Partitë në luftë për kontrollimin e drejtësisë

Që nga paslufta e deri më sot implikimi i politikës për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht atyre që janë në postet kryesore, ka pasur pasoja të rënda për qytetarët tanë, por edhe për tërë sistemin juridik të vendit.
Politika nuk heq dorë nga përzierja në gjykata dhe prokurori.
“Secila parti e madhe politike lufton që ta ketë nën kontroll qoftë Prokurorinë apo Gjykatën dhe kjo është evidente, ndërsa sa i përket dhënies së betimit te presidenti, ajo është çështje më tepër formale dhe nuk ka kurrfarë ndikimi, nuk ndryshon, meqenëse presidenti faktikisht te ne është vend ceremonial apo post ceremonial”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi
Që nga paslufta e deri më sot implikimi i politikës për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht atyre që janë në postet kryesore, ka pasur pasoja të rënda për qytetarët tanë, por edhe për tërë sistemin juridik të vendit. Kjo ngase edhe vendimet më pastaj që merren nga ta nuk do të ishin tërësisht gjyqësore, por me elemente të ndikuara nga politika. Kjo ka bërë që gjyqësori ynë të jetë një nga shtyllat më të kritikuara për mosfunksionim e tij në të gjitha raportet e organizatave të huaja dhe të BE-së që flasin për Kosovën, me synim të tejkalimit të kësaj gjendje dhe vendosjen e një rendi të ri në këtë fushë.
Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ajo që do të duhej të jetë në këtë drejtim është që politika të mos i fus duart në sistemin juridik të Kosovës, edhe pse, sipas tij, kjo ndodh në mënyrë indirekte, por jo në mënyrë direkte apo në formë ligjore.”Sigurisht që secila parti politike, posaçërisht ato të mëdha apo të forta politike, tentojnë që ta kenë nën kontroll gjithë sistemin juridik të Kosovës, sepse ashtu u konvenon”. Gashi më tej ka nënvizuar se në aspektin formal apo ligjor është krejtësisht në rregull, pasi, siç tha ai, politika nuk ka të drejtë ligjore që të përzihet në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përzgjedhja e ndikuar e lidershipit
Gashi thotë se ata e ushtrojnë ndikimin e tyre posaçërisht në përzgjedhjen e udhëheqësve të sistemit juridik. “Kjo tani për tani është e tillë, edhe pse ata nuk i pranojnë, meqenëse secila parti e madhe politike lufton që ta ketë nën kontroll qoftë Prokurorinë apo Gjykatën dhe kjo është evidente, ndërsa sa i përket dhënies së betimit tek presidenti, ajo është çështje më tepër formale dhe nuk ka kurrfarë ndikimi, nuk ndryshon, meqenëse presidenti faktikisht tek ne është vend ceremonial apo post ceremonial”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi.
Analisti Muhamet Kelmendi mendon se çështjen e organizimit të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor në Kosovë e përcjell në tërësi një mangësi shumë e madhe në fushën legjislative dhe në drejtim të zgjedhjes, rizgjedhjes apo emërimit të tyre në postet qoftë të Gjykatës Themelore, asaj të Apelit, Prokurorisë Themelore apo Speciale e deri tek Gjykata Kushtetuese e Kosovës.”Kjo për faktin se aktualisht nëpërmes Këshillit Prokurorial ose Gjyqësor propozohen kandidatët, të cilët pastaj vetëm nëpërmjet nënshkrimit të presidentit duhet të emërohet dikush si gjyqtar apo prokuror në të gjitha funksionet e lartpërmendura dhe kjo është ana më negative, e cila ekziston në Kosovë, pasi nëpërmes kësaj kemi të bëjmë me një implikim të drejtpërdrejtë të politikës në kuadër të sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, ku kuptohet se këta gjyqtarë pastaj do t’i nënshtrohen në një mënyrë apo tjetër politikës aktuale, e cila udhëheq vendin”, theksoi ai.
Duhet sistem i ri drejtësie Kelmendi ka vlerësuar se Kosovës i duhet një sistem dhe organizim krejtësisht i ri gjyqësor dhe prokurorial në formën e ngjashme, të cilën është duke e bërë Shqipëria, ku kryesisht do të mënjanoheshin në tërësi, qoftë ndikimet nga Parlamenti, Qeveria apo presidenti dhe nga çdo mënyrë e implikimit të tyre në zgjedhjen apo emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha instancat gjyqësore, e deri tek ajo më e larta, Gjykata Kushtetuese. “Pra, mendoj se duhet të kemi një sistem krejtësisht të ri dhe në këtë drejtim nuk mendoj se Kosova ka aftësi njerëzore dhe as intelektuale në përcaktimin e një reforme të tillë, të cilën është duke e bërë Shqipëria dhe jam i sigurt se pa e bërë këtë reformë, ku do të hiqet mundësia e implikimit të politikës, nuk do të kemi një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur dhe kuptohet kjo pastaj dërgon drejt asaj që të mos ketë luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave Të tjera devijuese në shoqëri”.
Kelmendi shton se i takon Kosovës që në të ardhmen ta bëjë një reformë shumë të ashpër në drejtim të mënjanimit të këtyre strukturave nga mundësia e implikimit në drejtësi dhe, siç thotë ai, që “kësisoj gjykatat të shndërrohen në gjykata të pavarura dhe prokurori të jetë tamam mbi bazën e ligjit, ku do t’i nënshtrohet vetëm ligjit dhe jo edhe strukturave politike, qoftë atyre parlamentare apo qeveritare”, theksoi Kelmendi./kosova sot/