Partitë në krizë, reforma e bllokuar

Demokratizimi, sfidë e patejkaluar për subjektet kosovare
Niveli i ulët i aderimeve tregon hallin e liderëve autoritarë
Frika nga reforma zgjedhore po i mban partitë, sidomos ato në pushtet, larg demokracisë dhe vlerave, ndërsa trendët aktualë nuk janë aspak shpresëdhënës
Kriza e thellë që e ka kapur shumicën e partive politike në vend, për shkak të keqqeverisjes në nivel lokal e qendror për këta 16 vjet të pas luftës, me humbje të madhe të besimit qytetar, i ka shtyrë së fundi që të provojnë ta riparojnë imazhin e tyre të degraduar nëpërmes disa improvizimeve teatrale, për gjoja freskimin e radhëve të tyre me disa figura të konsumuara publike ose krejtësisht të parëndësishme, në radhët e tyre.
Si pasojë e kësaj krize, në të cilën janë futur sipas analistëve politikë, këto parti politike po i frikësohen edhe ecjes përpara me reformën zgjedhore, jetësimin e rezolutës së Kuvendit që parasheh ndarjen e vendit në zona zgjedhore dhe fuqizimin e rolit të deputetit zonal me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Eksperti i fushës së legjislacionit, Muhamet Kelmendi, problemin e reformimit të partive politike e sheh në rrjedhat e profilizimit të tyre programor, që realisht po i mungon Kosovës. Kjo i bën subjektet politike që t’i frikësohen edhe reformimit të sistemit zgjedhor. “Prandaj, në këtë gjendje nuk ka mundësi të bëhen reforma zgjedhore. Personalisht jam për reforma zgjedhore dhe për ndarjen e vendit në zona zgjedhore, si dhe për fuqizimin e ndikimit të zonës në deputetin që e zgjedh, sepse zona e zgjedh dhe ai para zonës kërkohet të japë llogari. Por, që kjo të ketë sukses duhet domosdo të vihet në zbatim sistemi një votë një kandidat”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot”.