Partitë pa përfaqësues ‘special’ në tryezë

Sipas përfaqësuesve të partive politike, në këtë tryezë do të mund të marrin pjesë deputetët të cilët janë të interesuar, ndërsa thonë se rol të rëndësishëm në këtë tryezë do të kenë ekspertët e fushave që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufirit.
Subjektet politike në vend nuk do të kenë ndonjë përfaqësues “special” në tryezën e 3 gushtit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Sipas përfaqësuesve të partive politike, në këtë tryezë do të mund të marrin pjesë deputetët të cilët janë të interesuar, ndërsa thonë se rol të rëndësishëm në këtë tryezë do të kenë ekspertët e fushave që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufirit.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se për këtë parti është e rëndësishme që të zhbllokohet situata për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Grabovci ka thënë për “Zërin” se PDK-ja do të ofrojë opsione të qarta për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Ne do të shkojmë në opsione të qarta në tryezë, do të bëjmë përpjekje për t’i dëgjuar argumentet dhe do të kërkojmë që kjo tryezë të jetë e shkarkuar nga ngarkesat politike, por të jemi të gjithë të angazhuar dhe të japim maksimumin tonë për të dëshmuar dhe për të konstatuar për të vërtetën rreth përcaktimit të vijës ndarëse në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, është shprehur Grabovci.
Ai më tej ka thënë se pret që në këtë tryezë të merret një vendim i përbashkët për ta caktuar një seancë në të cilën do të merrej vendimi për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Do të kërkojmë që qytetarëve, shoqërisë civile dhe partive politike ashtu si edhe ekspertëve të pavarur t’iu krijohet mundësia që t’i japin argumentet e tyre dhe pastaj të marrim një vendim të përbashkët dhe sa më parë ta caktojmë një seancë e cila do ta sjellë një vendim të drejtë”, ka shtuar Grabovci.
Ndërsa, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se kjo parti nuk do të ketë ndonjë përfaqësues të caktuar, por se mbetet në vullnetin e deputetëve që të marrin pjesë ose jo./zeri/