasur më vështirë të freskonte shërbimin e tyre me shqiptarët e rinj, por i ka përdorur baballarët e tyre, duke i kushtëzuar mbi ardhmërinë e fëmijëve”, tha Reshat Sahitaj.

Sipas tij, ndryshimet e situatës politike botërore, si rrëzimi i murit të Berlinit, rrëzimi i sistemeve komuniste, dhe përkrahja e Kosovës nga institucionet ndërkombëtare, si Kongresi Amerikan, Parlamenti Evropian, dhe imponimi i ndërkombëtareve që Jugosllavia të demokratizohet, ka ndikuar që Serbia ta humbë fuqinë e rekrutimit të të rinjve shqiptarë në shërbimin sekret, mirëpo ata i kanë forcuar kuadrot e tyre ne shqiptarë duke u dhënë atyre më shumë pushtet. “Gjatë kësaj kohe nuk është e rastësishme që një pjesë e këtyre kuadrove u futën në UÇK e një pjesë në LDK. Nga këto kuadro, Bujar Bukoshi e krijoi Shërbimin Sekret të Kosovës, e në anën tjetër një pjesë tjetër e krijojnë Shërbimin Informativ të Kosovës, SHIK-un. Shtrohet pyetja, a ishin të besueshme këto kuadro të krijonin shërbime sekrete të LDK-së e të SHIK-ut ? Pyetje që vështirë të gjejmë përgjigje konkrete, derisa të hapen dosjet. Mendimi im është që në mesin e këtyre kuadrove në dy krahët kishte ndonjë që ka punuar në interes të çështjes sonë kombëtare, por shumica kanë qenë dhe ende janë në shërbim të Serbisë”, ka potencuar Sahitaj

Hapja e dosjeve, e domosdoshme

Sipas opinionistit Florim Zeqa, fillimisht liria e munguar për rreth një shekull, pas largimit të “çizmes” së pushtetit serb, na bëri të ndjehemi tepër komodë dhe të relaksuar, duke menduar se u liruam nga të gjitha të këqijat qindravjeçare, por përgjumja e thellë që na solli liria, ka filluar të na kthehet si bumerang kërcënues për të ardhmen e shtetit. “Përgjatë fjetjes sonë 18- vjeçare, pushtuesit tonë veriorë punuan ditë e natë për interesat e tyre në Kosovë. Për fat të keq, krah i tyre me(pa)dashje u bënë edhe një pjesë e politikës kosovare. Kështu, përveç ndikimit ekonomik, Kosova iu nënshtrua edhe ndikimit politik të Beogradit, duke zbatuar në përpikëri agjendat e politikës serbe të servuara nëpërmjet bisedimeve të Brukselit. Si pasojë e kësaj, Serbia, përveç kontrollit të plotë të rreth 25 % të territorit të vendit, me shërbimet e saj sekrete e monitoron çdo segment të jetës në Kosovë”, u shpreh ai. “Më mirë se çdo lloj “Veting”-u, për pastrimin e skenës politike kosovare, do të shërbente hapja e dosjeve të UDB-së serbojugosllave. Serbia, përmes rrjetit të zgjeruar të spiunëve te shërbimit sekret serb, kontrollon institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, kontrollon çdo segment shtetëror, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe partitë politike”, tha Florim Zeqa.

Ai konsideron se ka ndodhur pikërisht kështu, pasi partitë politike janë të stërmbushura me ish-agjentë të UDB-së, nga djemtë dhe nipat e ish- spiunëve serbë, të cilët në Kosovën e pasluftës dhe të paspavarësimit të vendit i populluan me të madhe institucionet më të larta të vendit, Kuvendin dhe Qeverinë, Policinë e Kosovës, FSK-në dhe sistemin e drejtësisë si një nga hallkat më të rëndësishme të funksionimit të shtetit ligjor.

Shërbimet veprojnë haptas

Analisti politik Ali Hertica, akoma më të rrezikshme e sheh këtë strukturë të spiunëve shqipfolës, të cilët, sipas tij, kanë rrjet të brendshëm bashkëpunimi me spiunët e përgatitur mirë nëpër enklavat serbe. “Grupet, të cilat janë të instaluara në platformën politike dhe moszbatimin e ligjit në Kosovë, e kanë bazën nga serbët lokalë dhe ata të Serbisë, që janë pjesë e shërbimit sekret, por edhe veprojnë haptas”, ka theksuar ai. “Këto shërbime veprojnë e flasin haptas edhe kundër shtetit të Kosovës, madje tani edhe në mes të Parlamentit, ku pjesa dërmuese e përfaqësuesve serbë, që kanë qenë deri tani në Parlamentin e Kosovës, me sjelljet e tyre kanë dëshmuar se janë pjesë e këtyre shërbimeve. Këto rrjete fare nuk kanë kontroll nga institucionet e Kosovës dhe në asnjë cep të Kosovës. Për më keq, ata janë ta instaluar pothuajse në të gjitha institucionet”, tha Ali Hertica./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.