Uji Dea

Partitë politike përgatiten për zgjedhjet lokale

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Partitë politike në Kosovë janë në pritje që Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të shpallë edhe zyrtarisht datën kur qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshilltarët e asambleve komunale.

3 nëntori pritet të jetë kjo datë, pasi në takimin e kaluar në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave është arritur pajtueshmëri për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 4 komunat në veri të territorit të Kosovës, ku nuk ka pasur institucione legjitime të Kosovës.

I pyetur se kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do t’i shpallë zgjedhjet lokale, zëdhënësi Arbër Vllahiu, ka dhënë për Top Channel një përgjigje të shkruar:

“Me Kushtetutë dhe me ligj parashihet mbajtja e zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka theksuar më parë se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e vendit, njëkohësisht është një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Presidentja Jahjaga do t’i thërrasë, në konsultim të fundit liderët e partive politike për të vendosur për datën e zgjedhjeve dhe do ta shpallë atë brenda pak ditësh”, sqaron zoti Vllahiu.

Ndërkaq, partitë politike në Kosovë tashmë kanë filluar seriozisht përgatitjet për zgjedhjet lokale. Vetëm gjatë së shtunës Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar pothuajse gjysmën e kandidatëve për kryetar të komunave, gjithsej 16 të tillë, ndërsa ditë më parë edhe partitë tjera kanë filluar të bëjnë publike kandidaturat.

Mobi Casa

Në komunat ku aktualisht qeverisë LDK, si Podujeva, Istogu, Fushë-Kosova, Obiliqi e Novobërda, kryetarët aktualë do të kërkojnë sërish votën për mandatin tjetër, ndërkaq në Gjilan dhe Lipjan LDK ka nominuar deputetët Lutfi Haziri dhe Imri Ahmeti.

Por, vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, aktualisht kryetar i Komunës së Prishtinës, nuk ka dhënë një përgjigje nëse do të kandidojë sërish për të parin e kryeqytetit të Kosovës.

Gjatë kësaj konference, kreu i LDK-së ka folur edhe për protestën e Lëvizjes Vetëvendosje në ditën e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë.

Askush s’ka të drejtë të pengojë deputetët të hyjnë në Kuvend dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. Vetëvendosje nuk ka të drejtë të pengojë ambasadorët dhe përfaqësuesit tjerë diplomatikë, aq më pak të sillet në mënyrë të tillë ndaj ambasadores së SHBA-ve, sepse gjithmonë SHBA ka mbështetur Kosovën, ka thënë Mustafa në fund të konferencës.